E Shtunë, 31 Tetor 2026

Imami, skandal me strukturën e Forcave të Armatosura

Ministri Arben Imami shënon një tjetër skandal në drejtimin e Ministrisë së Mbrojtjes. Ai ka hartuar strukturën e re te Forcave të Armatosura në mungesë të dokumentit strategjik, siç e kërkon një vend anëtar i NATO-s.

Sipas opozitës, në 5 vjet janë hartuar katër struktura dhe kjo është bërë vetëm për të vendosur në poste kyçe njerëzit e duhur për të shitur pronat e ushtrisë. Këtë e ka denoncuar në seancën e 24 majit në Kuvend deputeti socialist Pirro Lutaj.

Ju po paraqisni një strukture të përpiluar me një grup pune të ngritur për tjetër gjë. Në bazë të urdhrit të mësipërm, pra atij të paligjshëm të nxjerrë nga shefi i shtabit, i cili nuk ka zgjidhur asgjë përveçse ka përcaktuar në mënyrë shumë korrekte objektet ushtarake dhe asetet e rëndësishme të ushtrisë që do të lirohen dhe davariten tek të preferuarit e pushtetit. Përndryshe është shumë e vështirë të kuptosh ngutjen tuaj për paraqitjen e strukturës së re të Forcave të Armatosura pa përfunduar rishikimi i strategjisë së mbrojtjes.

Rasti konkret i emërimit të paligjshëm ishte ai i Ferdinand Kreshpanit në Forcat Detare, i cili siç Vizion Plus publikoi me dokumentet përkatëse, u shpërblye për shitjen e dyshimte të tre nëndetëseve në Pashaliman. Por nuk mbaron këtu. Vetë Imami dhe vartësit e tij kryesore kanë pasur qëndrime të ndryshme për çështjen e strukturës. Në interpelancën e 24 majit në Kuvend ministri Imami pohoi se prej një viti e gjysme dikasteri i tij po hartonte strukturën e re.

Në fakt, disa muaj para kësaj deklarate, në një seance dëgjimore ne komisionin e sigurisë, zëvendës shefi i shtabit të përgjithshëm të ushtrisë, Sander Lleshi pohoi në prezencë të Imamit se nuk kishte plan për një strukturë të re, siç e vërteton edhe ky proces verbal i datës 29 shtator 2011. E gjithë kjo ndodh kur në Ministrinë e Mbrojtjes mungon dokumenti strategjik, i cili vazhdon të mungojë ndonëse kanë kaluar 4 vjet nga anëtarësimi në NATO.

Ministrisë së Mbrojtjes i mungon gjithashtu edhe paketa ligjore për funksionimin e saj, fakt të cilin e ka pranuar edhe vetë Imami, por që është justifikuar se ajo do të finalizohet në pak muaj.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›