Imami në SHBA/Detyrat e përbashkëta me amerikanët, prova si Shqipëria është faktor stabiliteti
Ministri i mbrojtjes, Arben Imami ndodhet në Uashington në Shtetet e Bashkuara, ku po zhvillon takime me zyrtarë të lartë për të diskutuar mbi çështje që kanë të bëjnë me transformimin e forcave te armatosura. Në një intervistë dhënë për Zërin e Amerikës, ministri Imami tha se si vend i ri anëtar i aleancës, shqipëria përballet me disa sfida në transformimin e ushtrisë së saj. “Ne këtë vit jemi përfshirë në ridislokimin e të gjithë forcës sonë të armatosur, në organizimin e saj, në reformën e shërbimit të inteligjencës ushtarake, në reformën e ministrisë së mbrojtjes dhe të Shtabit të Përgjithshëm. Ne konsiderohemi si vend i rëndësishëm në NATO sepse së pari vendimet merren nga të gjithë anëtarët me konsensus. Së dyti, çdo vend ka rëndësinë që ai i jep vetes së tij edhe mbi bazën e kapaciteteve të ka. Atëherë kur duhet, fjala e Shqipërisë ka vendin e saj të rëndësishëm”, thotë ministri i Mbrojtjes, Imami.
Zoti Imami zhvilloi një takim me çak Heigëll, shef i këshillit për inteligjencën e huaj në administratën e presidentit Obama. Heigëll e cilësoi pjesëmarrjen e shqipërisë në NATO një kontribut në përpjekjet për paqen dhe stabilitetin në rajon. “Mendoj se të gjitha vendet anëtare të NATO-s janë shumë të kënaqura që Shqipëria është pjesë e Aleancës, ashtu si edhe vendet e tjera që janë anëtarësuar vitet e fundit. Kjo vërtet përfaqëson një stabilitet dhe siguri të cilën nuk e kemi parë më parë. Shqipëria do të luajë një rol shumë të rëndësishëm në një kohë që gjen vendin e saj në Nato. Aftësitë e saj do të rriten. Ajo do të gjejë rrugë të reja për të marrë pjesë. Shqipëria po merr pjesë në një sërë detyrash bashkë me Shtetet e Bashkuara, dhe Afganistani është vetëm një prej tyre”, thotë çak Heigëll
Ministri Imami zhvilloi edhe një vizitë në bazën e NATO-s në shtetin e Virxhinias, e cila ndjek nga afër transformimin e forcave të armatosura të Shqipërisë.
...