E Diel, 1 Nëntor 2026

Koço: Një shekull më parë himarjotët i këndonin Shqipërisë

 

Alma Mile

Nuk kanë kënduar greqisht dhe as për Greqinë. Në fillim të shekullit XX-të këngëtarët himarjotë këndonin vendçe në gjuhën shqipe. Dirigjenti dhe studiuesi Eno Koço, teksa vijon studimet e tij mbi muzikën shqiptare, është përqendruar tek një këngëtar e kompozitor dhe këngët e trevës së tij, Neço Muko Himarjoti, i cili në fillim të shek. XX regjistroi disa pllaka në Paris, në shoqërinë e një grupi tjetër këngëtarësh nga Shqipëria. Teksa përkon edhe me 110-vjetorin e lindjes së këngëtarit, Koço bën një analizë të këngës së Neço Mukos, ngjashmërinë e saj me atë labe, motivet, gjuhën. 
Në qendër të studimeve tuaja, ndër të tjera janë disa disqe të regjistruara në vitin 1929, ç’këngë përmbajnë këto disqe?
Regjistrimet mund të grupohen në katër blloqe për sa i përket krijimtarisë muzikore: në këngë vendase të Bregut, të tipit shumëzërësh pa shoqërim, me ose pa iso; në këngë komike dhe të komedive; në këngë të lehta, të stilit romantik të vonë apo “sentimentale” (siç i specifikon vetë Neçoja) të vjershëruara prej vetë tij, Nestor H. Mukos (N. H. Marriotit); në këngë patriotike. (Për këngët vendase të Bregut me iso preferoj të përdor termin “shumëzërësh” në vend të termit “polifonik”). Në këngët vendçe, veç Neços që udhëhoqi këto regjistrime, mori pjesë edhe Koço Çakalli, me zërin e tij kumbues prej tenori amator, Mitro Rumbo me zë të formuar baritoni (regjistroi vetëm më 1929), Pano Kokëveshi, bariton dhe Andrea Bala që regjistruan vetëm më 1930. Në këngët sentimentale regjistruan edhe Tefta Tashko, soprano nga Konservatori kombëtar i Montpellier-it, Tulla Paleologu, soprano amatore dhe artiste e valles klasike, Kleo Georga, alto, artiste e Teatrit Kombëtar të Parisit – “Odeon” dhe Llambi Turtulli, tenor, student i kantos në Milano. Këngët e lehta, kryesisht, shoqëroheshin nga një piano, dy violina dhe në ndonjë rast edhe një klarinetë. Instrumentistët ishin të familjes Andolfi, të cilët luanin në mjediset muzikore të Parisit.
Na tregoni pak për këngët e Bregut, ku afrojnë dhe ku dallojnë ato nga ato të zonës së Labërisë?
Këngët vendase të Bregut të detit, për hir të afërsisë gjeografike me Labërinë janë shumë të ngjashme më këngët e kësaj treve, por kanë dhe disa karakteristika të veçanta për sa i përket stileve muzikore. Duke qenë se kënga vendase e Bregut i përket jo shek. XV, por së paku tre shekujve më parë, të bën të gjykosh se kjo zonë duhet t’i ketë pasur, deri në një farë mase, të konsoliduar tiparet bazë të këtyre këngëve, por që për hir të afërsisë me zonën e Labërisë, dialektet kanë dhënë e kanë marrë, duke krijuar kështu një rrjedhë të përbashkët e të pandërprerë të elementëve gjuhësorë e muzikorë të këtyre dy trevave. Nga pikëpamja muzikore këngët vendase pa shoqërim e me iso të Bregut dhe ato labe kanë shumë tipare të përbashkëta, veçanërisht në organizimin melodik, mënyrën e frazimit, spektrin pentatonik e pulsimin e ritmit. Por