E Diel, 1 Nëntor 2026

Chakrabart –Berisha: BERZH strategji për Shqipërinë

Presidenti i BERZH u shpreh se institucioni financiar që ai drejton, e konsideron Shqipërinë si një partnere të saj dhe se bashkëpunimi dhe projektet me Shqipërinë kanë qenë dhe janë të suksesshme.

 “E njoh Shqipërinë si një përthithëse të projekteve tona të suksesshme dhe shpreh besimin se bashkëpunimi e lidhja e fortë që kemi, do të jetë afatgjatë”, u shpreh Presidenti i BERZH, duke vënë në dukje se kjo Bankë ka përgatitur një strategji të re, me mbështetje të fokusuar në projekte infrastrukture, energjie, privatizime, etj. Po ashtu, në fushën e forcimit të institucioneve është destinuar një fond i konsiderueshëm për të mbështetur këtë proces.

Kryeministri Berisha e falënderoi Presidentin e BERZH për mbështetjen dhe bashkëpunimin e Bankës që ai po drejton dhe theksoi se qeveria shqiptare e konsideron BERZH-in si një partner shumë të rëndësishëm në rrugëtimin e saj drejt zhvillimit të vendit e të lirisë së ekonomisë së tregut. Ju, - u shpreh Kryeministri, - jeni pjesë e progresit dhe arritjeve tona, me mbështetjen e gjithanshme të dhënë deri sot dhe me projektet për të ardhmen.

Duke bërë një panoramë të zhvillimeve në vend, Kryeministri  Berisha tha se qeveria po vazhdon projektet e infrastrukturës kombëtare, rurale e të gjithëllojshme, si baza e zhvillimit të shpejtë e të qëndrueshëm. Po ashtu, sektori i energjisë po përthith projekte të shumta e të mëdha të prodhimit të energjive të rinovueshme, si HEC-e, impiante ere, etj. Turizmi gjithashtu përbën një prioritet, si fushë me potenciale të mëdha për t’u investuar e zhvilluar. Forcimi i institucioneve ka qenë dhe është një proces i vazhdueshëm.

Kryeministri i prezantoi Presidentit të BERZH punën e bërë në fushën e energjisë së rinovueshme, që nga viti 2007 e në vazhdim, të kurorëzuar me dhënien me koncesion të rreth 330 HEC-ve, nga të cilat 72 tashmë të përfunduara e në prodhim me kapacitet 125 mega dhe 50 të tjera në proces. Potencialet janë akoma më të mëdha, prandaj mbështetja me financime i këtij sektori është shumë e rëndësishme.

Kryeministri Berisha theksoi se kriza mbarë botërore ka shteruar kreditimet dhe i ka bërë bankat mëma evropiane e të tjera ndërkombëtare shume hezituese e të shtrënguara. Ndërkohë, sektori privat në të gjitha fushat ku ka gjeneruar projekte, ka nevojë të vazhdueshme për financime. Kryeministri nënvizoi se mbështetja dhe fuqizimi i sektorit privat me lehtësira e nxitje investimesh, si dhe me financime, është vitale për të garantuar rritje ekonomike, punësim e zhvillim dhe roli i BERZH në këtë drejtim mund të të jetë më i madh dhe kompensues për të zbutur efektin e mungesës së kredive e për të sjelle know how-n e domosdoshëm për bizneset e reja e të brishta, nëpërmjet partnerizimit. Ai u shpreh se penalizimi i vendeve si Shqipëria, që nuk është pjesë e eurozonës, por vuan efektet e politikave frenuese të bankave të eurozonës, mund e duhet të zbutet nga institucionet financiare si BERZH. /Start/

                                                                                             2012-09-04 16:07
   

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›