E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Mungesa e menaxhimit e bën më të rëndë dështimin e qeverisë”

Shkodër / Deputetë socialistë në komunën Rrethina

 
 
Shkodër - Deputetët e Qarkut Fier dhe Korçë kanë qenë dje në fshatin Dobraç në komunën Rrethina të Shkodrës, për t’u solidarizuar dhe për t’i ndihmuar në këto ditë të vështira që po kalojnë, për shkak të asaj që ata e kanë quajtur papërgjegjshmëri e qeverisë. Socialistët Arben Ahmetaj, Albert Caci, Fatos Tushe dhe Astrit Beci kanë identifikuar në terren banorët, të cilët shprehen përkundër gjithë deklarimeve të qeverisë, se askush nuk është interesuar për ta. Ata vazhdojnë të ngrenë akuzë për ministrin e Energjetikës, që duhet të kishte nisur shkarkimin e ujit kohë më parë, që të mos ndodhte kjo katastrofë: “Ministri i Energjetikës dhe vetë kryeministri mohojnë një të vërtetë të madhe, që hidrocentralet duhet të ishin hapur më parë. Kjo ka sjell një kaos të madh këtu. Tokat do të braktisen dhe kjo është e vështirë. Vetëm murrlani mund ta sjellë një fije këtë tokë prapë. Këtu s’mbillet më. Janë rreth 80 ha tokë të mbytura, flas vetëm në këtë territor.”
Në njërën prej fermave të vogla të këtij fshati gjithçka ka shkuar dëm, dhe një fermer 65-vjeçar kërkon ndihmë: “Në total mund të jenë që janë dëmtuar rreth 50 kuintalë misër. është sana më shumë e dëmtuar, duhet të jetë rreth 10 kuintalë e dëmtuar sanë. Jam 65 vjeç me këtë punë e këtë mund, janë të rrallë që e bëjnë, sepse është djersa e fëmijëve, që kanë fjetur nëpër ura në Itali”.
Deputeti socialist Ahmetaj u shpreh se mungesa e menaxhimit të situatës e bën edhe më të rëndë dështimin dhe dëmin që u është bërë këtyre banorëve: “është fare e qartë, që ky fenomen që është shkaktuar nga keqmenaxhimi dhe korrupsioni qeveritar, ka të përqasur  dhe indiferencën e pushtetit vendor, sidomos në këtë territor, ku banorët ankohen për mungesë vëmendjeje dhe shprehin sesi janë lënë vetëm, pa asnjë solidaritet, pa asnjë ndihmë dhe pa asnjë mbështetje në emergjencë nga institucionet qeveritare dhe nga vendorët. Partia Socialiste këmbëngul që  asistenca financiare do të ishte minimalja që mund t’iu bëhej këtyre njerëzve në këtë fatkeqësi, e cila nuk është natyrore. Ne do të vazhdojmë të solidarizohemi, të ndihmojmë, por sigurisht është detyrë e institucioneve qeveritare, e qeverisë që t’iu gjendej këtyre njerëzve dhe është fatkeqësi e dytë, që mungesa e mbështetjes së qeverisë e shton dështimin, e shton dëmin, e shton tragjedinë”.
 
 
 
Kukës/ Ndihma për të përmbyturit
 
Biznesi nis 27 tonë miell
dhe 2.7 tonë makarona
 
 
Kukës - Biznesmenët kuksianë kanë filluar të sensibilizohen dhe gjatë ditës së enjte kanë nisur drejt Shkodrës dhe banorëve që sot më shumë se kurrë kanë nevojë për t’i ndihmuar. Ndihma e tyre konsiston në produkte mielli dhe ushqimore.
Dita e enjte duket se ka qenë fillimi i një fushate sensibilizuese që biznesmenë kuksianë kanë ndërmarrë për të ndihmuar banorët e zonave të përmbytura në veriperëndim të vendit. Një kompani tregtare ka nisur sot drejt Shkodrës 27 tonë miell dhe 2.7 tonë makarona. Me shpenzimet e veta ajo ka paguar edhe disa automjete të tonazhit të rëndë, të cilat janë mbushur me qindra thasë miell dhe pako makaronash për t’ua dërguar banorëve, të cilët janë shpërngulur nga shtëpitë e tyre dhe janë sistemuar në ambiente të tjera nga Qeveria Shqiptare. Behar Domi, pronari i kësaj kompanie, e cila merret me tregtimin e miellit dhe produkteve të tjera ushqimore, thotë se ndihma e tij do të shkojë për ata që sot kanë nevojë më tepër se kurrë. “Sot kam nisur nga Kukësi drejt Shkodrës, me shpenzimet e mia, 27 tonë miell dhe 2.7 tonë makarona. Me këtë rast dua t’i bëj thirrje gjithë komunitetit të biznesit të Rrethit të Kukësit, që të bashkohen me ne në këtë nismë dhe të ndihmojmë këta banorë, të cilët kanë shumë nevojë. Ne jemi një popull human dhe këtë cilësi duhet ta tregojmë tani më shumë se kurrë”, përfundon ai. Sakaq, kjo nuk është hera e parë që banorëve të zonave të përmbytura u vihet në ndihmë nga Kukësi. Vetëm pak ditë më parë, ishte Këshilli i Qarkut Kukës, i cili dërgoi drejt tyre 5 mijë euro, të cilave iu shtuan edhe 3 mijë të tjera të dhëna nga Bashkia Kukës. Kjo e fundit ka vënë në dispozicion edhe mjete motorike, të cilat mund të përdoren nga zonat respektive për përmirësimin e situatës atje.
Sipas bizneseve, të cilët operojnë në Kukës, kjo nismë do vazhdojë edhe në ditët në vijim, me qëllim që të ndihmohen banorët e zonave të përmbytura, të cilët kanë mëse dy javë që janë larguar nga shtëpitë e tyre, si pasojë e derdhjes së ujërave të hidrocentralit  të Fierzës në tokat dhe banesat e tyre, që ende vijojnë të mbeten nën ujë.
F. Tota
 
