Kthehet sot në atdhe kontingjenti “Eagle 4”
Pjesë e këtij kontingjenti ishte dhe dëshmori i Atdheut, kapiten Feti Vogli
Në vijën e parë të frontit të betejës luftarake në Afganistan ishin 45 efektivët e batalionit të Forcave të Forcave Speciale. Ndonëse në atdhe kthehen 43 prej tyre sepse dy mungojnë, kapiten Feti Vogli dhe nëntetar Aleksandër Peci, i parë i rënë dëshmor për Atdheun dhe i dyti po rehabilitohet prej plumbave të marra në rajon e Kandaharit
Në ora 13.00, të ditës sotme, në aeroportin e Rinasit nëpërmjet transportit strategjik të NATO-s kthehet në atdhe kontingjenti luftues “Eagle 4”, pjesë e së cilës ishte dhe dëshmori i Atdheut, kapitet Feti Vogli, i rënë në Kandahar.
Kontingjenti i “Eagle 4” i kryesuar prej n/kolonel Behar Marës do të pritet në një ceremoni të veçantë në pjesën ushtarake të aeroportit ndërkombëtar “Nënë Tereza” nga drejtuesit kryesor të Ministrisë së Mbrojtjes dhe të Shtabit të Përgjithshëm të FA-së, përfaqësues nga Ambasada Amerikane në Tiranë, gjeneralë dhe ushtarakë të lartë të FA, familjarë dhe të afërm të paqeruajtësve etj.
Në vend të kontingjenti “Eagle 4” në vijën e parë të frontit prej ditës së sotme gjendet kontingjenti pasardhës “Eagle 5”, i cili drejtohet nga nënkolonel Enkland Dauti, veteran i misioneve paqeruajtëse. Kontingjenti i fundit i dërguar në misione luftuese është përgatitur për çdo lloj situate të rrezikshme, edhe për ruajtjen e perimetrit të ngushtë prej infiltrimeve talebanë.
Ndërkohë në mjediset e batalionit të Forcave Speciale në Zall Herr po zhvillohet prej ditësh stërvitja dypalëshe “Black eagle” me forcat speciale britanike. Në këtë stërvitje nga pala shqiptare marrin pjesë trupa të Kompanisë së Dytë të Aksioneve Alpine, ndërsa nga pala britanike marrin pjesë përfaqësues të zyrës së stërvitjes të Njësisë 43 Komando dhe dy toga të skuadronit “O” të Regjimentit 43 Komando. Programin dhe ecuria e deritanishme e kësaj stërvitjeje të rëndësishme do t’i shërbejë perfeksionimit të mëtejshëm bashkëpunimit me forcat aleate dhe ato partnere, rritjes së shkallës së përgatitjes luftarake për misionet paqeruajtëse në Afganistan dhe në misione të tjera në kuadër të NATO-s etj, kanë deklaruar përfaqësuesit e forcave të armatosura.