Mospajtime rreth kompetencave
Komisioni për Amandamentimin e Kushtetutës nuk i ka prekur kompetencat e Presidentit, por tashmë i ka preferencat e qytetarëve të Kosovës për shefin e shtetit.
Kryetari i këtij komisioni, Arsim Bajrami ka prezantuar, të premten, sugjerimet dhe opinionet e qytetarëve, në procesin e ndryshimeve kushtetuese, për pjesën që ndërlidhet me zgjedhjen e Presidentit.
Në bazë të rezultateve të anketave të kryera gjatë debateve me qytetarë nëpër Komunat e Kosovës, shumica preferojnë që Presidenti të jetë figurë politike nën moshën 35 vjeçare si dhe të ketë një Zëvendëspresident.
Ndërkohë që kërkojnë që Presidenti i përzgjedhur të jap betimin para Gjykatës Kushtetuese duke përmendur Zotin.
Bajrami tha se të gjitha opinionet do të merren parasysh në ndryshimet kushtetuese.
Ndërsa, në lidhje me kompetencat e Presidentit ka rikujtuar se rishikimi i nenit që rregullon këtë çështje nuk është në mandatin e Komisionit.
Deri më tani Komisioni ka rishikuar çështjen e përzgjedhjes së Presidentit, mandatit të tij, dhënies së betimit dhe çështje të tjera.
Të gjitha këto, duke mos përfshirë vetëm nenin 84 të Kushtetutës, që së bashku me nenet e tjera përbenë dispozitat themelore të Presidentit, në kapitullin e pestë të Aktit më të lartë juridik e politik të shtetit, i cili flet për Presidentin e Republikës së Kosovës.
Ndërkohe Bajrami është deklaruar se i gjithë terreni për të mbajtur zgjedhjet presidenciale është përgatitur nga Komisioni i tij.
“Ne i kemi vlerësuar si anëtar të komisionit, që janë të domosdoshme, por me qenë reforma funksionale me qenë e plotë, se po e ndërrojmë mënyrën e zgjedhjes, është e nevojshme të rregullohen edhe kompetencat. Por ne nuk kemi bërë as një hap në këtë drejtim në mungesë të mandatit”.
Bajrami tha se mbetet në kompetencën e Kuvendit të Kosovës, se a dëshiron të autorizojë komisionin që të rregullojë edhe çështjen e kompetencave.
“Komisioni nuk do të kërkojë assesi afate shtesë dhe assesi nuk ka asnjë pengesë që mbi bazën e këtyre amandamenteve, që ne po propozojmë, të shpallen zgjedhjet brenda afatit”, ka deklaruar Bajrami.
E deklaratat e Bajramit se ka terren për mbajtjen e zgjedhjeve presidenciale për deputetin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ardian Gjini janë absurde.
Gjini tha se nuk ka logjikë të mbahen zgjedhjet presidenciale kur nuk janë të rregulluara ende kompetencat e Presidentit.
“S’di qysh kane me u mbajt zgjedhjet pa i rregullu kompetencat”, tha Gjini.
Edhe Arsim Bajrami pohon se çështja e kompetencave të Presidentit duhet të rregullohet. Mirëpo, kjo sipas tij mund të bëhet edhe pas inaugurimit të Presidentit.
“Sipas rezolutës, 6 muaj pas miratimit duhet të shkohet në zgjedhje, kjo po i bie në verën e vonë, ose në fillim të shtatorit. Komisioni vlerëson që kjo kohë prej momentit kur votohen amendamentet, derisa inaugurohet presidenti, deri sa merr detyrën, është e mjaftueshme të riparojmë edhe nenin 84 pa nevojën e shtyrjes së afateve”, ka deklaruar ai.
Bajrami ka theksuar se me zgjedhjen e presidentit nga qytetarët, me kompetencat që i ka pa ia shtuar asnjë, mund të thuhet se Kosova po shkon më tepër nga modelet e sistemit të Republikës parlamentare-presidenciale.