E Shtunë, 31 Tetor 2026

Importuesit: Çmimi i naftës do rritet me 10 lekë/litri

Çmimi i naftës do të rritet sërish.

Fabiola Çela

Pas rritjes së çmimit të arit në zi në bursat ndërkombëtare, importuesit kanë deklaruar se, brenda pak ditëve kjo rritje çmimi do të reflektohet në tregun vendas. Në një situatë të tillë, importuesit kërkojnë ndihmën e qeverisë për të zbutur disi barrën fiskale për karburantet, në mënyrë, që rritja e çmimit të jetë pak më e lehtë. Rritja e çmimit të karburanteve ka një sërë efektesh negative në ekonominë e vendit.
Importuesit
Prej muajsh, çmimi i naftës në bursat ndërkombëtare ka marrë tatëpjetën. Kjo rritje çmimi reflektohet në tregun vendas, për vetë koniunkturën që ka tregu, ku mbi 80 për qind e kërkesava për konsum plotësohet nga importi. “Reflektimi i rritjes së çmimit të karburanteve në tregun vendas është i padiskutueshëm, sepse rritja e çmimit të naftës në tregjet ndërkombëtar është e përditësuar dhe e vazhdueshme”, shprehet në një prononcim për gazetën “Panorama”, Gjok Uldedaj, kreu i Dhomës së Tregtisë dhe njëkohësisht importues karburantesh. Uldedaj shpjegon se, karburantet blihen nga Greqia ose nga Rusia. Nëse importon karburant nga Rusia çmimi i shitjes është më i lirë, por transporti kushton më shumë. Nëse e merr nga Greqia karburantet shiten më shtrenjtë, por transporti kushton më lirë. “Pra, diferenca e blerjes së karburanteve nga Greqia apo Rusia nuk është e madhe”, thotë Uldedaj. Aktualisht importuesit i bëjnë blerjet sipas një plani të caktuar. Por, çmimi i naftës në tregjet ndërkombëtare sa vjen dhe rritet, ndërkohë që qeveria ka vendosur të mbajë dhe një nivel konstant akcize, e cila është 37 lekë/litri. Këtu lind edhe problemi më i madh. Nëse niveli i akcizës do të ishte më i ulët, importuesit do të kishin mundësi që të blinin sasi të mëdha karburantesh, në mënyrë që të krijonin sa më shumë rezerva, për të mos blerë karburante në momentin kur çmimi i tyre është në stratosferë. “Importuesit nuk kanë stoqe për të mbrojtur konsumatorët nga ndryshimi i çmimit në tregjet ndërkombëtare dhe duke mos pasur këtë mundësi, ndryshimi i çmimit të naftës në tregjet ndërkombëtare ka një reflektim të menjëhershëm në tregun vendas. Pra, importuesit nuk kanë fuqi të madhe blerëse”, shprehet kreu i Dhomës së Tregtisë. Sipas Uldedaj, në një situatë të tillë mund të ndërhyjë fare mirë qeveria. “Ne kemi kërkuar, që niveli i akcizës të ulet, kjo, për një periudhë momentale. Por, nëse kjo situatë do të vazhdojë, atëherë ne do të bëjmë kërkesë me shkrim qeverisë për të ulur përkohësisht akcizën e naftës”, tha ai. Një tjetër problem që është bërë goxha i dukshëm në këto moment është edhe kompania “Armo”. “Nëse kjo kompani do të prodhonte karburante, atëherë kjo do të ndikonte disi në zbutjen e kësaj situatë të krijuar”, thotë Uldedaj
Importuesit deklarojnë në një zë se, çmimi i naftës do të rritet sërish. Sipas Rezart Taçit: “Rritja e çmimit të naftës në tregjet botërore ndodh në vazhdimësi. Çdo javë ne importojmë anije me naftë dhe për rrjedhojë çmimi i bursës ka një reflektim të menjëhershëm. Si pasojë e kësaj, pritet që në tregun vendas nafta të ketë një rritje prej 10 lekë për litër”. Por, dhe pse çmimi i karburanteve sa vjen dhe po rritet, kërkesa për to nuk ka pësuar ulje. “Mendohej që do kishte një ulje të konsumit, por deri tani s’kemi pasur”, thotë Rezart Taçi, presidenti i kompanisë ‘Taçi oil’. Ndërsa sipas kreut të Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Uldedaj: “Për sa i përket çmimit të karburanteve në vend vetëm 7 për qind të çmimit e ka në dorë tregtari, ndërsa 93 për qind e çmimit reflektohet nga zhvillimet në tregun e jashtëm”. Aktualisht, në Shqipëri operojnë rreth 6 importues vendas, ndërsa dy importues të tjerë janë grekë. Por, kompanitë vendase zënë rreth 70-80 për qind të sasisë së naftës që importohet. Dy janë faktorët që ndikojnë në rritjen e çmimit të naftës në vend. I pari, është faktori ndërkombëtar pra, rritja e kuotimit të arit të zi në bursat ndërkombëtare dhe faktori i dytë, është niveli i akcizës dhe taksat e tjera, që duhet të paguajnë importuesit e karburanteve.

