Sarandë, 3 komuna në errësirë, 10 orë në ditë pa energji
Prej mëse 1 jave, më shumë se 3 komuna e me dhjetëra fshatra po përjetojnë ndërprerje të energjisë elektrike me 10 orë në ditë. Banorët tregojnë se ndërprerja e energjisë elektrike shkon deri në 10 orë në ditë, duke filluar në orën 9:00 të mëngjesit deri në orën 19:00 të mbrëmjes.
Sipas tyre, mungesa e energjisë ka çuar në vështirësi të shumta bizneset e kësaj zone si dhe lokalet e shërbimit, të cilat punojnë me bazë ngrohëse dhe përpunuese nxehtësinë e energjisë elektrike. Për të marrë një informacion të saktë e korrekt për ndërprerjet që tashme janë prezente në komunat e Ksamilit, Alikos dhe asaj të Mesopotamit, ju drejtuam drejtorit të elektrikut Sarandë Arben Kasapi, i cili na tha se ndërprerjet e këtyre ditëve janë bërë për shkak të remonteve në linjat e transmetimit të energjisë, periudhë që ka zgjatur rreth pesë ditë, e cila do të zgjasë edhe për disa ditë të tjera. Në këtë zonë bëjnë pjesë edhe dhjetëra biznese të zonës së Vrionit, të cilat e kanë ndjerë mungesën disa ditore të energjisë elektrike. Në këto ditë me temperatura të ulëta, nevoja e furnizimit me energji elektrike që siguron ngrohjen e lokaleve të shkollave, kopshteve, zyrave etj., është e domosdoshme të jetë pa ndërprerje, thonë banorët, duke shtuar se nëse bëhet fjalë për remonte të linjave, drejtuesit duhet ti planifikojnë që ti bëjnë në mot më të mirë dhe pa reshje.