ato kanë dhe veçoritë e tyre që u kristalizuan si tipare të vetme, kryesisht në shek. XVI-XVII, gjatë periudhës osmane në Shqipëri. Nëse në këngën labe filloi të mbizotërojë shprehja epike, dendësia dhe ngjeshja e tingëllimit të zërave, impulset ritmike të forta, ku tipari muzikor heterofonik (lëvizja simultane e zërave) do të merrte zhvillim parësor, në atë të Bregut do të kultivohej më tepër karakteri lirik, i butë e i valëzuar, më afër zhvillimit polifonik e linear të këngëve vendase të Gjirokastrës, por që ritmi pulsiv do të ndjehej më tepër në zërin e tretë (hedhësin ose prerësin) që lëviz shpesh bashkë me ison në distancë intervali terce, si një lloj isoje e dyfishtë. Të bën përshtypje fakti se të dy këngët “Katina” dhe “Ismail Qemali”, në interpretimin e formacionit të mësipërm, këndohen qetë, pa ndonjë intensitet sonor, gjë e cila do të vihet re në interpretimet e mëvonshme të pas viteve ‘50. Këngë të tilla në vitet e epokës totalitare do të bëheshin më ulëritëse, në tonalitete më të larta, tipar i ri ky i kohës së “socializmit” që do të formohej për të përcjellë emocione “më të fuqishme e patetike” kombëtare. Mjetet karakteristike shprehëse të këngës së Bregut si dredhja e zërit tek hedhësi, isoja herë pulsive dhe herë e rrjedhshme apo mënyra e ekspozimit të marrësit, në mjaft raste do të “dramatizoheshin” jashtë natyrës së tyre, do të huazonin pa kriter tipare karakteristike të fqinjëve labë, të cilët dallohen për karakterin e tyre të fuqishëm, epik dhe heroik të këndimit, duke zbehur kështu tiparet valëzuese dhe rrjedhshmërisë të lirizmit karakteristik vendas. Në bllokun e parë të këngëve vendçe, do të hynin edhe këngë të tilla si “Mbeç more shokë”, e cila bën përjashtim nga mënyra e interpretimit pasi në të përfshihen edhe instrumente muzikorë, siç shënohet në disk: piano, violi, gërnetë. Kënga në fjalë nuk është e trevës së Himarës dhe përfshirja e saj në platformën e Neços u bë me qëllimin e mirë të pasurimit që ai donte t’i bënte bllokut të këngëve tradicionale shqiptare. Për sa i përket folurit shqip në këngët vendase, ato transmetohen me diksion të qartë e me emfazën e duhur të dialektit të ligjëratës së folur dhe asaj muzikore bregdetase.
Meqë jemi tek gjuha, si i ka kënduar këto këngë Neço Muko dhe grupi i tij?
Neçoja e ndërtoi të gjithë platformën e regjistrimeve, qofshin këto këngë të lehta sentimentale, humoristike apo vendçe, mbi tekste vetëm shqipe. Të përshtatura dhe kënduara në gjuhën shqipe, të folura dhe kënduara në gjuhën e komedisë a satirës të tipit të vodëvilit, me një humor tipik vendas, me frazeologji dhe batuta karakteristike për gjuhën toske dhe në veçanti për atë të Bregut e labe. Si himarjot që ishte, ai fliste po aq mirë greqisht sa dhe shqip, madje edhe fjalët e muzikës së Bulevardeve i hidhte në letër në greqisht, por në rastin e kësaj serie diskografike ai e konceptoi atë vetëm në shqip.
Ishte ky një veprim i menduar e i llogaritur apo ishte për të një platformë e tillë krejt e natyrshme?
