Importi i energjisë, një krizë e shtuar për ekonominë
Nga importi i energjisë në këto nivele, ekonomia e vendit dhe disa nga sektorët të saj do të ndikohen ndjeshëm. Së pari, buxheti i shtetit, në rast të shterimit të fondeve të KESH-it, do të subvencionojë, ose në rastin me të mirë do të kreditojë, Korporatën, sipas një precedenti të mëparshëm, me fonde të cilat nuk janë planifikuar këtë vit. Importi i energjisë i kushtoi KESH gjatë tetorit rreth 7 milionë euro. Ndërkohë që buxheti i shtetit, mjaft i reduktuar tashmë për efekt të krizës globale, e ka vështirë të gjenerojë fonde për blerjen e energjisë. Së dyti, importi i energjisë elektrike do përkeqësojë tregtinë e vendit me jashtë. Pasi energjia është malli që kushton shumë dhe do të ndikojë në rritjen e madhe të importeve në krahasim me eksportet, duke zgjeruar në këtë mënyrë deficitin tregtar të vendit. Duhet të kemi parasysh se vitin që shkoi performanca e mirë e eksportit të energjisë elektrike ka patur ndikimin më të madh në uljen e deficitit të bilancit të pagesave. Së treti, importi i energjisë elektrike do të ndikojë në zhvlerësimin e lekut. Për shkak se energjia blihet në euro jashtë dhe shitet me lekë brenda vendit. Kështu KESH-it i duhet të sigurojë në tregun vendas sasinë e nevojshme të valutës për import, duke ndikuar në këtë mënyrë në zhvlerësimin e monedhës vendase, lekut. Së katërti, importi, ose në një rast më keq kufizimet e energjisë me orë të gjata, do të krijojnë kosto shtesë biznesit dhe prodhimit në vend, duke ndikuar kështu në frenimin e mëtejshëm të rritjes ekonomike në vend. Ky fenomen është shfaqur sa herë që vendi është zhytur në krizë të thellë energjetike. Së pesti, buxhetet e familjeve shqiptare do të vihen para kostove të reja shtesë, për të siguruar nevojat që plotëson energjia elektrike me alternativa të tjera. Mirëpo, për shkak të disa investimeve me peshë në sektorin energjetik vitet e fundit, qeveria shpreson që edhe në kushtet e një thatësire ekstreme vendi të mos përjetojë kufizimet e gjata të energjisë.