E Hënë, 2 Nëntor 2026

Imazhi i universiteteve shqiptare, imazhi i të ardhmes sonë!

E ardhmja e një vendi dhe një kombi, varet padyshim nga mirëarsimimi i brezave të tij. Jo vetëm kaq, por arsimi, është baza e një shoqërie demokratike, e cila synon të bëhet edhe pjesë e strukturave më të mëdha siç mund të jenë në kohën tonë BE dhe NATO. Shqipëria, sëbashku me fqinjët e saj, Maqedoninë, Kosovën, Malin e Zi etj, kanë ende për të bërë në këtë drejtim, duke patur parasysh nivelin e lartë të arsimimit të BE apo në Shtetet e Bashkuara. Pas viteve 90 të shekullit të kaluar, banorët e këtij rajoni dhe sidomos shqiptarët, preferuan të “emigronin” nëpër vende të tjera qoftë Ballkanike qoftë të BE-së, apo në Turqi për të vazhduar shkollimin e lartë. Ndonëse e njohur si një nga zonat me larminë më të madhe kulturore, fetare por edhe gjuhësore (ku njerëzit e thjeshtë dinë të paktën dy gjuhë) mund të themi se Ballkani, dhe specifikisht hapësira shqiptare mbetet larg vlerave dhe modeleve të arsimit të lartë që duhet të jetë. Duke folur nga eksperienca personale, si një i diplomuar nga një akademi e Tiranës, por edhe si një student aktual i Universitetit Shtetëror të Tetovës, mund të them me bindje se universitetet shqiptare, kanë nevojë të promovohen, të njihen, të vlerësohen dhe me këtë do t`i bënin mirë jo vetëm vetes së tyre dhe imazhit të tyre, por mbi të gjitha vendeve ku ndodhen (Shqipëri, Kosovë, Maqedoni) dhe po ashtu edhe ne, studentëve të diplomuar nga këto shkolla. Mendoj se universitetet shqiptare, megjithë mangësitë që kanë, nuk janë pas për nga mësimdhënia krahasuar me universitete të tjerë të rajonit. Sigurisht duhet bërë më shumë punë për të arritur kualietin e Turqisë, Italisë, Greqisë apo Sllovenisë. Këto janë vendet më të afërta për nga niveli, pasi Gjermania, Franca, Britania e Madhe apo më larg SHBA, janë vite përpara në arsimin e lartë. Por le t`i kthehemi problemit tonë. Në rajonin e Ballkanit, ka një paragjykim të tmerrshëm dhe të gabuar për shkollat shqiptare. Skandalet e herëpashershme, falsifikimet, ngjarjet e bujshme etj, nuk kanë bërë tjetër veçse kanë çuar ujë në mullirin e atyre që nuk i duan shqiptarët, duke na treguar si një dele të zezë. Nisem nga eksperienca ime si në Akademinë e Policisë në Tiranë, ashtu edhe në Universitetin Shtetëror të Tetovës, për të thënë se ne duhet të bëjmë më shumë në promovimin e vlerave tona të mira. Duhet të mblidhemi dhe të punojmë që imazhi i përbaltur i institucioneve që përgatisin elitën e nesërme, të mos errësojë të ardhmen e këtyre elitave dhe rrjedhimisht edhe të ardhmen e vendeve ku jetojmë. Shqiptarët kanë halle të ndryshme në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni apo Mal të Zi. Por ata s`mund t`i zgjidhin këto halle pa u përgatitur nga ana arsimore-intelektuale. Ky ishte edhe pretendimi para Marrveshjes së Ohrit, ku shteti maqedonas thoshte se “shqiptarët nuk janë të përgatitur nga ana intelektuale, ose vetëm një pjesë shumë e vogël e tyre janë të tillë”. Universitetet mbeten tempuj të shenjtë, ku të rinjtë, vendosin si do ta ndërtojnë jetën e tyre dhe të vendeve dhe popujve të tyre. Prandaj mendoj se në hapësirën shqiptare, duhet të nisë një valë lidhjesh akademike, jo të bazuara në nacionalizmin e pabazë dhe të verbër, as edhe në ide mashtruese dhe të paqena siç e trajtojnë qarqet që nuk i duan shqiptarët, “Shqipërinë e Madhe”, por të bazuara në shkëmbimin e dijeve, eksperiencave, kulturës, metodave dhe vlerave më të mira që mbart çdo universitet. Prandaj, do të dëshiroja që edhe universiteti ku unë sëfundi po studioj duke i dhënë 4 vjet të jetës sime, duke bërë mijëra kilometra nga Tirana në Tetovë, të marrë vendin që i takon në arenën e arsimit shqiptar. Do të kem kënaqësi që në CV-në time, përveç diplomës së marrë në Tiranë, do të kem edhe një diplomë të marrë jashtë Shqipërisë, por mbi të gjitha nga një universitet shqiptar. Nisur nga eksperienca, do t`i ftoja edhe shumë nga kolegët e mi në Shqipëri, të shikonin mundësinë e studimeve universitare apo pas- universitare në universitetet shqiptare në Prishtinë apo në Tetovë. Kjo do të rritë lidhjet mes shqiptarëve, do të bëjë që ata të njohin më mirë dhe më shumë hallet dhe problemet e njëri tjetrit. Kjo do të bëjë që kjo zonë të integrohet, dhe ne, shqiptarët, të mos jemi më “as delja e zezë e Ballkanit” siç na quajnë, e as ata problematikët, mes të cilëve duhet të hyjë të huajt për tu zgjidhur problemet dhe për t`i pajtuar. Unë dhe shumë kolegë të mij, që aktualisht punojnë edhe në instanca të tjera të shtetit shqiptar, janë të gatshëm të punojnë në këtë drejtim. Por iniciativa mbetet në dorën e akademikëve dhe profesorëve shqiptarë!

engjellushavdulaj@yahoo.it

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›