Megjithëse Neçoja pati shkruar shumë vjersha e tekste në greqisht, të cilat i përktheu me shumë përkushtim në shqip Janko Pali, mesazhi i tij publik për bregdetasit deri në Sarandë ishte gjuha shqipe. Sot shumë nga titujt e këngëve vendçe të Neços i dëgjon të kënduara greqisht, të cilat në gojën e Katinës me shokë tingëllojnë vërtet bukur, por ja që variantet e fiksuara në disqe të viteve 1929 dhe 1930 janë vetëm në shqip. Do të isha shumë kurioz të dëgjoja se si do t’i kishte tingëlluar grupit të Neços ndonjë këngë në variantin greqisht. Ky lloj hamendësimi më vjen natyrshëm kur shikoj dhe dëgjoj që një pjesë e madhe e këngëve himarjote nëpër CD, veçanërisht ato të prodhuara në Greqi, të këndohen në greqisht. Të ketë qenë apo të jetë kjo një mënyrë reagimi ndaj pavëmendjes apo qëndrimit dyshues, që himarjotët të kenë ndjerë se është treguar ndaj tyre gjatë periudhës totalitare e më pas? Të ketë qenë apo të jetë ky një instinkt vetëmbrojtjeje duke përdorur greqishten si mburojë? Duke lexuar një nga librat e Foto Bixhilit më bëri përshtypje një paragraf të cilin po e citoj: “Nga mbyllja jonë 50-vjeçare dhe përndjekja e himarjotëve si “grekofonë dhe korofillakë”, më ishte krijuar përshtypja se urrejtja dhe antihelenizmi, i kishin rrënjët në politikën e Enver Hoxhës. Në fshatrat labe ku punova e jetova mbi 30 vjet, ndërsa i pëlqenin e i admironin zakonet dhe traditat tona, e mbyllnin bisedën: ‘Juve, disa fshatra flisni greqisht, po nuk jeni grekë, apo jo?’” (“Himara në optikën e kohës”, Toena, 2006, 530-54). Petro Markoja gjithashtu, do të shënonte se “edhe në kohën e pavarësisë himarjotët panë se asnjë qeveri e Tiranës nuk u kujdes asnjëherë për ta. Nuk shkonin as xhandarë dhe nuk merreshin në asnjë punë” (Petro Marko, “Intervistë me vetveten”, OMSCA, 2000, 51). Të ketë qenë ky perceptim i krijuar, si grekë a si shqiptarë, vetëm e vetëm se flisnin greqisht, në familje e në fshat? Gjatë historisë shumë shekullore himarjotët janë shquar për një lloj “rebelimi” ndaj atyre që kanë dashur t’i zhveshin nga ajo ndjenjë pavarësie që ata aspironin, e të qenit “himarjot” para së gjithash, ndjesi që u bë më e fortë gjatë periudhës osmane e më vonë regjimit totalitar të gjysmës së dytë të shekullit XX.
Ju thatë se ndër të tjera janë regjistruar edhe këngë sentimentale, por dhe satirike, cilat janë motivet që përshkojnë ato?
Në bllokun e dytë, atë të dialogëve të satirës, atyre humoristikë si dhe të komedisë së muzikuar, dëgjon jo vetëm frazeologjinë vendçe të teksteve, por edhe mënyrën e të folurit e të intonacionit vendas. E tillë është komedia e folur dhe e muzikuar “Bambuni (ushtar), Tetari, Kapteri, Marika”, komedia e folur “Mitrushi” apo komedia tjetër e kënduar “Uzo, raki, amane” (Të dehurit), interpretuar nga Çakalli, Muko dhe Rumbo, regjistruar më 1929. Melodia e komedisë së kënduar “Uzo, raki, amane”, për shembull,  është tipike e një stili të lehtë mjaft i përhapur jo vetëm në Evropë e përtej Atlantikut ku lëvrohej më së shumti kjo gjini mjaft në modë, por edhe tek shqiptarët e jugut, veçanërisht tek korçarët. Satira qëndron jo vetëm në fjalët por edhe në refrenin, gati në dehje, të muzikës. Po citoj disa vargje “Uzo, raki, amane”: Rakia unë jam/ Fuqi të madhe kam/ Sjell një gëzim gjithmonë/ Atij që më shijon! . .
Në bllokun e tretë hyjnë ato këngë që ai i përkufizon si “sentimentale”, kryesisht të një stili romantik të vonë. Disa nga titujt janë “Saranda”, “Tirana”, “E dëshpëruara”, “Korçarja e bukur”, “Kthimi në Nisi”, “Mban mend” e të tjera. Ka midis këtyre melodi të huazuara nga repertori në modë evropian i fillim-shekullit XX, ka melodi të tjera që i janë përshtatur intonacioneve dhe ritmeve tradicionale të përdorura në Shqipëri, ka dhe nga ato që kanë marrë formën e këngëve karakteristike korçare. Tetë nga këto këngë janë regjistruar nga Tefta Tashko, katër nga Llambi Turtulli, të tjerat nga Tulla Paleologu dhe Kleo Georga (Jorga). Pothuajse të gjitha tekstet e këngëve janë krijuar apo i janë përshtatur këngëve nga ideatori i këtij projekti origjinal e unik, Neço Muko. “Korçarja e bukur” (e cila thuhet se është shkruar për Tefta Tashkon) që është bërë kaq e njohur që nga krijimi e deri më sot, si dhe “Mban mend”, këngë lirike e ndjerë por që pothuajse nuk njihet ndër dëgjues. E para u këndua nga Tefta Tashko dhe e dyta kënduar nga Llambi Turtulli. Zëri Teftës në këtë regjistrim është ai i një njëzetvjeçareje i regjistruar me teknologjinë e fillim-shek. XX.
