Presidenti Topi flet për ndryshimin e rregullores për dekretet: Respektoj çdo vendim të Kuvendit për një proces më transparent

Kreu i shtetit, Bamir Topi është shprehur sot se vendimi i Kuvendit, për të ndryshuar rregulloren për dekretet, është vendim i pranueshëm, për të konfirmuar një proces më transparent. Topi tha se respekton vendimet e Kuvendit lidhur me votimin e tre anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese dhe se të njëjtin qëndrim do mbajë dhe në votimin e anëtarëve për Gjykatën e Lartë. Presidenti pohoi se kandidaturat e paraqitura për anëtarë të Gjykatës së Lartë dhe Gjykatës Kushtetuese kanë ardhur pas një përzgjedhje të kujdesshme, sipas kërkesave të ligjit dhe aftësive të tyre personale. “Kam një eksperiencë të gjatë parlamentare dhe jamë përkrahës i ndarjes në mënyrë të qartë të kompetencave të pushteteve të ndryshme në Shqipëri. Nëse i referohemi Kushtetutës, presidenti në rastin e dekreteve i paraqet në mënyrë zyrtare Kuvendit kandidaturat në rastin konkret për Gjykatën e Lartë dhe Gjykatën Kushtetuese. Kjo është e drejte e Presidentit, dhe jo e imja personale, komptencë që e kam bërë publike nërpëmjet një procesi transparent”- deklaroi Topi. Kreu i shtetit tha se nuk duhet frikësuar nga bërja transparent e procesit dhe shtoi se do respektojë çdo vendim të marrë nga Kuvendi. “Nuk duhet të frikësohemi nëse ka tentativa për ta bërë procesin më transparent. Fola vetëm për intitucionin që unë mbuloj. I takon institucioneve të tjera të marrin të gjitha vendimet që janë në kompetencë të tyre. Nuk bëj komente për kompetencë që s’është e imja. Respektoj çdo vendim që vjen nga Kuvendi”- u shpreh më tej, kreu i shtetit, Bamir Topi.
...