E Shtunë, 31 Tetor 2026

Imuniteti, Mëhilli: Zgjidhja e vetme është referendumi popullor

Zëdhënësja e kryeministri Erla Mëhilli ka reaguar sot ndaj akuzave të kreut të PS-së Edi Rama për referendumin për heqjen e imunitetit,  si dhe vrasjet e 21 janarit. Në një konferencë për shtyp, Mëhilli theksoi theksoi se Rama i tmerruar nga referendumi popullor për heqjen e imunitetit, bëri përpjekjen e radhës për të mashtruar shqiptarët mbi pasojat e aktit të tij të papërgjegjshëm.
 

“Kushtëzimi që i bën zoti Rama votimit për heqjen e imunitetit me instalimin e Kushtetutës së sundimit të pakicës, është ëndrra e tij e keqe që s`do realizohet kurrë ndonjëherë. Për një votim konsensual për heqjen e imunitetit zotit Rama ju bën të gjitha lëshimet dhe fatkeqësisht më datë 6 gusht ai bllokoi votimin e draftit të PS, ndaj dhe sot zgjidhja e vetme është referendumi popullor. Në rast se zoti Rama është penduar për bllokimin që i bëri më 6 gusht votimit të heqjes së imunitetit dhe statusit të vendit kandidat, le të mos i pengojë deputetët e tij për të firmosur kërkesën për referendum popullor për heqjen e imunitetit” theksoi Mëhilli.
 

Sipas saj pretendimi i zotit Rama se bllokimi i heqjes se imunitetit nuk është pengesë për luftën kundër korrupsionit është qesharak dhe fund e krye një mashtrim. "Rama e përdor këtë argument, sepse për të është fatale pyetja e qytetarëve të thjeshtë socialistë, por edhe e atyre pa parti. Çfarë e detyron këtë opozitë të mbrojë imunitetin e qeveritarëve dhe zyrtarëve në pushtet? E vërteta është se ai mbron me imunitet pasuritë e paligjshme të klubit miliarder të Partisë Socialiste” shtoi ajo.
 

Gjithashtu Mëhilli i është referuar edhe akuzave të kryesocialistit Rama për 21 janarin, duke theksuar se Rama i tronditur nga vendosmëria për hetimin mori përsipër të bëj Ramën tjetër. “Me këtë rast i rikujtojmë se shamia e përplasur në fytyrën e tij nga familjarët e njërit prej viktimave do ta ndjekë atë si dëshmi dhe akt akuzë në tërë jetën e tij. Hetimi i 21 janarit në të tëra aspektet e tij është detyrë e dorës së parë e institucioneve të shtetit ligjor duan apo s’duan Rama apo “topi” që i ka mbetur në portën e tij” theksoi Mëhilli.
 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›