Po këngët patriotike?   
Blloku i katërt i koleksionit zanor në disqe të Neços, që mund të ishte grupuar ndoshta dhe si i pari, përfshin tri tituj: “Himni i Flamurit”, “Shqipëria” dhe “Marsh mbretëror”. Neçoja i përshtati fjalët e tij muzikës origjinale të kompozitorit José Padilla, e cila më parë kishte fjalët e autorit Lucien Boyer. Muzika e këngës “Shqipëria” është ajo tipike e marshit, me ritëm të pikëzuar dhe triola të natyrës perkusive të tamburo-s, për të kontrastuar me pjesën e mesit lirike përpara së të përsëritet edhe një herë ritmi i marshit. Këto tipare muzikore janë të formës konvencionale dhe në kontekstin e muzikës së lehtë. Ndryshe nga prirja e natyrshme e Neços drejt këngëve sentimentale, e ndikuar edhe nga gjendja së tij shpirtërore, si rezultat i ecejakeve të vazhdueshme e mos gjetjes prehje për asnjë çast gjatë gjithë jetës së tij të shkurtër, në rastin e këngës “Shqipëria” të bën përshtypje të shprehurit glorifikues dhe himnizues që ai i thur vendit të tij, Shqipërisë: “Shqipëria!/ Vend i bukur/ vend i lumtur/ plot kujtime/ plot magji/ Shqipëria!/ Je hyjnore, qiellore/ Paradis i dytë je ti/ etj.
Si këndohet Himni Kombëtar nga Neço Muko?
“Himni i Flamurit”, me muzikë të Porumbeskut dhe fjalë të Asdrenit, i kënduar nga Koço Çakalli ka një vlerë të veçantë për faktin se është ndoshta regjistrimi i tretë që bëhej në disk, pas dy të parëve bërë në ShBA më 1918 dhe 1923. Muzika e himnit që u soll nga Rumania më 1909 ishte thjesht himni i një shoqërie dhe nuk mendohej se një ditë do të kthehej në simbolin kombëtar të shqiptarëve. Por kur në prag të Pavarësisë lindi nevoja për një himn kombëtar ky himn u përhap në Shqipëri me një shpejtësi të jashtëzakonshme. Kori i Korçës e këndoi këtë himn në shpalljen e Pavarësisë në nëntor të 1912. Varianti “himarjot” i Himnit të Flamurit, kënduar nga Çakalli, me shumë pak ndryshime është po ajo melodi që përdoret sot. Është kjo e sotmja, në fakt, që ka pësuar disa adaptime melodike dhe harmonike bazuar në përvojat kompozicionale të arranzhuesve modernë. Sidoqoftë ai ekzekutim i bërë më 1930 ka bukurinë e vet sepse këndohet me nuancimet e këngës vendase himarjote, gjë që përçon çiltërsi e natyrshmëri, por dhe që e afron himnin me ato ndjesi që shijohen këngët vendçe.
Sa të rëndësishme janë sot këto regjistrime?
