E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: Imuniteti votohet me paketën tonë

Në mbledhjen e grupit parlamentar të partisë së tij, Rama tha se PS-ja kërkon reformë thelbësore në drejtësi për të rritur autoritetin e gjykatave.

“Sa për imunitetin, qeveria le ta vazhdojë monologun. E kemi thënë se jemi gati ta miratojmë sapo të mbyllen ndryshimet kushtetuese të kërkuara prej nesh. Fatkeqësisht, paketa jonë u etiketua dje si paçavure. Ne i kemi paraqitur një paketë të ndryshimeve kushtetuese për reformën në drejtësi. Si mund ta pranojë kjo qeveri që gjyqtarët e Gjykatës së Lartë dhe asaj Kushtetuese të emërohen me 3/5-t e votave në Parlament? Ne jemi frymëzuar nga kushtetutat e të gjitha vendeve të Bashkimit Evropian, që gjykatat e Gjykatës së Lartë dhe asaj Kushtetuese të zgjidhen me konsensus në Parlament. Kjo i bën gjykatat e paanshme dhe të forta edhe për të gjykuar edhe politikanët. Këtë propozim e bëmë edhe për Prokurorin e Përgjithshëm. Kemi propozuar gjithashtu që edhe ministrat dhe deputetët të hetohen siç bëhen të gjithë qytetarët e këtij vendi dhe jo në gjykata që ata i kanë emëruar vetë. Këtë nuk ka si e pranon Saliu me të tjerë, pasi Gjykatën e Lartë e shikojnë si varkën e shpëtimit nga çdo akuzë pas ikjes së qeverisë në qershorin e ardhshëm”, u shpreh ai.

Edhe për çështjen e Rregullores së Kuvendit, kreu socialist, tha se ajo duhet miratuar me konsensus. “Kemi kërkuar që Rregullorja e Kuvendit të miratohet me vota të cilësuara dhe ne nuk e kemi kërkuar vetëm për opozitën. Mos të harrojmë se marrëveshja e nëntorit është ende e pazbatuar që lidhet pikërisht me rregulloren e Kuvendit. Si mund ta pranojë këtë qeveria dhe Saliu që Parlamentin e duan si një foltore për të bërë propagandë kundër opozitës. Të gjitha këto propozime nuk na japin ne asnjë fuqi. Madje e fuqizojnë fuqinë e qeverisë mbi drejtësinë, në kushtet kur pas 10 muajsh ne do të jemi qeveria e vendit”, vijoi.

Rama tha se nuk shpresonte që pala tjetër t’i votojë amendamentet e propozuara dhe se për mazhorancën nuk është me rëndësi marrja e statusit.

Rama tha gjithashtu qeveria nuk ka marrë asnjë masë për parandalimin e zjarreve. Sipas tij, edhe tani nuk është dhënë asnjë fond, teksa pyjet po shkatërrohen. “Qeveria nuk ka vënë asnjë fond për restaurimin e tyre, dhe s’ka bërë asgjë as për parandalimin dhe minimizim e fenomenit që dihet se ndodh gjatë verës. Çdo vend tjetër ka bërë planet, Shqipëria e Saliut nuk ka akoma një makinë zjarrfikëse të dislokuar në pyjet e larta. Marrja e mjeteve ajrore me qira kur dëmi është bërë, është një haraç shumë i shtrenjtë që paguhet me taksa të ulëta. Zjarri s’është problem, por problem është opozita tha dje ministri i Brendshëm. Fajësimi i opozitës është i vetmi që i ka mbetur qeveria”, tha Rama.

Rama foli edhe për rritjen e krimeve në vend dhe numrit të lartë të aksidenteve, krizën ekonomike, si dhe emërimin e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, që sipas tij, në vend të marrjes së masave për krizën, bën supershpenzime. “Qeveria votoi një guvernator shpërdorues të parave publike. Në një vend në krizë, s’ka më keq kur guvernatori shpërdoron paranë publike. Ne do të fokusohemi tek ekonomia dhe nuk do të mjaftohemi sa keq e ka kandisur sh’qeverisja e tyre. Zyrtarisht të punësuarit janë sot në po atë numër se sa kishte 7 vite më parë, por sot ka më shumë të papunë. Numri i atyre që trajtohen me ndihmë ekonomike është sa ai i katër viteve më parë, por faktikisht ka më shumë familje që kanë nevojë për ndihmë ekonomike dhe nuk e marrin atë”, tha ai. /S.Ll/Start/

                                                                                             2012-09-04 12:37
   

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›