Rama: Politika të shpëtojë jetë, Prokuroria të hetojë
08/01/2010 PS apelon në ndihmë të zonave të përmbytura
Partia Socialiste e ka përqendruar vëmendjen e saj te situata e vështirë në të cilën ndodhen zonat veriore. Kështu, përmes një deklarate për shtyp vetë kreu i PS-së, Edi Rama, ka kërkuar që në këto ditë të vështira për banorët e Shkodrës dhe të Lezhës klasa politike të bashkëpunojë, me qëllim që t’u vijë në ndihmë këtyre zonave, fillimisht duke shpëtuar jetë e më pas duke u mundësuar atyre kompensimin financiar. “Në këto orë dramatike për vendin, e veçanërisht për zonën veriore, që është kthyer në një zonë të kërcënuar më seriozisht se kurrë nga një katastrofë tragjike, ka vetëm një fjalë kyçe: të gjithë të bashkuar për të shpëtuar çdo jetë njeriu”, - vlerësoi Rama gjatë fjalës së tij. Megjithatë, në gjykimin e kreut socialist një situatë e tillë ishte dhe do të mbetët vetëm përgjegjësi e qeverisë “Berisha”. “Nuk është ora e luftës politike për nxjerrjen e përgjegjësive për këtë dramë të jashtëzakonshme, e cila s’ka të bëjë as me ngrohjen globale as me zemërimin e Zotit, po fatkeqësisht thjesht dhe drejtpërdrejt me keqqeverisjen”, - vuri në dukje kreu i PS-së. Sipas tij, është ora e marrjes së përgjegjësisë qytetare e patriotike, nga çdo parti, nga çdo përfaqësues i popullit, në nivel vendor apo qendror, nga Veriu në Jug, në të gjithë Shqipërinë, për të ndihmuar motra e vëllezër në rrezik, shqiptar e shqiptare, që duhet të lënë shtëpitë e pronat në mëshirën e fatit për të shpëtuar gjënë më të rëndësishme: jetën e tyre. Nga ana tjetër, kryetari i socialistëve kërkoi nga kreu i shtetit të thërrasë Këshillin e Sigurisë Kombëtare. Ndërsa Prokuroria e Përgjithshme sipas tij duhet të mos neglizhojë asnjë provë që lidhet me shkaqet që sollën këtë katastrofë. “Kjo katastrofë nuk është për shkak të zemërimit të natyrës, po për shkak të keqqeverisjes dhe njerëzit e vendi nuk duhet të paguajnë asnjë kosto shtesë po për këtë shkak. Është ora që Prokuroria e Përgjithshme të mos lejojë humbjen apo tjetërsimin e asnjë prove për përgjegjësinë e pashmangshme, të kujtdo qoftë, që paguhet nga shqiptarët për t’iu siguruar jetën, pronën, të ardhmen, jo për t’i përmbytur për shkaqe që duhet të bëhen transparente fije për fije dhe duhet të ndëshkohen një për një”, - deklaroi Rama lidhur me këtë çështje. Megjithatë, ai i mëshoi me forcë faktit se në plan të parë duhet të jetë pikërisht menaxhimi i situatës, me qëllim që të shpëtohet çdo jetë. “Është ora që njëzet vjet pandëshkueshmëri për gjithfarë katastrofash jonatyrore të mbarojnë dhe shpresa se ky vend mund të bëhet dhe se ndëshkimit të ligjit nuk i shpëton asnjë keqbërës, aq më tepër keqbërësit e veshur me pushtet, të mos vdesë edhe për njëzet vjet të tjera. Hetimet duhet të fillojnë urgjentisht, ndërkohë që politika duhet të mos ngatërrojë radhën e punëve. Në fillim jetët e njerëzve, pastaj përgjegjësitë e pushtetarëve. Një për një. Deri në fund”, - u shpreh Rama. Nga ana tjetër, kryetari PS-së nuk harroi të lëshonte dhe një apel të posaçëm për kryeministrin Berisha. “Për çdo element të kësaj situate, ku Sali Berisha duhet t’ua kursejë shqiptarëve edhe panikun, edhe broçkullat, edhe gënjeshtrat, edhe avazin e tij vulgar kundër opozitës. Ashtu siç duhet t’u kursejë edhe daljen në publik të ministrit të tij të energjetikës, i cili në qoftë se nuk heq menjëherë dorë, së paku nuk duhet lejuar të ketë më dorë. Është ora që qeveria të lëvizë konkretisht me kalkulimin e dëmeve, përcaktimin e kritereve të kompensimit financiar të çdo dëmi, bërjen transparente të tyre një orë e më parë dhe madje vendimmarrjen për lëvrimin e shumave të para, në mënyrë që të inkurajohen për t’u larguar nga zona e rrezikut të gjithë ata që i friken”, - nënvizoi Rama.