Rritja e çmimit të karburanteve
rrit nivelin e inflacionit 

“Rritja e karburanteve dhe e energjisë ndikojnë në rritjen e normës së inflacionit”, shprehet kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Gjok Uldedaj. Në fakt, muajt e fundit niveli i inflacionit në vend ka ardhur gjithnjë e në rritje. Sipas të dhënave zyrtare nga instituti i statistikave, niveli i inflacionit në muajin mars arriti në 4.6 për qind, duke kapërcyer kështu edhe cakun prej 4 për qind të vendosur nga Banka e Shqipërisë. Në këtë rritje ndikoi goxha edhe rritja e çmimit të energjisë në muajin mars. Por për fat të keq, niveli i inflacionit pritet të jetë sërish i lartë, pasi çmimi i karburanteve në vend po shkon drejt rritjes. Në këtë mënyrë shqiptarët do të jenë të detyruar që për të blerë të njëjtat mallra, të shpenzojnë akoma dhe më shumë para nga buxheti i tyre familjar.  

Këtë vit, kërkesa për
naftë do të rritet me 1.4%

“Sipas parashikimeve të OPEC, këtë vit kërkesa botërore për naftë do të rritet me vetëm 1.4 për qind, ndërkohë që oferta do të rritet me rreth 1.1 për qind. Çmimi mesatar i naftës gjatë vitit 2008 parashikohet të arrijë në nivelin e 90.6 usd/fuçi”, thuhet në raportin vjetor të Bankës së Shqipërisë. Gjatë vitit 2007, çmimi i naftës ka pësuar një rritje të ndjeshme. Në fillim të 2007, një fuçi naftë kuotohej me 55 usd, ndërkohë që në fund të vitit çmimi i arit të zi arriti në 90 usd/fuçi. Shkak për këtë ishte rritja e kërkesës për naftë. Por ndër faktorët e tjerë që ndikuan në rritjen e çmimit, ishin edhe tensionet gjeopolitike.  Gjithashtu, zhvlerësimi i dollarit ka dhënë ndikimin e tij në rritjen e çmimit të naftës, duke qenë se prodhuesit kërkojnë një çmim më të lartë të naftës, që të marrin të njëjtën pagesë për të, në monedhën e vendit të tyre. Ecuria e çmimit të naftës, konvertuar me kursin mesatar të këmbimit euro/usd ka rezultuar më i ulët. Në raportin vjetor të vitit 2007 të Bankës së Shqipërisë theksohet se, rritja e lartë e çmimit të naftës është ndikuar edhe nga zgjedhja e investitorëve për të investuar në mjete alternative në vend të mjeteve financiare të shprehura në dollarë, duke u përqendruar tek nafta dhe tek produktet e tjera të para. “Zhvlerësimi i dollarit, kombinuar me trazirat financiare të lidhura me tregun e kredive, me probleme në Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë nxitur këtë sjellje të investitorëve”, thuhet në raportin e BSH-së. Rritja e çmimit të karburanteve në bursat ndërkombëtare dhe reflektimi i tij në tregun vendas ishte një ndër faktorët kryesore, që ndikoi në rritjen e nivelit të inflacionit përtej kufijve të përcaktuara nga Banka e Shqipërisë dhe qeveria, në muajt shtator e tetor të vitit 2007.    

OPEC kërcënon me çmimin:
Nafta s’ka gjetur vlerën reale  

OPEC po kërcënon se do ta përdorë naftën për të arritur synime të mëdha të aleancës.

