Vetoja e Kinës dhe Rusisë për Sirinë zemëron Perëndimin
Rusia e Kina kanë vendosur veton ndaj një rezolute të Këshillit të Sigurimit të OKB, që parashikonte sanksione të mëtejshme ndaj Sirisë, duke sjellë zemërimin e vendeve perëndimore.
Sipas BBC, Britania e Madhe, SHBA dhe Franca thanë se Kina e Siria po mbrojnë një regjim brutal.
Trupat siriane nga ana tjetër janë mobilizuar për të larguar rebelët nga pjesë të kryeqytetit, pasi një bombë vrau tre zyrtarë të lartë të mbrojtjes.
Televizioni shtetëror ka transmetuar për herë të parë imazhet e presidentit Aasad që pas sulmit, duke qëndruar në krah të ministrit të ri të Mbrojtjes.
Në pamje shihet gjenerali Fahd Jassim Al Furayj, shef i forcave të armatosura, duke u betuar për detyrën e re. Nuk është e qartë se ku u zhvillua takimi.
Rusia e Kina e kanë përdorur dy herë veton e tyre për Sirinë. Sekretari i Jashtëm i Britanisë së Madhe, William Hague, tha se veprimet e tyre janë të pafalshme.
Ata i kanë kthyer shpinën popullit të Sirisë në ditën më të zezë, tha Hague.
Rezoluta parashikonte sanksione të ashpra joushtarake në rast se Siria nuk largon trupat dhe armët e rënda nga zonat e populluara.
Por rezoluta citonte kapitullin shtatë të Kartës së OKB. Pikërisht citimi i kësaj Karte acaroi Moskën. Ata thanë se kjo do i hapë rrugë ndërhyrjes së jashtme ushtarake në Siri.
Ambasadorja amerikane në OKB tha se çdo sugjerim se do ketë ndërhyrje ushtarake është paranojak.