E Shtunë, 31 Tetor 2026

Impresionon Berisha

Valon Berisha vazhdon të impresionojë. Talenti kosovar ka shënuar një tjetër gol spektakolar për ekipin Viking. 17 vjeçari synon ta ngritë nivelin e lojës së tij këtë vit, derisa në të ardhmen ëndërr e ka kampionatin anglez, spanjoll ose italian. Nga Express më 21 janar 2011 në ora 12:42

Valon Berisha konsiderohet si njëri prej talentëve më të mëdhenj të futbollit norvegjez. Në pjesën e dytë të sezonit të kaluar, ai kishte disa paraqitje, ndërsa në fund goli i tij u shpall si më i miri i vitit.

Të dielën, kundër Brann Bergen, futbollisti i Viking shënoi një gol të njëjtë nga një distancë prej 25 metrash. Talenti 17 vjeç insiston se gjithmonë mundohet ta hapë maksimumin kur futet në fushë.

“Është e qartë se jam mjaft i kënaqur për këtë fakt. Do ta jap më të mirën nga vetja për të fituar besim nga trajneri”, tha fillimisht Berisha për të përditshmen Aftenbladet.

Futbollisti kosovar e pranon se gjithmonë ndien presion, por këtë e konsideron pjesë të lojës. Ai tregon se koncentrohet për të bërë stërvitje të forta dhe ta japë maksimumin për t’i parë më pas rezultatet.

Futbollisti me pasaportë suedeze i ka zbuluar edhe objektivat e tij për vitin 2011. “Synoj që të jem më stabil karshi vitit të kaluar për ta arritur thjesht një nivel më superior”, vazhdoi Berisha i cili ka edhe ëndrra tjera për të ardhmen.

“Objektiv i imi është që të bëhem lojtar profesionist jashtë Norvegjisë dhe një aktor i njohur. Kampionatet në të cilat do të dëshiroja të luaja janë ai anglez, spanjoll apo italian”, është ambicioz ai.

Vitin 2010, Berisha e vlerëson si pozitiv, pasi pati mundësinë të kalonte në ekipin A të Viking. Ai ndihet mirë në ambientin e këtij klubi dhe nuk e ka problem të luajë aty për një periudhë disavjeçare, derisa të zhvillohet si futbollist.

Qielli është limiti i Berishës

Trajneri i Viking, Age Hareide, është më i merituari për zbulimin e Berishës. Ai ia dha besimin futbollistit të ri kosovar që nga fillimi i sezonit të kaluar. Hareide ka besim të madh në talentin e Berishës, mirëpo në të njëjtën kohë thotë se lojtari duhet të luftojë për të qenë pjesë e pandashme e ekipit.

“Është herët për t’ia dhënë një pozitë, por është lojtar i ri dhe duhet të luftojë me shumë futbollistë të tjerë të mirë. Ai është shumë i ri dhe ka talent, të cilin e shfaqi në fund të vitit të kaluar. Ai mund ta shfaqë këtë talent edhe këtë vit. Valoni mund të arrijë deri aty ku të dojë. Qielli është limiti për Berishën. Ai duhet vetëm të vazhdojë të punojë fort”, tha trajneri Hareide.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›