Teknologjia e informacionit, 300 biznesmenë të huaj në Tiranë
Rreth 300 biznesmenë të rëndësishëm mblidhen në Tiranë në një seminar treditor, ku temat kryesore që do të diskutohen janë: “Teknologjia e informacionit dhe komunikimit-shtysë e zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik”, “Përmirësimi i sistemeve tatimore në shtetet anëtare të Bashkëpunimit Ekonomik të Detit të Zi” dhe “Çështjet kulturore, arsimore dhe sociale”. Vizita në Tiranë e biznesmenëve, kryesisht nga Turqia, vjen në kuadër të mbledhjes së sesionit të 38-të të Asamblesë së Përgjithshme Parlamentare të Bashkëpunimit Ekonomik të Detit të Zi, e njohur ndryshe si PABSEC, ku biznesmenët shoqërojnë rreth 100 parlamentarë të vendeve anëtare të kësaj organizate. Asambleja Parlamentare e Bashkëpunimit Ekonomik të Detit të Zi është themeluar në vitin 1993, si një dimension parlamentar i Bashkëpunimit Ekonomik të Detit të Zi. PABSEC është një forum efektiv për dialogun ndërparlamentar në rajonin e Detit të Zi. Objektivi kryesor i PABSEC-ut është të ofrojë ndihmë për parlamentet kombëtare në miratimin e ligjeve që janë të nevojshme për zbatimin e projekteve të përpunuara në kuadrin e Organizatës së Bashkëpunimit Ekonomik të Detit të Zi dhe për të vendosur në rajon themelet legjislative të suksesshme politike dhe ekonomike.