Imuniteti, Berisha fut në lojë Kuvendin: Referendum nëse s`miratohet me ligj

Shefi i Maxhorancës nga Sllovenia ka akuzuar opozitën e majtë se po bën kalkulime të gabuara duke ngadalësuar procesin e integrimit të vendit. Berisha gjatë forumit të BLED iu referua debatit për imunitetin, duke lënë gjithsesi të kuptohet se referendumi mbetet opsioni i fundit.
"Disa probleme të brendshme, për mendimin tim, plotësisht të bazuara në kalkulime politike të gabuara dhe të dështuara, e kane ngadalësuar pak procesin. Së fundmi, një frymë bashkëpunimi bipartizan bëri të mundur miratimin me konsensus të reformës zgjedhore dhe të disa ligjeve të tjera të rëndësishme për procesin e integrimit.
Një debat i ndezur po zhvillohet mbi çështjen e imunitetit. Jam thellësisht i bindur se vendi im duhet ta heqë imunitetin dhe kjo duhet të ndodhë. Ne po punojmë që ta heqim atë në Parlament. Por, në rast se kjo nuk do të jetë e mundur, shqiptarët do të kenë të drejtën të shprehin mendimin e tyre mbi këtë çështje themelore".
Me datën 6 gusht kur ishte seanca e posacme parlamentare për heqjen e imunitetit, ne kushtet kur opozita kërkoi që në ndryshimet kushtetuese për heqjen e imunitetit të përfshihen edhe ndryshime të tjera, Kryeministri deklaroi se kjo cështje do të shkojë në referendum. Ndërkaq ligji qëndron ende në Parlament dhe kërkon shumicë të votave për tu kaluar, ndërsa mbetet një nga kushtet e BE për marrjen e statusit kandidat.