Propozimi ka ardhur nga presidenti iranian, Mahmoud Ahmadinexhad, i cili tha se çmimi aktual me të cilin vlerësohet nafta është shumë i ulët dhe vlera e vërtetë e saj ende nuk është zbuluar. Mediat shtetërore i kanë raportuar komentet e tij të bëra një ditë më parë, ndërsa Irani ishte bujtës i Ekzibicionit të Trembëdhjetë të Naftës, Gazit dhe Industrive e Produkteve Petrokimike. Ahmadinexhad tha se, çmimi rreth 115 dollarë për fuçi ishte një “figurë mashtruese”. Ai theksoi se, nafta është një produkt strategjik për të cilin duhet ende të zbulohet vlera e vërtetë. Ahmadinexhad ka propozuar pa rezerva se, nafta nuk duhet përdorur: “Si një vegël politike kundër pronarëve të saj, në duart e rivalëve të tyre”. Nafta papritur kapi shifrën rreth 117 dollarë për fuçi brenda ditës pasardhëse. Lideri iranian tha se: “Dollari amerikan është thjesht një copë letër pa mbështetje globale”. Irani nuk e ka përdorur më dollarin amerikan në transaksionet e tij të naftës, duke detyruar përdorimin e monedhave të tjera. Sipas analistëve rënia e dollarit është një nga arsyet, pse çmimet e naftës janë rritur kaq shumë. Çmimet e naftës kanë arritur majat, duke kapur një rekord të ri pas deklaratave se, një grup i madh militant në Nigeri ka goditur “Niger Delta”, të pasur me naftë duke sabotuar naftënxjerrësin e saj të vënë në punë nga një njësi e “Royal Dutch Shell”, një ditë më parë. Çmimet e naftës janë 4.5 për qind më të larta këtë javë dhe 82 për qind më të larta krahasuar me një vit më parë. Çmimi i naftës ka arritur të prekë shifrën 116.69 dollarë për fuçi. Kjo ishte java e dytë radhazi që nafta ka goditur me çmime rekord, rritje maksimale. Çmimi në Nju Jork ishte rreth 6 për qind më i lartë në fund të javës (116.69 për fuçi). Në Londër, nafta bruto ka pësuar një rritje prej 1.49 dollarë, duke e çuar çmimin në këtë vend 113.92 dollarë për fuçi.
Arsyet
Analistët mendojnë se, arsyeja kryesore për fluturimin e çmimeve të naftës deri në fund të javës që kaluam, ishte një sulm në naftënxjerrësin në Nigeri. Përveç kësaj, dobësimi i vlerës së dollarit dhe shqetësimet për rezervat e kanë mbajtur çmimin e lartë. Një raport i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë ka theksuar se, prodhimi i naftës në Rusi ka rënë për herë të parë në një dekadë, duke ngritur kështu njëkohësisht shqetësimin, nëse kombet kryesore të prodhimit të naftës do të kenë rezerva të mjaftueshme për të ndihmuar plotësimin e nevojave të kërkesave globale në rritje. Një faktor tjetër ishte përdorimi i pakët i rafinerive. Sipas analistëve, rafineritë në SHBA po përpiqen të krijojnë një ulje artificiale të gazolinës dhe produkteve të tjera.
Komenti i “Bloomberg” 
Revista më e madhe ekonomike në botë “Bloomberg”, ka akuzuar ministrat e OPEC, se po rrinë duarkryq dhe nuk po tentojnë të zgjidhin krizën e çmimeve marramendëse të naftës nga dita në ditë. Revista komenton se, ndërsa OPEC ndal prodhimin, çmimet  e naftës po shkojnë drejt 150 dollarë për fuçi. Kurdo që ministrat e OPEC të pyeten, nëse ka ndonjë shans që të rritet prodhimi i naftës, përgjigjja është “jo”. Presidenti i  aleancës një ditë më parë, Chakib Khelil, tha se: “Çdo lloj rritje në prodhimin e naftës nuk do të ketë ndikim në çmime, pasi ekziston një balancë mes rezervave dhe kërkesave”, sipas agjencisë së lajmeve “Bloomberg”. Nuk ka rëndësi se sa e madhe është farsa, fuqia e arsyes nuk mund të ndryshojë sjelljen e aleancës. Kështu u ka ndodhur anëtarëve të OPEC, që roli i tyre më i mirë është të rrinë pa bërë asgjë, me naftën bruto. Tashmë që kap shifrat 116 dollarë për fuçi, dhjetëra miliarda dollarët e përfitimeve ekstra, që merren prej tyre mund të shpjegojnë mungesën e mëtejshme për shkak të spekulimeve dhe një dollari të dobët. Fakti që kërkesat po rriten ende në Kinë, Indi dhe në shumë vende të tjera të zhvilluara nuk ka të bëjë me këtë. Pjesë e shpresës perverse mes këtyre shqetësimeve të rritjes së çmimeve të naftës, ishte se ulja e ritmit ekonomik në Perëndim do të ulë kërkesat në sasinë e duhur sa për të ulur edhe çmimet e naftës bruto. Por amerikanët nuk mund të shkojnë në shkollë apo në punë në këmbë. Kërkesat e naftës nuk do të bien. Nafta ra me rreth 50 dollarë në fillim të vitit 2007, por çmimi që atëherë është mbi 120 dollarë për fuçi. Eshtë 65 për qind më i lartë më krahasim me verën e kaluar dhe 45 për qind më i lartë që nga vjeshta e kaluar. Gjëja e tmerrshme e rritjes së këtyre çmimeve është se nuk gjen dot një arsye për të kërkuar tërheqjen e tyre. Nafta po përdoret gjithnjë e më shumë në të gjithë botën e zhvilluar, madje edhe në vetë vendet naftë prodhuese. Në të njëjtën kohë OPEC po mban të njëjtën linjë të prodhimit, furnizues si Rusia dhe SHBA, pothuajse nuk po prodhojnë më. Nafta me çmim 150 dollarë është vetëm 30 për qind më shumë se çmimi aktual i saj. Sipas llogaritjeve, ky do të jetë çmimi real i saj në vjeshtë. Ndërsa komisionerët dhe fondet reciproke pëlqejnë të thonë: “Performanca e shkuar nuk është garanci e të ardhurave të së ardhmes”. Por çmimet e naftës po ndjekin të njëjtën dinamikë, me të cilën kanë drejtuar tregun për dy vite më radhë. Asgjë nuk po ndryshon.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›