Në mungesë të gjuhës shqipe së shkruar, transmetimi gojor ka qenë ndoshta elementi më i fuqishëm jo vetëm i trashëgimisë sonë muzikore në shekuj, por edhe të eposit epik, mitologjisë, legjendave, poezisë lirike popullore e të tjera forma të trashëgimisë kulturore shqiptare. Transmetimi gojor është ngulitur kaq fort në shpirtin e popullit, sa dhe pas fillimit të përdorimit të shkrimit shqip, historitë gojore vazhduan të jenë tepër të fuqishme, mbase më të fuqishme se historitë e shkruara. Nuk ka dyshim se rrëfimet gojore luajnë rolin e tyre të pazëvendësueshëm, aq më tepër për faktin se e pakët është historia a shkruar prej shqiptarëve vetë. Mbase historia më me vlerë gojore e shqiptarëve është ajo e memorizuar në formën e vargjeve apo këngëve. Por kur rrëfimet marrin trajta të dukshme emocionale, kur fantazia e atij që tregon zhdërvjelltësohet drejt prirjeve jo rrallë edhe me kahe të kundërta. Kur këto rrëfime më vonë do të hidhen në letër, shtrembërimi i ngjarjeve plekset me emocionalitetin e rrëfyesit dhe më pas shkruesit të tyre. Për fat të mirë koha e Neços dhe aq më tepër veprimtaria e tij është pothuajse e tëra e dokumentuar, e botuar dhe e regjistruar në disqe, e pasqyruar në gazetat e kohës apo e treguar nga bashkë-këngëtarët e bashkëkombësit e tij në Himarë dhe tërë Bregdetin. Si e tillë, kjo është një trashëgimi që rrit së tepërmi vlerat e artit muzikor shqiptar dhe ka nevojë për një vëmendje shumë më të gjerë.

Këngëtarët e Himarës, disqe në Paris

Që nga koha e largimit në Angli, ato shirita, ishin përzierë diku mes materialesh të tjera, teksa prisnin që të “zgjoheshin” e të thoshin ca të vërteta. Është folur edhe më parë për të famshmin Neço Muko, këngëtorin nga Himara, por këtë herë dirigjenti dhe studiuesi Eno Koço, ka vendosur t’i marrë një për një këngët e tij e të thotë se ky bir Himare, jo vetëm që këndonte në shqip, por edhe më shumë dashuri për Shqipërinë madje. Sipas Koços, Neço Muko me grupin e tij të muzikës vendase himarjote, si dhe katër këngëtarë të tjerë lirikë e amatorë regjistruan në Paris më 1929 dhe 1930 këngë vendçe dhe të lehta, të cilat u emetuan në një seri disqesh të shoqërisë diskografike “Pathé”. Ngjarje sa e rastit aq dhe unikale dhe historike. “Vështrimi im mbi Neço Mukon dhe misionin e tij atdhetar është i mbështetur tërësisht mbi atë çfarë dëgjoj në këto disqe, por që, për fat të keq, disponoj vetëm një të katërtën e të gjithë serisë. Megjithatë, kjo sasi, mbulon pikat kyçe të krijimtarisë që Neçoja ka transmetuar nëpërmjet disqeve të tij”, - thotë Eno Koço. Teksa kthehet pas në kohë, ai tregon se në fillim të viteve ‘80, me iniciativën e Spiro Çakallit, filluam gjurmimin e këtyre regjistrimeve. Nja dy i gjetën në Himarë, të tjera i huazuan nga motra e Neços, Athina Muko, në Vlorë, ndërsa shumicën e gjetën në ruajtjen e Janko Palit në Qeparo fshat. Pllakat ishin të vjetra, gjysmë të thyera, shumica të gërvishtura keqas, por një pjesë, fatmirësisht, prodhonte tingull. “Vendosëm t’i regjistronim në Shtëpinë e Kulturës së Himarës. Solla një gramafon elektrik nga Tirana por duke qenë disi “i avancuar”, gjilpëra rrinte sipër e nuk futej sa duhej në thellësinë e zgavrave të rrathëve të diskut. Atëherë na u desh të huazonim përsëri nga Athinaja në Vlorë, këtë radhë një gramafon të vjetër, nga ata që kurdiseshin me dorën e djathtë, ku gjilpëra do të hynte më thellë në rrathët e diskut dhe rezultati do të ishte maksimumi i atij që mund të nxirrnim nga këto disqe dhe nga ky gramafon”, - thotë Koço. U dëshën të kalonin disa vite që t’u rikthehej sërish pllakave, tashmë të hedhura në shirita. Cilësia nuk është edhe aq e mirë, por sipas Koços, mjafton për të marrë informacionin e duhur.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›