E Shtunë, 31 Tetor 2026

Imazhi luksoz

Ministria e Jashtme e Kosovës organizoi Konferencën “Germia Hill”, në të cilën u diskutua për problemet e Europës Juglindore. Në këtë eveniment Presidentja Atifete Jahjaga dhe Kryeministri Hashim Thaçi folën për probleme globale. Konferenca dy ditore, ku janë ftuar rreth 100 pjesëmarrës po zhvillon punimet në hotelin luksoz të Behgjet Pacollit.

Nga Afrika, Behgjet Pacolli ka mundur të shoh të premten në televizor ministra, ish-ministra, diplomatë dhe gazetarë nga mbarë bota duke qëndruar në hotelin e tij në Prishtinë.

Më shumë se 100 zyrtarë ndërkombëtarë kanë frekuentuar hotelin e tij “Swiss Diamond Hotel Prishtina” për të marrë pjesë në Konferencën e organizuar nga Ministria e Punëve të Jashtme, në të cilën janë trajtuar problemet paneuropiane.

Takimin e ka hapur Presidentja Atifete Jahjaga dhe Kryeministri Hashim Thaçi, të cilët kanë lexuar fjalimet e tyre para mysafirëve.

Ende pa përfunduar dita e parë e konferencës kanë ardhur reagimet nga opozita se Ministria e Jashtme i ka injoruar ata duke mos i ftuar në konferencë.

Vetëvendosje ka kërkuar shpjegime nga Enver Hoxhaj pse është injoruar Kryetari i Komisionit për Politikë të Jashtme i Kuvendi të Kosovës, Albin Kurti.

Zëvendësministri Petrit Selimi ka thënë se mungesa e ftesave për vendorët ka ardhur për shkak se në “konferencë nuk trajtohen problemet e Kosovës”.

“Çdo vjet kosovarët do të jenë nikoqir të debateve të rëndësishme europiane. Konferenca nuk është për Kosovën, konferenca është për çështjet paneuropiane, ku ekspertë ndërkombëtarë dhe analistë lokal japin mendimet e tyre. Nuk janë thirrur partitë politike dhe ministrat”, ka thënë Selimi.

Por, MPJ ka dërguar ftesa disa përfaqësuesve të partive politike, me përjashtim të Vetëvendosjes dhe liderit të saj.

“Zoti Kurti është deputetë, ne nuk i kemi thirrur deputetët e Kosovës. Nuk ka kurgja personale, sigurisht edhe në raste të tjera do t`i thirrim. Sa i përket LDK’së, është kanë dikush që ka mundur t`i përcjell mesazhet, nëse ka nevojë”, ka thënë Selimi.

Sikurse qëllimi i konferencës, fjalimet e përgatitura nga Presidentja dhe Kryeministri kanë qenë të fokusuara në problemet globale.

Atifete Jahjaga tha se Kosova duhet të marrë pjesë edhe nëpër misione paqeruajtëse dhe tha se Shteti i ri nuk ka pretendime territoriale ndaj asnjë shteti tjetër.

”Si shtet ne synojmë të ndërtojmë dhe forcojmë tutje partneritetin tonë strategjik dhe permanent me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, sepse ndajmë përkushtimin për vlerat e përbashkëta të lirisë dhe demokracisë. Kosova ndjek politikën e fqinjësisë së mirë me të gjitha shtetet. Ajo është e ndërtuar në parimin qytetar, ku të gjithë qytetarët pavarësisht nga përkatësia etnike, fetare e racore, kanë të drejtat e barabarta”, ka deklaruar Jahjaga.

Por, cilat janë prioritetet e shteteve europiane?

Përgjigjen e ka dhënë Presidentja e Kosovës.

“Lufta kundër krimit të organizuar, terrorizmit ndërkombëtar, trafikimit me qenie njerëzore, trafikimit të narkotikëve, kontrabandës dhe të gjitha dukurive të kundërligjshme, mbetet prioritet i përhershëm i shteteve tona”, ka thënë Presidentja Jahjaga.

Edhe Kryeministri Hashim Thaçi ka folur për krizën globale ekonomike, zhvillimin e Kosovës dhe bisedimet me Serbinë.

“Kosova është shtet evropian me borxhet më të vogla, kurse me rritjen më të madhe ekonomike. Vendet e Ballkanit mund të ecin përpara vetëm nëse përmbyllet me sukses integrimi i tyre në NATO dhe në Bashkim Evropian”, ka thënë Thaci.

“Zëri i Kosovës dhe i shteteve të rajonit duhet të dëgjohet, dhe kjo konferencë është një hap i vogël, por i rëndësishëm drejt këtij qëllimi”, ka shtuar ai.

Ministri i Jashtëm Enver Hoxhaj ka thënë se qëllimi i këtij organizimi është sensibilizimi i opinionit publik në njërën anë dhe përmirësimi i imazhit të Kosovës në anën tjetër, duke përdorur si mjet diplomacinë publike.

Gjatë ditës, Ministri Hoxhaj ka takuar homologun e tij nga Shqipëria, Edmond Haxhinasto, i cili ka premtuar vazhdimin e ndihmës për Kosovën në rrugën evropiane.

Kryediplomati shqiptar ka thënë se Shqipëria do të ndihmojë Kosovën në shtimin e numrit të njohjeve dhe përshpejtimin e dialogut për liberalizimin e vizave me BE’në.

Konferenca e quajtur “Germia Hill”, e cila pritet të jetë tradicionale, do të vazhdojë edhe të shtunën.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›