E Shtunë, 31 Tetor 2026

Imami: Shqipëria kontribut në Libi pas konfliktit

TIRANË- Ministri i Mbrojtjes Arben Imami, i cili po merr pjesë në takimin e Ministrave të Mbrojtjes të vendeve anëtare të NATO-s, që po zhvillohet në Bruksel shprehu gadishmërinë e Shqipërisë për të kontribuar në periudhën pas konfliktit në Libi.

Imami deklaroi në Ministerialin e NATO-s se kontributi i Shqipërisë do të jetë në përputhje më kërkesat, që do të shfaqen në terren.

“Shqipëria nuk ka kapacitete ajrore, apo navale për të marrë pjesë në këtë operacion, që synon embargon e armëve dhe krijimin e zonës së ndalim- fluturimit. Por Shqipëria do të marrë pjesën e saj në ndarjen e kostove të fushatës ajrorë të NATO- s në Libi. Shqipëria angazhohet për të kontribuar në të ardhmen e afërt me çfarëdo lloj kontributi, që do të ketë nevojë terreni, apo teatri i zhvillimeve post Gadafi në Libi,”- theksoi Ministri shqiptar i Mbrotjes Arben Imami, në një intervistë për Deutsche Welle

Shqipëria u angazhua për të kontribuar në periudhën e tranzicionit, që do të vijë menjëherë pas largimit të Gadafit dhe përfundimit me sukses të fushatës ajrore të NATO-s për mbrojtjen e popullsinë civile në Libi.

Ky angazhim vjen pas gadishmërisë së Shqipërisë për të vënë në dispozicion të Aleancës Atlantike, gjatë kryerjes së operacionit ushtarak në Libi të gjitha lehtësirat aero- portuale të vendit.
(e.m/DW/BalkanWeb) Lidhje te tjera VIDEO: Imami: Shqipëria kontribut në Libi në fazën e post-konfliktit

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›