Majko: Shqipëria drejtohet tani nga një njeri i vetëm
Ish-kryetari i Forumit Eurosocialist Shqiptar, Pandeli Majko, është rikthyer mes të rinjve socialistë, të cilët po pushojnë në grup, në rivierën shqiptare.
Çështjet politike të ditës, veçanërisht pas shkarkimit të drejtorit të Shërbimit Informativ Shtetëror kanë qenë tema kryesore të bisedës me ish-kryeministrin Pandeli Majko. Për zotin Majko, ky është një sinjal shqetësues për shoqërinë shqiptare, që sipas tij po drejtohet nga një individ i vetëm, kryeministri Sali Berisha.
SHISH ishte institucioni i fundit, drejtuesi i të cilit nuk ishte ndryshuar nga viti 2005. Me dekretimin nga Presidenti i Republikës të ish-zëvendësit të Gazidedes, para vitit 97, ne kemi një histori shtetërore, që nga maja deri në fund, është kthyer në një institucion monokratik, nën urdhrat e një njeriu. Ne themi që kemi një Republike Parlamentare, kemi një President, kemi një Gjykatë Kushtetuese, kemi Gjykatë të Lartë, që kemi institucione të pavarura, por në terma konkretë, për fat të keq, edhe me veprimin e sotëm, ne duhet t’i themi vetes që ky vend është nën urdhrat e një njeriu. Nën urdhrat e një njeriu, i cili, në fakt, nuk është duke bërë një gabim. Sepse, në disa raste, gabimi vjen nga padija, në disa raste gabimi vjen nga interesa te caktuara politike, por për rastin e kryeministrit aktual, kjo është një histori e përsëritur. Një histori e përsëritur nuk mund të jetë gabim, tha Majko.
Me këtë argument zoti Majko trajtoi para të rinjve socialistë edhe çështjen e imunitetit, të cilën sipas tij maxhoranca po e kërkon me forcë sepse ka nën varësi të gjitha hallkat e rëndësishme të shtetit.
Ajo që duhet të na shqetësojë më shumë është, ore po ç’janë këta qeveritarë që nuk kanë frikë? Sepse realisht, sot çjerrja më e madhe për këtë çështje është nga qeveritaret që thonë se s’kemi frikë, hajde na hetoni! Problemi është shumë i thjeshtë, sepse sot jetojmë në një vend ku gjykatësit, prokurorët, sot edhe kryetarin e SHISH-it, edhe Presidentin, para disa javësh, i emëron një parti, tha Majko./TCH