E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjiknuri: KQZ e re e shkëputur nga politika

29/09/2011  Reforma zgjedhore

Partia Socialiste do të kërkojë jo vetëm ndryshimin e formatit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, por dhe natyrën e përbërjes së tij. Një fakt i tillë u bë dje i ditur nga deputeti i PS-së Damian Gjiknuri, mandatuari i kësaj forcë parlamentare për të ndërtuar negociatat për reformën zgjedhore me palën tjetër. Sipas tij, është e domosdoshme një KQZ e re pa përfshirjen e politikës. “Ka modele të ndryshme. Shtete të tjera kanë eksperienca nga më të ndryshmet. Shqipëria ka një eksperiencë. Duhen parë të gjitha këto dhe duhen diskutuar kur të vijë çasti i duhur. Nuk mund të them paraprakisht cili është modeli më i mirë, por një gjë është e rëndësishme: Komisioni Qendror i Zgjedhjeve duhet të dalë jashtë kthetrave të politikës, ndryshe ai do të jetë një kërcënim i mjaftueshëm”, - vuri në dukje Gjiknuri lidhur me një çështje të tillë. I mandatuari i PS-së informoi gjithashtu se kanë nisur negociatat me përfaqësuesit e PD-së për modalitetit e funksionimit të komisionit parlamentar. Megjithatë sipas tij që ende nuk është arritur në një dokument përfundimtar, pasi më shumë sesa tek propozimet për reformimin e kodit ka vështirësi tek modalitetet funksionimit të komisionit. Ndërkohë duke qëndruar në këtë pikë, Gjiknuri saktësoi se Komisioni do të ketë në përbërjen e tij përfaqësues të partive parlamentare, por nuk do të mbeten jashtë propozimet e partive të tjera dhe shoqërisë civile.

“Presim që të bëjmë një dokument të përbashkët, modalitete të përbashkëta për mënyrën se si do të funksionojë KQZ-ja dhe për të respektuar disa nga të drejtat që duhet të ketë opozita me këtë mjedis të ri, të ndryshuar politik, aq më tepër që kemi dy palë zgjedhje, ku qeveria ka qenë ajo që është identifikuar si me probleme me sjelljen e saj për zgjedhjet”, - vlerësoi Gjiknuri gjatë fjalës së tij. Po kështu, përfaqësuesi socialist sqaroi dhe lidhur me sistemin zgjedhor, i cili në gjykimin e tij, nëse ka vullnet mes palëve, mund të preket dhe kushtetuta. Megjithatë, socialistët i mëshojnë faktit se sistemi zgjedhor mund të ndryshohet edhe brenda kuadrit kushtetues aktual. “Ka teori që mbase edhe brenda këtij kuadri kushtetues edhe mund të ketë hapësira, gjithsesi unë them se, nëse ia vlen, nëse do të bien dakord për ndryshimin e sistemit zgjedhor, mund të preket edhe Kushtetuta. Nuk ka ndonjë gjë të keqe. Kushtetuta u prek edhe radhën e parë kur erdhi puna te sistemi zgjedhor”, - u shpreh Gjiknuri lidhur me këtë çështje.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›