 
 
Topi: Shteti të kompensojë gjithçka
 
Presidenti i Republikës së bashku me ambasadorët e huaj të akredituar në Tiranë ka vizituar dje zonat e përmbytura në veri të vendit
 
SHKODëR – Ka kërkuar vëmendjen e plotë të strukturave të shtetit për të kompensuar të gjithë dëmet e shkaktuar nga përmbytjet e ditëve të fundit në zonat veriore. Presidenti i Republikës, Bamir Topi, i shoqëruar nga ambasadorët e akredituar në Shqipëri të Bashkimit Europian, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Spanjës etj., ka vizituar dje zonat e përmbytura në Qarkun e Shkodrës. “Patjetër që kjo zonë do t’i kthehet normalitetit me ndihmën e strukturave të shtetit. Të vazhdojë bashkëpunimi. Evidentimi i dëmeve që kanë ardhur nga kjo situatë. Shteti të bëjë të mundur që gjithçka të kompensohet. Jam i bindur që kompensimi do të jetë real në bazë të një gjykimi dhe profesional”, - ka deklaruare për mediat presidenti pas inspektimit të bërë në fshatin Obot. Ai u shfaq optimist për përmirësimin e situatës dhe normalizimin e plotë të saj, megjithëse kërkoi për këtë edhe ndihmën e motit, i cili duhet të tregohet më i rezervuar në reshjet që dërgon nga veriu i Shqipërisë. “Kemi një thithje të dukshme të ujit nga Buna. Jam i bindur se me masat që po ndërmerren, me ndihmën dhe të kushteve të motit, situata do të kthehet drejt normalitetit”, - deklaroi presidenti, i cili nuk harroi të falënderonte të gjitha strukturat e shtetit, forcat e ushtrisë dhe të policisë, si dhe shoqatat, të cilat demonstruan solidaritet në menaxhimin e situatës.
Nga ana e tyre, ambasadorët e huaj u shprehën të gatshëm për të ndihmuar në stabilizimin e situatës dhe rehabilitimin e zonave të përmbytura. “Sapo jam kthyer nga SHBA. Qeveria ime në të vërtetë është përqendruar në këtë situatë dhe ne nesër do të bëjmë me dije fazën e parë të asistencës që dëshirojmë të ofrojmë. Ajo do të pasohet me fazën e rikuperimit dhe rehabilitimin e banorëve”, - deklaroi ambasadori i SHBA-ve, Xhon Uidhërs. Ambasadori i Bashkimit Europian, Helmut Lohan, pasi falënderoi presidentin Topi për mundësinë që u kishte dhënë që të njiheshin nga afër me situatën, është shprehur:  “Jam i sigurt, se të gjitha familjet e kësaj zone, do të bashkohen me mua në një ndjenjë solidariteti edhe për të gjitha viktimat e tërmetit në Haiti. BE ka shprehur solidaritetin, në mënyrë të qartë dhe të shpejtë për të prekurit nga përmbytjet, duke dërguar një ekip ekspertësh, që po ndihmojnë në shpërndarjen e ndihmave. Vendet anëtarë të BE-së kanë dërguar ushqime dhe mjete të tjera të nevojshme për banorët. Por solidariteti i BE-së nuk përfundon me kaq. Ne do të vazhdojmë të tregojmë solidaritetin tonë edhe në fazën e dytë, që është rikuperimi dhe rehabilitimi i zonës”. Ndërsa ambasadori spanjoll, Manuel Montobbio tha: “Mendoj se ambasadat e vendeve përkatëse janë këtu për të treguar solidaritetin me ju, në përballimin dhe kapërcimin e kësaj situate. Gjithë ky solidaritet do të përkthehet në ndihmë për të kaluar gjendjen e krijuar”.
 
 
 
 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›