E Shtunë, 31 Tetor 2026

Imami: PS po cenon sigurinë kombëtare

Imami tha se blerja e armëve apo veprimtaritë e tjera të Shërbimit Informativ të Ushtrisë janë sekret shtetëror.

“Ministri i Mbrojtjes, po mbi bazën e ligjit, nuk ka të drejtë të pohojë ose të mohojë, pra të informojë publikun mbi kapacitetet e SHIU. Dokumentet që PS i ka botuar në gazetat e saj dhe që sot i ka bërë sërish publike deputeti Braçe, kanë siglën sekret. Vetëm ky akt përbën në thelb një cenim të sigurisë kombëtare, pa folur që mundësitë dhe mjetet ligjore për t’u informuar Partia Socialiste nuk i ka shteruar në këto muaj të një sulmi të paprinciptë personal mbi Ministrin e Mbrojtjes”, theksoi ai në një konferencë shtypi.

Ai shtoi se ky institucion shtrin veprimtarinë në përputhje me NATO-n, ndërsa blerja e pajisjeve nuk mund të bëhet në mënyrë publike. “Blerja e pajisjeve në fjalë është bërë mbi bazën e legjislacionit për blerjen e mallrave ushtarake. Lidhur me datën e kësaj blerje, Ministri i Mbrojtjes e ka firmosur procedurën e nisjes së blerjes më 19 janar mbas kërkesave operacionale të SHIU-t që datojnë shumë më herët, ndërsa blerja e tyre është bërë më vonë. Vetëm ato që e dinë se çdo të ndodhte dhe e organizuan  21 Janarin, mund të përgjigjen për këtë datë dhe ato janë në partinë e zotit Braçe”, shtoi ai.

Imami tha se trajtimi i papërgjegjshëm i çështjeve të sigurisë kombëtare dhe shndërrimi i tyre në pazare tregon se Partia Socialiste është e papërgatitur, e paaftë dhe e papërshtatshme për të drejtuar institucione të kësaj rëndësie kombëtare.  

Drejtori i Shërbimit Informativ Ushtarak, kolonel Ilir Balliu, theksoi se veprimtaria e institucionit të tij është në përputhje me ligjin. “Realizimi i këtij misioni detyron këtë institucion të operojë në mënyrë të paanshme politikisht. Nga ana tjetër që të realizojë misionin, gjithmonë në arritje të objektivave, në kuadrin e modernizimit të ushtrisë si një partner dinjitoz i Aleancës së NATO-s, ndjejmë të domosdoshme paisjen tekniko-speciale dhe tekniko-prezente në të gjitha ushtritë e Aleancës. Procedurat që ndjek SHIU për realizimin e këtyre blerjeve janë konform ligjit dhe sipas procedurave standarde të përcaktuara nga ligjet përkatëse. Prandaj dhe gjykoj që një instrument i tillë i një rëndësie kaq të madhe për një shtet duhet të mbështet nga i gjithë spektri politik”, tha ai.

I pyetur për dokumentet zyrtare nëse i janë dhënë Partisë Socialiste, apo ajo i ka marrë në burime të tjera, Imami tha se për këtë çështje do të hetohet. /S.Ll/Start/ 

                                                                                             2012-09-27 17:30
   

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›