E Shtunë, 31 Tetor 2026

Socialistët sfidojnë PD: Ja propozimet tona për heqjen e imuniteteve

Share

Paralelisht me votimin në parlament të neneve të Kodit të ri Zgjedhor, mbi 50 deputetë socialistë kanë hedhur firmat e tyre për në një draft me propozime lidhur me nismën ligjore për ndryshimet kushtetuese që kanë të bëjnë me imunitetet.

Top Channel ka mundur të sigurojë draftin e këtyre propozimeve që shprehin një qëndrim të ndryshëm nga projekt/ligji depozituar nga demokratët në Sekretariatin e Kuvendit.

Socialistët me propozimin e tyre i hapin rrugë të lirë hetimit për çdo vepër penale kryer nga deputetët pa marrë asnjë lloj autorizimi sikurse çdo lloj hetimi apo përgjimi të zhvillohet konform Kodit të Procedurës Penale në rastet kur ka indicie apo dyshim ndaj politikanëve.

Në draftin e socialistëve propozohet marrja në mbrojtje e deputetëve vetëm në ato raste kur janë duke ushtruar detyrën si përfaqësues të popullit, kur shprehin opinionet dhe votën e tyre. Ne rast se kërkohet arrestimi, ai duhet të kryhet me lejen e Kuvendit me përjashtim të rasteve kur deputeti kapet në krim e sipër apo menjëherë sapo ka konsumuar kryerjen e krimit.

Hartuesit e këtyre propozimeve e shikojnë këtë nen si garanci për opozitën e sotme, përfshi atë të së ardhmes për tu mbrojtur nga sulmet hakmarrëse të motivuara politikisht ndaj deputetëve kritike me qeverinë.

Propozimet e PS-së që lidhen me imunitetin e gjyqtarëve parashikojnë të drejtën e imunitetit nga cilido gjyqtar për vendimet dhe opinionet që ata shprehin gjatë kryerjes së detyrës, duke i zhveshur nga çdo lloj imuniteti tjetër.

Drafti i dytë firmosur nga deputetët socialistë lidhet me luftën ndaj korrupsionit për të cilën në një intervistë për Top Channel ambasadori BE-së Ettore Sequi u shpreh se “vetëm heqja e imunitetit nuk mjafton, duhet luftuar kultura e korrupsionit”.

Duke qenë në një gjatësi vale me kryediplomatin e BE-së, socialistët për të arritur një luftë efektive ndaj korrupsionit kërkojnë ndryshime kushtetuese që do të rrisin pavarësinë, eficencën dhe përgjegjshmërinë e institucioneve kushtetuese.

Në shërbim të kësaj socialistët propozojnë që emërimi i Prokurorit të Përgjithshëm, emërimet e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese dhe asaj të Lartë përfshi anëtarët e KLD-së të votohen me 3/5-at e votave në Kuvend.

Ky nen i propozuar shihet nga ekspertët ligjor të PS-së si dhënia fund e praktikave të deritanishme për këto emërime të realizuara me vetëm pëlqimin e një krahu politik.

Sikurse i hap dritën jeshile daljes nga ngërçi krijuar me zëvendësimin e vendeve vakante në Gjykatën e Lartë dhe qëndrimin në detyrë të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese aktualisht me mandat të përfunduar.

***

Duke folur për debatet politike që ka ngjallur heqja e imunitetit të zyrtarëve të lartë, ambasadori Arvizu i është bashkuar shqetësimit të opozitës se ndryshimet kushtetuese për imunitetet mund të përdoren për hakmarrje politike.

Zoti Arvizu ka inkurajuar shtimin e debateve publike për këtë çështje, njëkohësisht theksoi nevojën e bërjes kujdes me hapat që do të ndërmerren, sikurse la të kuptohet se nuk duhet humbur kohë.

Mendoj se nuk është e shëndetshme për demokracinë, që legjislacioni për heqjen e imuniteteve të përdoret si një kërcënim. Ky është një shqetësim specifik që unë kam dhe  shpresoj që është diçka që do të adresohet./TCH

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›