E Shtunë, 31 Tetor 2026

Analiza/Rruga e vetme e Ramës, kushtëzimi i integrimit

22-07-2012 / Gazeta 55

Nëpërmjet një deklarate për shtyp, kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama tha se deputetët e partisë Socialiste i kanë “duart e pastra” dhe nuk kanë frikë nga heqja e imunitetit. Ndërkohë deputetët e PS-së që “nuk kanë frikë” nga heqja e imunitetit vijojnë t’i mbajnë duart në xhep dhe kanë deklaruar se nuk do të shtypin butoni jeshil në seancën e fundit plenare të datës 6 gusht. Kreu i PS- thotë se ka një vizion të qartë, por nuk jep shpjegime për qëndrimin e fundit refraktar që mund të bllokojë marrjen e statusit të vendit kandidat.
Megjithatë shprehet me fjalë se PS-ja nuk është kundër integrimit, por me vepra dhe mosveprim në kohë për realizimin e kësaj reforme dëften të kundërtën e asaj që thotë. “Shqiptarët dhe ndërkombëtarët, thotë kreu i opozitës, janë dëshmitarë  të asaj që kemi bërë për të sjellë në gjendje normale drafte skandaloze të qeverisë”.
Deklarata e Edi Ramës erdhi ndërkohë që Këshilli i Legjislacionit në parlament po zhvillonte një seancë dëgjimore me ekspertë të huaj dhe vendas për imunitetin. Ekspertët ligjorë europianë, ndërsa vlerësuan dy nismat e paraqitura, rekomanduan votimin pa vonesë të draftit për heqjen e imunitetit të deputetëve dhe zyrtarëve.  PACA dhe Euralius vunë në dukje se projekti i paraqitur nga PD ofron më pak mbrojtje imunitare për deputetët se sa ai i socialistëve.
Ky fakt zbulon pandershmërinë e fjalëve të kreut të opozitës, i cili e ka të vështirë të japë sqarime “pse” po ndalon një reformë që mund të pengojë integrimin e Shqipërisë. Prandaj shprehja se “draftet skandaloze” janë të qeverisë, siç i quan Rama, janë në të vërtetë produkt i punës së misioneve të komunitetit europian Paca dhe Euralius.  
Gjithashtu Rama propozon muajin shtator për ndërhyrjen në 6 kapitujt të Kushtetutës për të vënë në punë drejtësisë, rikthimin e votimeve të kryeprokurorit të Republikës dhe anëtarëve të gjykatës së Lartë me 84 vota, kur kreu i sistemit të drejtësisë Presidenti i Republikës pas ndërhyrjes konsensuale në Kushtetutë në 2008, mund të zgjidhet pas raundit të tretë me 70+1 vota. Kjo do të thotë heqjen e kompetencave presidentit të Republikës ose  kthimin në “pazar” të prokurorëve dhe gjykatësve të Lartë.
Sido që të jetë qëndrimi i ditëve në vijim i partisë Socialiste ajo po humb shumë besueshmëri në sytë e qytetarëve dhe ndërkombëtare.
Qytetarët e kanë të vështirë të kuptojnë akuzat e PS-së kur ajo nuk shoqërohet me votimin “pro” të heqjes së imunitetit kryeministrit, parlamentarëve, gjyqtarëve dhe zyrtarëve të lartë të Shtetit. Ndërkombëtarët po ashtu e kanë të vështirë të kuptojnë sjelljen antireformë  të opozitës, e cila duhet të ketë interes të bashkëpunojë dhe të përmirësojë rritjen e transparencës dhe nxitjen e luftës kundër korrupsionit. Beteja antikorrupsion i opozitës është zgërlaqur për shkak të konfliktit të interesit që kanë disa deputetë me drejtësinë dhe përdorin imunitetit parlamentar si mburojë të punëve jo fort të ndershme.
Në 7 vite opozite s’ka mund t’i heqë njollën e korrupsionit partisë Socialiste, e cila mbron imunitetit parlamentar sikur të ishte në qeveri. Asnjë opozitë normale në botë e aq më shumë një parti e majtë nuk do të dilte kundër “zhveshjes” së zyrtarëve nga një privilegj kushtetues, përkundrazi, do të lufton me të gjitha mjetet parlamentare për të barazuar qytetarët përballë detyrimeve.    

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›