E Shtunë, 31 Tetor 2026

Akuza për pazaret, Milo: Braçe të kontrollojë emocionet

TIRANË Deklarata e deputetit të Partisë Socialiste, Erion Brace, se PS-ja nuk ka aleatë, por pazarxhinj, pas humbjes së drejtimit të Këshillit të Qarkut në Vlorë, nuk është pritur mirë nga të vegjlit. Kryetari i Partisë Demokracia Sociale, Paskal Milo, deklaroi dje se humbja e Këshillit të Qarkut në Vlorë apo edhe në Berat nuk është faji i tyre, por pasojë e përzgjedhjeve të gabuara që bëjnë deputetët e PS-së.

“Deputetët e nderuar të PS-së, sigurisht duke ndjerë humbjen e pamerituar të opozitës në Qarkun e Vlorës apo ndonjë qark tjetër si ai i Beratit, nuk arrijnë dot të kontrollojnë emocionet dhe të bëjnë analizat që duhen bërë në këtë rast dhe kërkojnë të transferojnë përgjegjësitë nga PS-ja, që ka dhe numrin më të madh të përfaqësuesve në Këshillat Bashkiakë dhe qarqeve tek aleatët e tyre. Kjo ngarkon me përgjegjësi jo aleatët e PS-së, por vetë deputetët e PS-së dhe strukturat e PS-së. Dhe kjo nuk ka ndodhur vetëm në Vlorë, por edhe në Berat, ku z. Erion Brace është deputet i zonës së Beratit dhe që ka monitoruar nga afër procesin e zgjedhjes së kryetarit të Këshillit të Qarkut të Beratit dhe ku përfaqësues të PS-së që nga kryetarë komune kanë votuar ‘pro’ përfaqësuesit të së djathtës”, - tha dje Milo. Sipas tij, nëse nuk do të ndërmerren analiza të sakta politike, atëherë priten zhvillime negative. “Nëse do vazhdohet me këtë frymë gjykimi emocional që reflekton paragjykime të vjetra, por edhe mungesë kulture për të bërë analiza të sakta politike, kam frikë se do ketë zhvillime të tjera negative, që nuk do të jenë përgjegjësi e PDS-së, as e dikujt tjetër, në rast se ato do të thellohen”, - tha Milo

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›