E Shtunë, 31 Tetor 2026

S’e duan zhbllokadën

Organizatat dhe ekonomistët kosovarë nuk e pritën mirë marrëveshjen e Kosovës me Serbinë për çështjen e vulave doganore. Ata thonë se bllokada po i bënte mirë ekonomisë së vendit. Bëjnë thirrje që kosovarët, edhe pas marrëveshjes, të vazhdojnë bojkotin ndaj produkteve të Serbisë deri në njohjen e pavarësisë së Kosovës. Nga Express më 04 shtator 2011 në ora 08:10

Vendimi i qeverisë për reciprocitet me Serbinë i ka ndihmuar shumë zhvillimit ekonomik të vendit. Dhe zhbllokimi i kësaj gjendjeje, sipas ekonomistëve kosovarë, do ta kthejë Kosovën në derexhenë ku ka qenë më herët.

Do të thotë, tregu kosovar do të jetë i dominuar nga produktet serbe. Aq më shumë kur Kosova s`ka ndonjë politikë stimuluese për prodhuesit vendorë.

Agim Shahini, kryetar i Agjencisë Kosovare të Biznesit, tregoi se kanë informata që Serbia ka një strategji për futje në tregun kosovar edhe më me hov se që ka qenë më herët. Ai thotë se kompanitë serbe po planifikojnë që të stimulojnë prodhuesit serbë që eksportojnë në Kosovës dhe partnerët e tyre kosovarë që të lirojnë çmimet për të qenë edhe më dominues në treg.

Madje, profesori i ekonomisë Musa Limani, mendon se bllokada do të duhej të vazhdonte.
E nëse kjo nuk mund të ndodhë, atëherë, thotë Limani, le të bojkotohen produktet e Serbisë.
“Unë mendoj se është dashtë të vazhdojë bllokada ndaj mallrave serbe deri në njohjen e shtetit të Kosovës nga Serbia”, tha Limani.

Agim Shahini deklaroi se ka qenë në dijeni që Serbia do të lëshojë pe sa i përket vulave.
“E kemi ditur si AKB se kjo gjendje kur bëhet fjalë për mallrat serbe do të jetë e përkohshme”, tha Shahini. Kryetari i AKB`së mendon se prodhuesit serbë nuk do ta kenë të lehtë të futen tash në treg siç kanë qenë.

“Po ua them me përgjegjësi të plotë se nuk do të jetë lehtë që produktet serbe të konsumohen nga kosovarët, meqë ka një urrejtje shumë të madhe që nga paslufta për këto prodhime pas zhvillimeve të fundit në veriun e Kosovës”.
Shahini tregoi se kanë mësuar nga burimet e tyre se shteti serb është duke menduar që të subvencionojë prodhuesit në Serbi që importojnë mallrat serbe në Kosovë.
“Përveç kësaj, ata janë duke punuar që edhe për mallrat që fusin në Kosovë të ketë edhe një çmim më të ulët për prodhimet e tyre sesa deri para masave të reciprocitetit”.
Profesori Musa Limani thotë se, duke pas parasysh strategjitë e Serbisë, ish dashtë të vazhdojë bllokada deri në një përfitim më të madh shtetëror.
Goditja ekonomike, sipas tij, ka qenë mënyra më e mirë që vendi jonë të përfitojë ekonomikisht dhe politikisht.

Gjithashtu ai mendon se tash kosovarët duhet të kenë një vetëdije më të lartë kombëtare dhe qytetare që të bojkotojnë produktet serbe.
Shpreson se qeveria do të aplikojë një politikë të re ekonomike.
Saktësisht, shpjegon ai, të rregulloi normat doganore me shtetin e Serbisë dhe të ndryshojë normat e TVSH`së.
“Tash Serbia do të merr një ofensivë ekonomike për shkak të humbjeve që ka pasur, por Kosova do të duhej që të marrë masat e saja ndaj këtyre produkteve dhe të stimulojë prodhuesit vendor”. E nëse doganierët do të dalin në pikat kufitare në veri, atëherë për profesorin Limani, kjo është një fitore për vendin tonë.
Musa Limani, bënë thirrje që të bojkotohen produktet e Serbisë deri sa ky shtet të njoh shtetin e Kosovës dhe të heqë dorë nga dëmet që i bënë për ditë këtij vendi.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›