Lobon Sosa
Presidenti i Hondurasit, Porfirio Lobo Sosa, ka deklaruar të shtunën në Prishtinë se do të angazhohet personalisht për të lobuar për njohjen e pavarësisë së Kosovës.
Kreu i këtij shteti të Amerikës Qendrore, që është duke qëndruar për një vizitë dyditëshe në Kosovë, ka takuar zyrtarë të lartë Kosovës, përfshirë edhe Presidenten Atifete Jahjaga.
Pas takimit me Jahjagën, Presidenti i Hondurasit ka thënë se Hondurasi ka njohur pavarësinë e Kosovës pasi kjo është e drejtë themelore e popujve.
Më pas ai ka premtuar se do të angazhohet që Kosova të njihet edhe nga vende tjera të Amerikës Qendrore.
“Ne si një shtet i Amerikës Qendrore do të kontribuojmë që në të ardhmen shtetet e tjera të njohin pavarësinë dhe unë do të kontribuoj që vendet e tjera të Amerikës Qendrore ta njohin pavarësinë e Kosovës”, ka thënë Sosa.
Lobo Sosa ka ftuar përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës që të vizitojnë Hondurasin, ka thënë se vendi i tij do të jetë përkrahës i Kosovës në rrugën e saj si shtet sovran dhe demokratik.
“Hondurasi do të jetë në anën tuaj për të ecur përpara dhe vendi juaj të jetë ashtu siç duhet të jetë, një shtet i lirë, sovran dhe demokratik”, ka thënë ai.
Presidentja Jahjaga ka thënë se me mysafirin nga Amerika Qendrore ka biseduar për mundësinë e bashkëpunimit bilateral.
Presidenti i Hondurasit është pritur edhe nga Kryeparlamentari Jakup Krasniqi. Po ashtu delegacioni i tij është pritur edhe në Qeverinë e Kosovës, ku është takuar me Zëvendëskryeministrin Hajredin Kuci.
Njohja nga Hondurasi në shtator të vitit të kaluar kishte nxitur mospajtime mes Behgjet Pacollit dhe Ministrit së Jashtme, që atë kohë e kishte drejtuar Ministri Skënder Hyseni.
Në konferencën për media, Pacolli ka rikujtuar takimin me Presidentin e Hondurasit, duke thënë se pjesë e delegacionit të Hondurasit janë edhe përfaqësues të Nikaraguas dhe Guatemalës, për të cilët Pacolli shpreson se do ta njohin Kosovën.
Të shtunën, Presidenti i Hondurasit është pritur edhe nga Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe kryetari i Prishtinës, Isa Mustafa.
Derisa Universiteti AAB –Riinvest e ka nderuar atë me titullin “Doctor Honoris Causa”,
kreu i shtetit të Hondurasit ka folur edhe për raportet e Kosovës me Serbinë, duke thënë se Serbia duhet ta kuptojë një herë e përgjithmonë se e drejta për të qenë i pavarur i takon edhe Kosovës, pasi që e drejta për pavarësi është e pacenueshme.
“Shteti i Serbisë do ta kuptojë se e drejta për të qenë i pavarur i takon edhe Kosovës, ashtu sikurse edhe shteteve të tjera. E drejta për pavarësi është e pacenueshme. Ne jemi në distancë, por kemi të njëjtat ideale”, ka thënë ai.