E Diel, 1 Nëntor 2026

Ish-presidenti Klinton, në krye të ofensivës për njohjen e pavarësisë së Kosovës, nga shtetet e kontinentit amerikan

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë nisur një ofensivë diplomatike për njohjen e Kosovës, në të cilën është përfshirë edhe ish-presidenti amerikan, Bill Clinton. Siç raporton agjencia e lajmeve FoNet, duke u mbështetur në burimet diplomatike, një sektor i tërë i Departamentit të Shtetit të SHBA-ve i ngarkuar me çështjen e Kosovës, gjendet në kryeqytetin e Perusë, Lima, ku ka nisur sesioni i Asamblesë së Përgjithshme të Organizatës së Shteteve të Amerikës (OAS). “Në Lima mëngjesin e së hënës ka arritur edhe ish-presidenti amerikan Bill Clinton, i cili, siç thonë burimet diplomatike, është përfshirë drejtpërdrejt në lobim për njohjet e reja të Kosovës”, raporton FoNet. Ish presidenti Clinton është i dërguar i posaçëm i SHBA-ve për Haitin, dhe në këtë cilësi ai ka kohë që merr pjesë në takimet e OAS-së dhe konferencat e ndryshme të kontinentit amerikan. Kjo agjenci, më tutje, shton se në Limë gjendet edhe një delegacion nga Kosova, i kryesuar nga zëvendësministrja e Jashtme e Kosovës, Vlora çitaku. Sipas burimeve të paemëruara diplomatike që citon kjo agjenci, delegacioni i Kosovës nuk ka qasje në sesionin e Asamblesë së Përgjithshme të OAS-it, por me ndihmën e amerikanëve dhe të përfaqësuesve të disa shteteve të tjera, megjithatë është duke mbajtur takime me palë të ndryshme pjesëmarrësve në këtë konferencë. Delegacioni i Kosovës qëndron në Limë me rekomandimin e SHBA-ve dhe me përkrahjen logjistike të Perusë, që është një nga vendet e Amerikës Jugore që e ka njohur pavarësinë e Kosovës. Në takimin e Limës merr pjesë edhe ministri i Jashtëm serb, Vuk Jeremiq, i cili i ka thënë FoNetit se Serbia po përballet “me një sfidë të madhe, meqë shtete kaq të mëdha, me nivel kaq të lartë, po lobojnë për pavarësinë e Kosovës”, duke iu referuar prezencës amerikane në Limë dhe ardhjes së ish-presidentit Clinton. Jeremiq tha se Serbia po përpiqet të parandalojë ndryshimin e qëndrimit të shteteve që nuk e kanë njohur Kosovën. Sipas FoNetit, burimet diplomatike kanë “shprehur habinë” pse në takimin e Limës delegacioni i SHBA-ve përbëhet nga njerëz që janë të ngarkuar me çështjet e Kosovës, marrë parasysh që OAS-i është organizëm që merret kryesisht me problemet e shteteve të kontinentit amerikan. Sipas raporteve, lobimi për njohjen e Kosovës është i përqendruar tek vendet e Karaibeve, ndërsa thuhet se pritet që pas takimit në Lima, ish-presidenti Clinton të vizitojë disa prej vendeve të Karaibeve dhe të Amerikës Qendrore. Kjo, shton FoNet, po interpretohet si lobim për njohjen e Kosovës nga këto vende në prag të publikimit të opinionit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, që është thënë se do të ndodhë më 22 korrik.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›