Mesiq: Rrota e historisë nuk kthehet prapa

(Updated) Gjatë fjalës së tij para ligjvënësve të Kosovës, presidenti i Kroacisë, Stjepan Mesiq ka thënë se vendi i tij është i interesuar për marrëdhënie të mira me të gjitha vendet e rajonit, e me këtë rast ka theksuar se Serbia nuk ka nevojë ta pranojë pavarësinë e Kosovës, por duhet të bashkëpunojë për interesin e qytetarëve serbë në Kosovë dhe për interesin e vetë rajonit.
Në vazhdën e vizitës së tij në Kosovë pak para largimit nga posti i presidentit të Kroacisë, Mesiq ka mbajtur fjalim para deputetëve të Kuvendit të Kosovës, duke thënë se Kroacia ka pasur parasysh rëndësinë e raportit me vendet e rajonit dhe se ka marrë një vendim logjik kur e ka pranuar pavarësinë e Kosovës.
Kryeparlamentari Jakup Krasniqi në hapje të seancës ka çmuar lartë figurën e presidentit kroat, duke thënë se ai ka qenë njëri prej mbështetësve më të mëdhenj të proceseve të Kosovës, ndërkaq vendi i tij u bë një nga mbështetësit brilant të pavarësisë së Kosovës në procesin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë.
Krasniqi ka thënë se nga një vatër krizash, Kosova tani është kthyer në një vend të krijimit të stabilitetit, paqes dhe bashkëpunimit rajonal.
Krasniqi: Kosova përbënë një faktor paqeje
“Nga një vatër krizash e krimesh gjenocidale, Kosova përbënë sot një faktor paqeje, bashkëpunimi e stabiliteti në rajonin tonë. Mbi bazën e kësaj Kosova do të ecë drejt prosperitetit të vazhdueshëm, drejt zhvillimit e demokratizimit. Ne jemi të vetëdijshëm për sfidat që kemi përpara, por e dimë se nuk do të na mungojë mbështetja e miqve tanë. Prioriteti i shtetit tonë është anëtarësimi në organizmat ndërkombëtar duke nisur nga OKB-ja”, ka thënë Krasniqi.
Ndërkohë, presidenti kroat, ka theksuar se vizita e tij në Kosovë është në vazhdën e vizitave në vendet tjera të rajonit, me qilim të bashkëpunimit reciprok, duke krijuar bashkëpunim multilateral dhe bilateral.
Duke folur për procesin nëpër të cilin ka kaluar Kosova, Mesiq ka thënë se mund të thuhet lirisht se Kosova është një rast ‘siu generis’ dhe se ajo si pjesë konstituive e ish Jugosllavisë nuk mund të krahasohet më asnjë autonomi të ekzistuar në cilindo shtet kompleks.
Kreu i shtetit kroat ka thënë se vendi i tij ka menduar se nuk ka ndonjë zgjidhje tjetër për Kosovën, përveç pavarësisë, ngase federata jugosllave më nuk ekzistonte dhe se statusi i Kosovës duhej të zgjidhej përfundimisht.
Mesiq: Serbia duhet të krijojë raporte të caktuara me Kosovën
“Është e vërtetë që Serbia nuk mund të pajtohet me këtë që e ka humbur një pjesë që në 100 vjetër e fundit ka qenë një pjesë e saj, mirëpo një pjesë është e pandashme me rrjedhën e saj historike dhe është e qartë që Serbia e ka të vështirë të marrë vendim për ta pranuar Kosovën. Shumë herë deri më tash e kam thënë dhe do ta përsëris se Serbia nuk ka nevojë ta pranojë Kosovën, mirëpo herë do kur, nëse për asgjë tjetër, për interes të serbëve që jetojnë këtu duhet të krijojë raporte të caktuara me Kosovën”, ka thënë Mesiq, duke u sugjeruar edhe serbëve të Kosovës që të realizojnë pjesëmarrjen e tyre në institucione dhe përmes zgjedhjeve të vendosin se si duan të jetojnë.
Ai ka përsëritur se rrota e historisë nuk mund të kthehet prapa, federata ish jugosllave është shkatërruar dhe ajo nuk mund të kthehet, sikur që nuk mund të kthehet prapa as Kosova në agjendën që ishte para shpalljes së pavarësisë së saj më 17 shkurt 2008.
Presidenti Mesiq ka përmendur luftërat që kanë ndodhur në rajon për të ardhur deri te pavarësimi i shteteve, ndërkaq ka theksuar se për dhjetë vjet me radhë, Kroacia i ka zgjedhur dorën të gjitha shteteve për bashkëpunim të mirë për ndërtimin e marrëdhënieve më të mira në rajon.
Duke përmendur të kaluarën, Mesiq ka theksuar se e ardhmja nuk duhet të krijohet duke e ngarkuar me të atë çka ka ndodhur në të kaluarën.
“Në funksion të kësaj të ardhme unë jam këtu sot në Prishtinë, në kryeqytetin e Kosovës. Këtu jam për t’iu bërë thirrje qytetarëve që të angazhohemi vërtetë për marrëdhënie më të mira ndërmjet Kroacisë dhe Kosovës, mirëpo do të thoja edhe në të mirë të revitalizimit të bashkëpunimit rajonal në funksionin e forcimit të stabilitetit në rajon, në funksion të përgatitjes së të gjitha shteteve për hyrje në BE”, ka thënë ai.
