“PS po pengon me çdo mjet statusin kandidat”
Luçiano Boçi, deputet i PD-së
Në një kohë kur Këshilli i Legjislacionit dhe komisioni Parlamentar i Ligjeve shqyrtuan nismat e PD dhe PS rreth kufizimit të imunitetit, bashkë me seancën dëgjimore me grupet e interesit, deputeti i PD-së, Luçiano Boçi deklaron se Partia Socialsite s’ka vullnet për të votuar heqjen e imunitetit.
Sipas tij, gatishmëria e Partisë Socialiste për të mos e votuar këtë nisme ka të bëjë me qëndrimin e saj pengues për statusin e kandidatit. Ndërsa kujtoi se mazhorana ka gjënë gjithmonë e gatshme për heqjen e imunitetit. “Partia Demokratike ka kërkuar heqjen e imunitetit që 2003, në 2005 si dhe përsëritje në 2007. Gatishmëria e PD ka qenë e plotë. Ne e kemi kërkuar heqjen e imunitetit, kemi dëshmuar që jemi të gatshëm për heqjen e imunitetit si një pengesë e politikës”, tha Boçi.
I pyetur për garancitë që kërkon opozita, Luçiano Boçi tha se Partia Socialiste kërkon të bëjë kavalierin e Kushtetues dhe nga ana tjetër kërkon të bëjë viktimën e politikës. “Nuk ka një synim që me heqjen e imunitetit deputetët e opozitës do të futen në burg”, tha Boçi duke e cilësuar si një gjë që ngjall humor. Më tej, ai theksoi se nëse votohet heqja e imunitetit në këtë 100 vjetor të Pavarësisë, Shqipëria do të marrë statusin e vendit kandidat në BE.