Importi i mbetjeve, PS kërkon referendum në KQZ
Rama: Ligji i parë që do të anulojmë kur të vijmë në qeveri do të jetë importi i plehrave
Partia Socialiste ka nisur punën konkrete për të hartuar kërkesën për mbajtjen e një referendumi mbarëpopullor për importimin e plehrave. Zërat që kanë qarkulluar jo rrallë këto ditë i ka konfirmuar dje vetë kreu i PS-së, i cili duke folur para grupit parlamentar ka deklaruar se po punohet për të hartuar një kërkesë për debat. “Presidenti i Republikës, siç e dimë, e ka kthyer mbrapsht ligjin e plehrave. Pikërisht për faktin rrënqethës s’e lejon importin e plehrave nga jashtë. Ne e kemi kundërshtuar fort këtë ligj, siç kundërshtojmë me forcë idenë ogurzezë se Shqipëria mund të marrë plehra nga jashtë, në kushtet kur nuk pastron dhe as përpunon dot plehrat e saj. Për këtë duhet të përdorim çdo mjet që kemi në dispozicion dhe të mos mjaftohemi vetëm me debatin në parlament. Le të eksplorojmë pa humbur kohë mundësinë e një referendumi popullor dhe për këtë, Blendi Klosi, i cili është marrë imtësisht me projektin, të konsultohet me komisionet përkatëse e të bëjë një draft-propozim për diskutim”, - tha Rama në fjalën e tij. Ndërkohë që burime nga PS-ja kanë bërë të ditur se juristët e kësaj force kanë nisur prej ditësh konsultimet për hartimin e një kërkese konkrete, e cila para se t’i paraqitet KQZ-së do duhet të konsultohet një herë dhe me grupe interesi apo dhe me komisionet përkatëse të asamblesë. Kjo do të jetë zgjidhja e duhur, por në rast të mosrealizimit të saj për shkaqe të ndryshme, kreu socialist ka garantuar se ky ligj që mazhoranca do tentojë të rivotojë sërish në Kuvend, do të shfuqizohet që në momentin e parë kur e majta do të marrë pushtetin. “S’ka asnjë dyshim se, me t’u ulur në tryezën e qeverisë, ligji i parë që ne do të fshijmë nga kapica e ligjeve mbeturina të interesave të paligjshme të oborrit të Saliut, do të jetë ky ligj antikombëtar, antidemokratik, madje antinjerëzor. Por kjo s’mjafton. Nesër mund të jetë shumë vonë. Shqipëria është përpara një rreziku të shumëfishtë. Edhe sikur të mos ekzistonte asnjë mundësi që plehrat me përmbajtje radioaktive të hynin në vendin tonë, mjafton fakti që sot për sot ne nuk pastrojmë dhe as përpunojmë dot pjesën më të madhe të plehrave tona, për të kuptuar marrëzinë e këtij projekti”, - tha Rama.