Presidenti kroat ka shtruar nevojën për demokracisë që reflektohet përmes zgjedhjeve, t’i shtohet edhe lufta e ashpër kundër krimit të organizuar, në mënyrë që popujt e rajonit të dëshmojnë dhe të legjitimohen si qytetarë të botës demokratike.
Fjalimi i presidentit Mesiq i përfunduar më fjalët “Le të jetojë Kosova e lirë”, është përcjellur me duartrokitje të gjata të ligjvënësve të Kosovës.
Para seancës solemne, Mesiq ka zhvilluar edhe një takim me kryeparlamentarin Jakup Krasniqi, me të cilin ka biseduar për marrëdhëniet dypalëshe mes Kosovës dhe Kroacisë dhe për perspektivën e përbashkët evropiane
Kroacia ndihmon Kosovën në të gjitha fushat
Pas njohjes së pavarësisë së Kosovës, vendosjes së marrëdhënieve diplomatike dhe emërimit të ambasadorit kroat në Kosovë, vizita e presidentit kroat Stjepan Mesiq ka shënuar thellimin e mëtejmë marrëdhënieve mes Kosovës dhe Kroacisë, ndërkohë që me këtë rast u shpreh përkushtimi i thellë i Republikës së Kroacisë për të bashkëpunuar me Kosovën në të gjitha fushat.
Presidentit Mesiq i është organizuar një pritje ceremoniale nga Garda Ceremoniale e Forcës së Sigurisë së Kosovës, ndërkaq më tej ai është pritur nga presidenti Fatmir Sejdiu, të cilit i ka shprehur përkrahjen e plotë të vendit të tij për të gjitha proceset nëpër të cilat po kalon Kosova, ndërkaq ka shprehur bindjen e thellë se Kosova do të ecë shumë shpejt në rrugën e saj drejt Bashkimit Evropian dhe NATO-s.
Presidenti Sejdiu ka shprehur falënderimin e tij më të thellë për mënyrën energjike dhe konsistente të presidentit Mesiq në mbështetje të së drejtës së popullit të Kosovës.
“Presidenti Mesiq është një nga personalitetet e rralla që në mënyrë energjike dhe konsistente ka mbështetur të drejtën e popullit të Kosovës për liri dhe pavarësi, dhe me gjithë potencialet e tij ka mbështetur gjatë mandatit të tij dhe të qeverisjes së Republikës së Kroacisë, proceset e tjera të Republikës së Kosovës, proceset e njohjes së saj dhe mbështetjen që jep në vazhdimësi për kapërcimin e rrugës së përmbushjes së kritereve të rëndësishme për të qenë nesër anëtare në Bashkimin Evropian dhe në NATO”, ka thënë Sejdiu.
Duke pasur parasysh përkushtimin e Kroacisë për Kosovën dhe kontributin e presidentit Mesiq, presidenti Sejdiu e ka nderuar atë me “Medaljen e Artë të Pavarësisë”, për kontributin e jashtëzakonshëm për pavarësinë dhe zhvillimin e Kosovës si shtet demokratik.
Ndërkohë, presidenti Mesiq ka vlerësuar se vizita e tij është në shkallën e katërt të bashkëpunimit mes dy vendeve, pas njohjes, vendosjes së marrëdhënieve diplomatike dhe emërimit të ambasadorit në Prishtinë.
Ai ka theksuar se këto themele të bashkëpunimit duhet të thellohen edhe më tutje dhe për këtë kërkohet përkushtim i të dyja palëve, ndërkohë që nuk ka harruar të përmend ndihmën heroike të djemve të Kosovës në luftën e Kroacisë, duke thënë se këtë ndihmë asnjëherë nuk do ta harrojë popullit kroat.
Mesiq: Para neve është e ardhmja
“E gjithë kjo është e kaluara. Para neve është e ardhmja. Mendoj se në shumë fusha mund të bashkëpunojmë me sukses. E Kroacia është gjithsesi e gatshme t’i ndihmojë Kosovës me dije, përvojë të vetë në cilëndo fushë, duke përfshirë këtu edhe në rrugën për Bashkimin Evropian, e cila sot duket ende si e ardhme e largët, por që Kosova e pavarur, në çka jam i sigurt, një ditë do të shkojë”, është shprehur Mesiq.
I vetëdijshëm për kundërshtimin serb për vizitën e tij në Kosovë, Mesiq ka thënë se kjo vizitë nuk është e drejtuar kundër askujt, por është për forcimin e stabilitetit dhe bashkëpunimit në rajon dhe se koha do t’i përgënjeshtrojë ata që e mendojnë të kundërtën.
Duke folur për pavarësinë e Kosovës, Mesiq ka thënë se populli dhe institucionet e Kosovës e kanë shpallur pavarësinë e saj sipas të drejtës së saj nga Kushtetuta e vitit 1974, ndërkaq tani ai ka shprehur bindjen se edhe Kosova do të jetë pjesë e Bashkimit Evropian, vetëm se në pyetje është koha se kur do të ndodhë kjo.
Mesiq ka theksuar se vendi i tij do të jetë i përkushtuar që edhe Kosova të përfshihet në procesin e liberalizimit të vizave.
Kreu në largim i Republikës së Kroacisë, gjatë ditës së sotme do të mbajë një fjalim para deputetëve të Kuvendit të Kosovës, do të shpallet “Qytetar Nderi” i Prishtinës, do të zhvillojë takime me biznesmen, ndërkaq pritet ta vizitojë edhe fshatin Janjevë të banuar edhe nga komuniteti kroat në Kosovë. (Kosovapress)