Ministri i Brendshëm Basha, kritika Bashkisë së Tiranës: Urgjent zgjidhja e problemit të trafikut, në të kundërt do ndërhyjë qeveria qendrore

Ministri i Brendshëm Lulzim Basha mbledh në një takim 73 drejtuesit e njësive vendore në Shqipëri. Ministri Basha kërkoi nga drejtuesit vendorë, që të zbatojnë në kohën e duhur projektin për sistemin e adresave. Këto detyra të ngarkuara nga ministri i Brendshëm, vlejnë për plot 220 njësi vendore, për një bashkëpunim më eficent me qeverinë qendrore, për ndërtimin e Shqipërisë evropiane. Basha u ndal dhe te situata kaotike e trafikut në Tiranë
Ministri i Brendshëm Lulzim Basha i bëri apel njësive vendore më të ngadalta në zbatimin e projektit për sistemin e adresave që të realizojnë në kohë detyrat e përcaktuara. “Vendimet për emërtimet e rrugëve dhe pjesëve të tjera publike të territorit duhet të përfundojnë jo më vonë se fundi i muajit qershor 2010. Ministria e Brendshme e konsideron të papranueshme që përfundimi i kësaj detyre mbahet peng nga mungesa e vendimmarrjeve në këshillat tuaj për rrugët akoma të paemërtuara. Kjo situatë është akoma më e papranueshme dhe e patolerueshme në njësitë ku puna ka disa muaj që ka përfunduar. I bëj thirrje sensit të ndërtimit së bashku të bashkëpunimit të një të ardhmeje europiane për Shqipërinë, për të cilën jemi angazhuar pavarësisht nga ngjyrat tona politike që me vendimmarrjet tona të përbashkëta dhe me bashkëpunimin tonë në nivel qendror dhe vendor ta përmbyllim edhe këtë fazë kaq të rëndësishme të implementimit të sistemit të adresave. Këtë apel Ministri Basha e bëri gjatë takimit me krerët e 73 njësive vendore, bashki e komuna, të cilat janë tashmë në fazën e emërtimit të rrugëve dhe ende nuk kanë marrë vendime në këshillat bashkiakë dhe komunalë për këtë çështje. Këto njësi me ecuri më të ngadaltë në projekt, janë pjesë e grupit të parë, të dytë e të tretë të projektit, grupe në të cilat janë rreth 220 njësi vendore, që në tërësi mbulojnë një territor ku banojnë rreth 3.8 milion qytetarë, pra pjesa më e madhe e popullsisë, ndërkohë për njësitë vendore të grupit të katërt dhe të pestë u la detyrë nga ministri Basha që të përfundojnë emërtimin e rrugëve dhe pjesëve të tjera të territorit publik brenda muajit korrik 2010. Duke garantuar se nuk do të kursehet asnjë përpjekje, asnjë resurs për të përfunduar këtë projekt brenda kohës së caktuar, ministri Basha u shpreh ky projekt e zhvendos Shqipërinë nga orbita e një vendi me mekanizma të botës së tretë në një vend që ka infrastrukturë moderne, bashkëkohore, të nivelit më të lartë teknologjik sot të gjendshëm në vendet anëtare të Bashkimit Europian. “Regjistrin elektronik e përfunduam, pajisja e qytetarëve me dokumentat e identitetit po ecën në mënyrë optimale, me shifrat më të larta në rajon, mbetet që çdo qytetar në mënyrë elektronike të ketë “shtëpinë e tij dixhitale” në regjistrin elektronik të adresave të Republikës së Shqipërisë” -u shpreh Basha. Ministri i Brendshëm Basha u tërhoqi vëmendjen dhe kërkoi bashkëpunimin e drejtuesve vendorë edhe për të marrë masat e nevojshme gjatë sezonit turistik, për të mundësuar një kontroll sa më të plotë të territorit, një menaxhim sa më të mirë të itenerarit të rrugëve kombëtare, rajonale dhe lokale dhe një përpjekje sa më të koordinuar për shpalosur në mënyrën më bindëse dhe më të plotë mikpritjen ndaj turistëve rajonalë, të huaj apo dhe vendas. Duke nënvizuar faktin se gjatë sezonit turistik do të paraqiten vëshirësi në veçanti në menaxhimin e trafikut rrugor, ministri Basha u ndal në situatën e trafikut në kryeqytet të cilën e cilësoi të papranueshme. “Si ministër i Brendshëm respektoj plotësisht kompetencat ligjore që ka Bashkia e Tiranës dhe Kryetari i Bashkisë së Tiranës për të vendosur dhe drejtuar kahjet, drejtimet, sinjalistikën e qytetit dhe çdo pjese të territorit që ai administron. Por çfarë duhet të presim? Duhet të presim që qytetarët e frustruar të marrin fatin në dorën e tyre dhe të zhbëjnë ligjin, rendin, sepse si rezultat i vendimeve të pastudiuara trafiku është në kolaps të plotë? Dhe bashkë me të konseguenca të papërballueshme për xhepin e qytetarit, për karburantin, për stresin që shkaktohet për humbjen e orëve të tëra në trafik, për ambjentin? Prandaj kërkohet një përgjegjësi më e lartë nga ana juaj për të menaxhuar sipas ligjit dhe në interesin më të mirë të qytetarëve situatat, në veçanti në prag të sezonit turistik. Ju siguroj dhe gjej rastin të siguroj dhe autoritetet e Bashkisë së Tiranës, se siç ka qenë Policia Rrugore do të vazhdojë të mbetet në dispozicion. Por mos t’i marrë për shërbyes të cilët kanë për detyrë të pastrojnë rrëmujën që shkakton si një fëmijë i vogël, përdorimi me papërgjegjshmëri i kompetencave nga zyrtarët e Bashkisë së Tiranës. Të bashkëpunojnë në mënyrë të plotë dhe në interes të qytetarëve duke i paraprirë skemave të dështuara. Në të kundërt, i siguroj ata, siç ju siguroj edhe ju, që qeveria qendrore, Ministria e Brendshme, Policia e Shtetit, nuk do të rrinë më duarkryq dhe ta lënë çështjen të kalojë në një konflikt të hapur mes qytetarëve dhe të zgjedhurve vendorë. Shpresoj që puna mos të vijë deri këtu. Në të kundërt ne do të veprojmë për të zhbllokuar këtë situatë të papranueshme, tërësisht joeuropiane, të paqytetëruar dhe me efekte negative për imazhin dhe për realitetin e sezonit turistik, të cilin e presim me shumë kënaqësi të fillojë në Tiranë dhe kudo tjetër në Shqipëri.
...