Imeri n’ Shqipëri
Imer Fejzullahu është gjallë e shëndosh. Ky fakt e ka lehtësuar brengën që familja Fejzullahu kishte tash e një muaj. Familjarët e Imerit, i cili rezultonte si person i zhdukur që nga fillimi i gushtit, tash kanë një hall tjetër. Ata presin që ta shohin vetë Imerin, babanë e tri vajzave. Megjithatë, lajmi që ata morën ditë më parë nga policia ka bërë që ata të ndihen të qetë, pasi që e dinë që ai është gjallë.
Elfetja, kunata e Imerit, e cila ndodhej e vetme në shtëpi duke u kujdesur për vajzat e tij, thotë se deri para disa kohësh familjarët kanë qenë të stresuar pasi nuk dinin asgjë për fatin e Imerit. Por, sipas saj, lajmi që i është kumtuar atyre para disa kohësh nga policia ka bërë që përveç vajzave, të ndihen më të qetë edhe gruaja e babai i Imerit i cili ishte zhdukur në fillim të gushtit.
“Ne nuk dimë asgjë tjetër, përveç asaj që na ka treguar policia se Imeri është gjallë. Për tjerat nuk dimë asgjë as ku ndodhet e as çfarë është bërë me të”, thotë kunata Elfetja, derisa tregon se deri më tash askush nuk ka marrë asnjë telefonatë të vetme nga Imeri, apo nga dikush që pretendon se e ka parë atë.
Për familjen Fejzullahu nga Mitrovica tash nuk ekziston frika se mos ndoshta djalit të tyre i ka ndodhur ndonjë gjë. Për ata tash është e rëndësishme që ta shohin Imerin. “Shpresojmë që një ditë do të mund ta takojmë. Kurrë nuk ka pas asnjë problem me askënd, nuk e di pse nuk është paraqit nëse është mirë”, thotë Elfetja për Express.
40 vjeçari Imer Fejzullahu ishte punëtor i kompanisë regjionale të ujësjellësit në Mitrovicë. Më 1 gusht, ditën kur u zhduk, ai nuk është paraqitë fare në punë, pasi inkasonte shtëpitë në vendin e quajtur “Te Tuneli”. E vetmja gjurmë që është gjetur për të është makina e parkuar në vendin e punës.
Prej asaj dite, përveç informacionit që ai është i gjallë, familjarët nuk dinë asgjë tjetër për vendndodhjen e tij apo edhe për arsyen pse ai nuk është lajmëruar në shtëpi. Por ndryshe prej familjarëve, është policia e Mitrovicës, ajo që ka hasur në gjurmë të Imerit disa ditë pasi është paraqitur si person i zhdukur në stacionin policor.
Besim Hoti, zëdhënës i policisë për rajonin e Mitrovicës thotë se tetë ditë pasi Imer Fejzullahu rezultonte si person i zhdukur, policia ka marrë informacione se i njëjti ka kaluar kufirin Kosovë Shqipëri.
“Me 1 gusht Imer Fejzullahu është paraqitur në polici nga familjarët si person i humbur. Një ditë më pas policia ka rënë në gjurmë të tij, pasi i njëjti ta tërhequr të holla nga llogaria e tij në një bankomat në Vushtrri”, sqaron zëdhënësi Hoti për Express.
Hoti thotë se 8 gushti ka qenë dita e fundit kur policia ka humbur të gjitha gjurmët rreth vendndodhjes së këtij personi. “Kjo pasi me 8 gusht kemi marrë informacionin se ai ka kaluar kufirin Kosovë Shqipëri. E prej kësaj dite nuk dimë më asgjë për të”, tregon Hoti.
Pavarësisht faktit që sipas policisë, gjurmët rreth vendndodhjes së këtij 40 vjecari përfundojnë ditën kur ai ka kaluar kufirin, dhe është nisur drejt Shqipërisë, familjarët kanë vetëm një kërkesë. Ata apelojnë tek të gjithë ata të cilët dinë diçka për Imerin, ta lajmërojnë këdo nga familja Fejzullahu. Madje ata kërkojnë edhe nga vet Imeri të paraqitet në ndonjë mënyrë, vetëm e vetëm që familja ta di nëse ai është mirë.
Të humburit për 6 muaj
Vetëm në gjashtëmujorin e parë të këtij viti në Policinë e Kosovës janë paraqitur gjithsej 97 raste të personave të zhdukur. 54 raste prej tyre janë të mbyllura, derisa 40 janë akoma të hapura në gjykatë. Baki Kelani, zëdhënës i PK-së, thotë se ka shumë raste kur familjarët të cilët vet e kanë paraqitur anëtarin e tyre të familjes si person të zhdukur, më pas edhe e bëjnë çlajmërimin e tij. “Kjo ndodh zakonisht me vajzat të cilat dalin nga shtëpia, e më pas u lajmërohen familjes së janë larguar me vet dëshirë”, sqaron Kelani për Express.