Imuniteti, AP: Të trajtohem njësoj me të tjerët

Avokati i Popullit ka theksuar se është për heqjes apo kufizimit të imunitetit por kërkon trajtim të barabartë me institucionet e tjera të pavarura kushtetuese, që do të thotë se nëse sot ai ka imunitet të njëjtë me Gjyqtarin e Gjykatës së Lartë, të njëjtin trajtim duhet të ketë edhe me këto ndryshime kushtetuese.
Sipas AP-së, në draftin e paraqitur për heqjen e imunitetit dhe kufizimin e imunitetit në disa raste, iu është kufizuar imuniteti, deputetëve të Kuvendit të RSH, gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese, gjyqtarëve të Gjykatës së Larte dhe gjithë gjyqtarëve të tjerë, ndërkohë që në projektligj është ndryshuar dhe propozuar t’u hiqet tërësisht imuniteti, vetëm Avokatit të Popullit dhe Kryetarit të Kontrollit të Lartë të Shtetit.
Avokati i Popullit thekson se “gjatë ushtrimit të funksioneve dhe kompetencave të tij, ndërmerr veprime që ju drejtohen organeve të administratës publike apo edhe organeve të sistemit të drejtësisë”, për këtë, mund të jenë të pashmangshme rastet kur mund të ketë presione arbitrare dhe të paligjshme të këtyre organeve, të cilat mund të sjellin cënim të funksionimit të veprimtarisë së këtij institucioni kushtetues.
Drafti i paraqitur, sipas AP-së nuk kishte marrë në studim dhe analizë funksionet dhe kompetencat e Avokatit të Popullit, problematikave që ka veprimtaria e tij e përditshme, dhe risqet që mund të mbarte heqja tërësore e imunitetit.
Ndërsa shprehet i gatshëm për çfarëdo verifikimi, Avokati I Popullit, mbyll deklaratën e tij duke theksuar se, është për trajtim dinjitoz dhe të barabartë me të gjithë institucionet e tjera kushtetuese, pra, qoftë për rastin kur do të vendosin për kufizimin e imunitetit për të gjitha institucionet kushtetuese, qoftë për rastin e heqjes totale të imunitetit për të gjitha institucionet kushtetuese.