E Diel, 1 Nëntor 2026

Importi i plehrave, kryebashkiaku i Durrësit kundër: Nisma qytetare intensive

Kryetari i Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako është shprehur sot kundër importit të plehrave në Shqipëri. Në takimin me disa organizata joqeveritare dhe qytetarë të Durrësit është folur gjerësisht për vendimin e Parlamentit mbi plehrat dhe në lidhje me TEC-in.

Unë jam kundër importit të plehrave në vendin tonë. Ka disa vende të botës ku plehrat përpunohen nga industri moderne tepër të zhvilluara dhe të kontrolluara. Në vendin tonë nuk kemi industri përpunimi të zhvilluar. Ajo që dua të theksoj gjithashtu është se përpara se të miratohen të tilla ligje duhet bërë një transparencë deri në detaje. Pa transparencë në këtë drejtim dhe pa industri të mirëfilltë për përpunimin e plehrave mendoj se nuk duhej pranuar importi i plehrave dhe siç e thashë unë jam kundër tha kreu i Bashkisë së Durrësit, prej portit të të cilit priten të vijnë ngarkesat e para me plehra për riciklim në Shqipëri pas miratimit të ligjit në Kuvend

Për probleme kaq të mëdha nismat qytetare duhet të jenë intensive, – shtoi Doko gjatë bashkëbisedimit me përfaqësuesit e shoqatave qytetare.

Kryebashkiaku Dako është shprehur më parë edhe kundër TEC-it dhe e rikonfirmoi këtë qëndrim gjatë takimit të sotëm. Dako tha se Bashkia është kundër projekteve si ai i TEC ndërkohë që po punon në drejtim të projekteve turistike dhe mjedisore pasi pikërisht një turizëm i zhvilluar në një mjedis të pastër është prioriteti i Bashkisë së Durërsit, – u shpreh Doko.

Më tej kryebashkiaku durrsak ka informuar se do të ketë dhe një ripërtëritje të mjedisit në Porto Romano, si dhe do të synohet gjelbërimi i zonës së Durrësit të Ri, Shkozetit dhe Spitallës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›