E Shtunë, 31 Tetor 2026

Skema që shmang votimin e Presidentit nga populli

Partia Demokratike ka përgatitur skemën për të mos rrezikuar, për asnjë moment konsensusin e dhënë nga socialistët, për të votuar në bllok të gjitha ndryshimet në Kushtetutë.

adi shkembi

Burime pranë grupit parlamentar të demokratëve bëjnë të ditur për gazetën se, gjatë seancës së sotme në Kuvend, pritet të ketë lëvizje të tjera lidhur me procesin e votimit. Kështu, të kushtëzuar nga kërkesa e panegociueshme e socialistëve për të paraqitur për votim vetëm një variant për zgjedhjen e presidentit, demokratët pritet të shmangin çdo tentativë të ndonjë deputeti, që mund të kërkojnë të votohet edhe varianti i dytë, ai i zgjedhjes së presidentit nga populli. Më konkretisht, pas votimit në parim për të gjithë paketën e ndryshimeve në Kushtetutë që prekin sistemin zgjedhor, presidentin, kryeministrin dhe prokurorin e Përgjithshëm do të kalojë votimi nen për nen. Momenti më i diskutueshëm pritet të jetë pikërisht neni 87, i cili përcakton edhe mënyrën e zgjedhjes së kreut të shtetit. Për votim do të paraqitet varianti i propozuar nga PD-ja dhe i miratuar në komisionin e Ligjeve për të zgjedhur presidentin me pesë votime në Parlament, ku i fundit do të jetë me 71 vota. Por nëse një grup deputetësh do të kërkojnë që për votim të futet edhe varianti i dytë, ai i zgjedhjes së presidentit nga populli, demokratët do t’u kërkojnë disa prej deputetëve të tyre që kanë firmosur në nismën e dytë, që të tërhiqen nga kjo nismë dhe nëse nisma do të ketë më pak se 28 firma, atëherë ajo quhet e pavlefshme. Burime pranë grupit të PD-së bëjnë të ditur për gazetën se, një gjë e tillë do të bëhet për të shmangur ndonjë surprizë të pakëndshme, që do të rrezikojë konsensusin e ofruar nga PS-ja, lidhur kryesisht me mënyrën e zgjedhjes së presidentit. Ndërkohë, kryeministri Berisha duket se, ka gjetur gjuhën e përbashkët edhe me aleatët e tij lidhur me këtë çështje, me gjithë deklarimet e tyre për zgjedhjen e presidentit në popull. Një gjë e tillë u pa mbrëmë edhe nga siguria e kryetarit të grupit parlamentar demokrat, Astrit Patozi, i cili tha se reforma kushtetuese do të marrë më shumë se 94 vota.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›