E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bala: Në Krujë u treguam heronj, ne të parët për titullin

Nga ERJON SALIU

Besuam deri në fund dhe morëm tri pikët. Tashmë duhet të mundim Pogradecin dhe Flamurtarin. Prisni, ky është vetëm fillimi

Sulmuesi 20-vjeçar i Tiranës, Bekim Bala, ndihet i lumtur pas golit që shënoi në Krujë javën e shkuar, ku skuadra e tij në fund të ndeshjes mori një fitore me vlera. Sulmuesi shkodran, ashtu si edhe skuadra bardheblu, është përqendruar tashmë te dy ndeshjet e radhës, me Pogradecin dhe Flamurtarin, të cilat do të jenë mysafire në kryeqytet në javën e tretë dhe të katërt të kampionatit. Bala, në një prononcim për mediat, pas ndeshjes me rivalet e Kastriotit, tha:

E rëndësishme është që fituam dhe arritëm që të marrim tri pikë shumë të rëndësishme ndaj një rivali serioz. Ishte një nga transfertat më të vështira për ne. Tashmë po i bëjmë llogaritë ndryshe. Optimizmi është në shkallën maksimale dhe besojmë se shumë shpejt do të jemi në krye të klasifikimit. Tirana po rritet nga java në javë dhe unë jam i bindur që jemi skuadra më e mirë e këtij sezoni.

Vrapojmë 90 minuta, shënojmë, por dhurojmë edhe spektakël. Fitorja me Kastriotin ka qenë një detyrë për të gjithë ne, ajo që bëmë është heroizëm. Tashmë duhet të mendojmë për ndeshjen e radhës, atë me Pogradecin. Pavarësisht se kundërshtari është ngjitur këtë vit në kategorinë e më të mirëve, për ne nuk ka ekipe të dobëta dhe të forta. Të gjithë ekipet, kur hyjnë në garë, kanë shanse të barabarta.

Gjatë kësaj jave do të mendojmë edhe për ndeshjen e kupës me Himarën dhe më pas për Pogradecin. Besoj se në shtëpinë tonë nuk do të gabojëm më, ndaj fitoren me liqenorët e quaj thjesht një detyrë shtëpie, – pohoi sulmuesi 20 vjeçar, Bekim Bala.

Goli Bekim Bala e ka nisur mbarë këtë sezon. Kujtojmë që në ndeshjen e Superkupës, me golin që shënoi në Korçë, i dha trofeun skuadrës bardheblu afro një muaj më parë. Por edhe në ndeshjen e javës së parë me Teutën ai ishte mjaft problematik për mbrojtjen durrsake, edhe pse i vetëm në repartin ofensiv. Ndërsa në Krujë javën që shkoi ai shënoi golin shpresëdhënës të bardhebluve.

Forma ime po vjen në rritje. Kam deklaruar se ky do të jetë një sezon shumë më i mirë se ai që shkoi për Balën dhe Tiranën. E ndiej dhe vetë se po rritem nga java në javë. Goli në Krujë ishte vetëm fillimi, besoj se këtë vit do të jem në krye të listës së golashënuesve.

Rivalët Nuk dua të komentoj ecurinë e të tjerëve. Unë bëj vetëm llogaritë e mia dhe të Tiranës. Besoj se jemi në rrugë të mbarë. Duhet që të kishim fituar edhe me Teutën dhe sot të ishim ne në krye të renditjes, megjithatë nuk është fundi i botës. Më mirë që humbëm në fillim, që të mos gabojmë më në javët në vazhdim.

Gara është e gjatë dhe po e shohim se edhe skuadra që vjet kanë qenë më lartë se ne në renditje, po gabojnë. Ne duhet që ti vlerësojmë ndeshjet njëra pas tjetrës dhe të marrim maksimumin. Vetëm kështu do të realizojmë synimet që i kemi vënë vetes, – tha ndër të tjera sulmuesi shkodran Bekim Bala

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›