Imami: Do të hapim tetë shkolla në Afganistan
Shqipëria do të ndërtojë 8 shkolla në Afganistan. Ministri i Mbrojtjes, Arben Imami, tha se qeveria shqiptare është angazhuar për ndërtimin e tetë shkollave dhe pritjen e 100 studentëve afganë. Në Ministerailin e NATO-s, zhvilluar në Bratislavë të Sllovakisë u diskutuan tri çështje kryesore si Afganistani, Mbrojtja Raketore dhe transformimi ushtarak. "Do të ngremë tetë shkolla dhe do të presim duke filluar nga viti 2010, 100 studentë afganë që do të përfitojnë bursë studimi në Shqipëri", tha ministri Imami. Ministri i Mbrojtjes mbajti fjalën e tij gjatë punimeve të Ministerialit, ku u shpreh se Shqipëria në kuadër të angazhimit në Afganistan do të vazhdojë të japë kontribute të vlerësueshme, duke mbajtur kompaninë e ushtarakëve që ka atje dhe do të shtojë edhe një skuadër me 20 mjekë. Imami tha se raporti dhe përvoja e këtyre viteve tregon se ka nevojë për një qasje më gjithëpërfshirëse në mënyrë që të zgjidhen problemet afatgjata.