Akuzon edhe LDK’në

Hetimi dhe rinumërimi i votave të Gjilanit vazhdon të jetë proces i paligjshëm për Fatmir Rexhepin, por jo edhe për partinë, nën flamurin e të cilës kandidon për kryetar komune - Lidhjen Demokratike të Kosovës.
Derisa Rexhepi ka vazhduar edhe të enjten t’i quajë hetimin dhe rinumërimin e votave si veprime antikushtetuese dhe kërkon bojkot të procesit, anëtarë të Kryesisë së LDK’së e thonë të kundërtën.
Kryesia e LDK’së vendosi të mërkurën t’i dërgojë 15 vëzhgues në Qendrën e Numërimit dhe të Rezultateve, pavarësisht qëndrimit refuzues të kandidati të saj për kryetar Komune.
Fatmir Rexhepi ka vendosur të mos e njohë rezultatin e hetimit dhe rinumërimit të votave të balotazhit dhe ka kërkuar nga KQZ’ja dhe partia e tij “t’i përmirësojnë gabimet”.
Por, duket se Kryesia e LDK’së do të vazhdojë të mbajë qëndrim të kundërt me kandidatin e saj për kryetar të Komunë së Gjilanit.
Anëtari i Kryesisë së LDK’së, Astrit Haraqija, ka thënë se partia e tij do t’i njohë vendimet e të gjitha institucioneve dhe assesi nuk do t’i bojkotojë ato.
“LDK’ja do njohë vendimet e institucioneve dhe presim vendimet që do t’i marrin, qoftë KQZ’ja, qoftë KZAP’i. Krejt Kosova e di që LDK’ja lufton për ligj dhe për institucione”, ka thënë Haraqija, të enjten, përmes telefonit.
Ai ka komentuar edhe deklaratat e Fatmir Rexhepit. “Është e drejtë e çdo kandidati të thotë mendimin e tij, por ne në Kryesinë e Lidhjes Demokratike të Kosovës do t’i respektojmë vendimet e institucioneve”.
Haraqija thotë se politikën e LDK’së e bën Kryesia e saj, e jo degët e partisë. “Politikën e LDK’së nuk e bëjnë komunat, por e bën Kryesia Qendrore. Kryesia merr vendimet, kurse degët nëpër komuna janë të obligueshme t’i respektojnë vendimet e nivelit qendror”.
Megjithëkëtë, pretendenti për të udhëhequr Gjilanin, Fatmir Rexhepi, ka thënë se veprimet e KQZ’së dhe LDK’së në qendër janë telenovelë artistike.
“Kjo është, qysh po thonë ata artistët, telenovelë e KQZ’së”, ka thënë Rexhepi, në një prononcim për Express, të enjten.
“Kjo telenovelë iu bëftë mirë atyre që e kanë nisë. Unë i porositi që t`i mbajnë zgjedhjet më 31 janar dhe ai që fiton, puna e mbarë i koftë”, ka shtuar ai.
Ky zyrtar i LDK’së i ka quajtur edhe veprimet e partisë së tij antikushtetuese, duke kërkuar përmirësimin e gabimit.
“Unë nuk po e amnistoj askënd këtu (as LDK’në). Unë nuk jam artist i asaj telenovele, unë jam me Kushtetutë dhe me ligj dhe pres përmirësimin e gabimit”, ka thënë Rexhepi.
Më pak se gjysma e votave të Gjilanit janë hetuar dhe rinumëruar të mërkurën në Qendrën e Numërimit dhe të Rezultateve. Nga 127 vendvotime, 57 janë hapur dhe hetuar nën llupën e vëzhguesve vendorë dhe ndërkombëtarë. Aty nuk janë vërtetuar parregullsi të mëdha, derisa pjesa tjetër e votave pritet të verifikohen të premten.