E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bashkitë e komunat asnjë vendim për motorët e ujit

09/06/2011  Roja bregdetare do të presë vendimet e shtabeve për të ndërhyrë

Sipas ligjit, skuterët dhe motorët e ujit jo më afër se 300 m nga vija

DURRES- Roja bregdetare ka vendosur të mbajë të pastër të gjithë hapësirën e vijës detare, e cila në sezon vere shkelet në mënyrë të qëllimtë nga pushues me mjete uji apo edhe pedalina. Kështu në fillim të kësaj jave efektivat e policisë së kufirit të ndihmuar nga mjete detare si motovedeta e skafe kanë përshkuar vijën bregdetare nga kufiri ndarës me bregdetin e Shëngjinit deri në derdhje të Shkumbinit. Drejtoria e Policisë së Kufirit dhe Migracionit në Durrës ka ndërmarrë një takim me kapitanerinë e porteve për të planifikuar kontrollet. Edhe pse nuk janë bërë të qarta shumë detaje pritet që këtë vit situata të jetë krejt tjetër nga vitet e kaluara sidomos në shmangien e detyruar të motorëve nga brezi ku lahen pushuesit. Dalja në det e motorëve të ujit me fuqi të lartë motorike ka bërë që mjetet lundruese të bëhen shqetësim për rojën bregdetare, si dhe për vet pushuesit, të cilët ndihen të kërcënuar nga këto mjete. Bashkitë e komunat që lagen nga deti ende nuk kanë një vendim lidhur me vendqëndrimet e skafeve dhe motorëve për të dalë në det. Dy të rinj, njëri 27 vjeç e tjetri 17 vjeç janë viktima të këtyre mjeteve, i pari tek Shkëmbi Kavajës dhe i dyti në sektorin Rinia. Në të dy rastet mjetet bënin guidë në mesin e pushuesve në një zonë tërësisht të ndaluar për këtë sport në ujë. Skafet e motorët e ujit duhet të jenë të pajisur me leje përkatëse dhe sipas drejtuesve të policisë kufitare asnjëri prej tyre nuk lejohet të afrohen më pranë se 300 m nga vija bregdetare dhe s’mund të shkojnë më larg se 1 milje në detit. Vit pas viti është kërkuar nga autoritetet përkatëse policore që bashkitë a komunat të caktojnë vendi për vendbazimin e skafeve e motorëve, por në asnjë rast nuk është respektuar një detyrim i tillë. Madje është folur edhe për gjoba, por përdoruesit e skuterëve dhe mjeteve të tjera argëtimi në det kanë qenë më të fuqishëm duke sfiduar policinë dhe rojën bregdetare. Burime policore bëjnë të ditur se këta persona kanë mundur të komprometojnë efektivat e patrullimit e kontrollit policor duke bërë që të gjitha kontrollet e vrojtimet në det të dalin të pasuksesshme. Në rast shkelje të kodeve të përcaktuara atëherë mjeti, pronari mjetit, ndëshkohet me gjobë që varion 80 mijë - 100 mijë deri në sekuestrim të plotë të mjetit. Shtabi do të presë fillimisht programin e bashkive e komunave dhe më pas do të ushtrojë funksionet e kontrollit në terren. Xh. Gradica

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›