E Diel, 1 Nëntor 2026

Imami reagon për akuzat. Braçe: Bëhu trim dhe trego kujt i është shitur Palasa dhe Karaburuni

Share

Ministri i Mbrojtjes, Arben Imami, ka reaguar në lidhje me akuzat e bëra nga deputeti socialist, Erion Braçe, për shitjen e pronave të ushtrisë dhe pjesëve që ka në bregdet, tek biznesmenë të qeverisë.

Sekretari i përgjithshëm kësaj ministrie, Edvin Kulluri, tha se akuzat janë të pabaza. Sipas tij:

Ish-Shkolla e Bashkuar është dhe do të mbetet në Planin e Përhapjes të Forcave të Armatosura, për më tepër që në kuadër të 100-vjetorit të krijimit të shtetit shqiptar, po investohet për rikonstruksionin e sheshit të këtij kompleksi, ndërtimin e Muzeut dhe të Arkivit të Forcave të Armatosura;

Spitali Ushtarak është dhe do të mbetet në Planin e Përhapjes të FA;

Baza e Bishtit të Pallës është dhe do të mbetet në Planin e Përhapjes së FA;

Ish Shkolla e Marinës në Vlorë, e cila nuk përdorej dhe ka qenë jashtë Planit të Përhapjes, i është dhënë në përdorim për shtatë vjet Universitetit të Vlorës Ismail Qemali;

Për tunelin e Porto Palermos ka një kërkesë nga Ministria e Kulturës, Turizmit Rinisë dhe Sporteve, e cila është duke u shqyrtuar, për ta kthyer atë në muze të Luftës së Ftohtë, ku do të sistemohet edhe nëndetësja që është në administrim të MTKRS.

Por, menjëherë ka reaguar Braçe, që ka kërkuar nga Imami të bëhet burrë dhe të tregojë se kujt ia ka shitur Palasën dhe kujt po ia shet Karaburunin.

Më thonë se Ministri Imami sapo ka nxjerrë një nga nëpunësit politikë të ministrisë të thotë:

-Spitalin Ushtarak do ta mbajmë dhe nuk është e vërtetë që do ta japin!

Ministri gënjen për disa arsye:

E para- sepse ka qene vete Imami që dje në mbledhje të Komisionit të Sigurisë ka argumentuar gjatë se përse duhet lëshuar Spitali Ushtarak, veçmas qendra e Traumës, e cila sipas tij paska shpenzime të shumta të papërballueshme! Epo Qendra e Traumës është thelbi i atij spitali. E dyta- sepse më shumë se gjysma e Spitalit Ushtarak është dhënë me qera më parë dhe pa kontratë fare, por pavarësisht kësaj territori i spitalit rrëmbehet çdo dite nga biznesi privat brenda në spital- i fundit është një superparking për spitalin privat brenda Spitalit Ushtarak. E treta- sepse është vetë ministri Imami që ka paralajmëruar zhvendosjen e spitalit në Zall Herr!

-Shkollën e Bashkuar do ta mbajmë dhe nuk është e vërtetë që do ta japim!

Ministri gënjen përsëri për disa arsye:

E para- sepse ka qenë vetë Imami që dje në mbledhjen e Komisionit të Sigurisë u ka treguar deputetëve për një kërkesë të kryetarit të Bashkisë Tiranë për pjesën më të madhe të territorit të Shkollës së Bashkuar!

E dyta- sepse në Planin Rregullues të Tiranës, paraqitur nga Lulzim Basha, territori i Shkollës së Bashkuar është tërësisht i tjetërsuar në planifikim, pra larg nga administrimi i Ministrisë së Mbrojtjes!

-Bisht Pallën do ta mbajmë dhe nuk është e vërtetë që do ta japim!

Ministri gënjen përsëri për disa arsye:

E para- sepse ekziston e qartë një liste ku komanda e Bisht Pallës, diku më shumë se 4500 metra është listuar si pronë që duhet të shkojë në privatizim.

E dyta- sepse ekzistojnë dokumente të qartë, por edhe dëshmitarë të gjallë që dëshmojnë për një riorganizim të distrikteve detare, që nuk e përfshijnë më Bisht Pallën.

Po më thonë që për Shkollën e Marinës në Vlorë gënjeshtra është edhe më e madhe: thuhet që i është dhënë universitetit të Vlorës! Në fakt ajo ruhet me ushtarë! Universitetit i është dhënë një sipërfaqe e vogël dhe jo e tërë shkolla që do nxirret tani në shitje, shprehet deputeti socialist.

Sipas Braçes, Imami nuk ka thënë gjë mbi të gjitha për shitjet marramendëse në Karaburun dhe Palasë.

Ministër, bëhu trim dhe thuaj se kujt i është shitur Palasa dhe kujt po i shitet Karaburuni?

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›