Imuniteti, PD: Rama të lejojë deputetët të votojnë më 6 gusht

Partia Demokratike ripërsëriti sot apelin drejtuar kreut të PS-së, Edi Rama për të miratuar më 6 gusht ligjin për heqjen e imunitetit.
Në një deklaratë për mediat , përmes zëdhënëses së saj Silvi Bardhi Partia Demokratike I bën sërish thirrje Ramës që të ngrihet mbi interesat personale të klubit të miliarderëve në krye të partisë së tij dhe të lejojë grupin e tij parlamentar të votojë më 6 gusht në interesin më jetik të të gjithë qytetarëve shqiptarë, heqjen apo kufizimin e imunitetit dhe rrëzimin e murit të nxirë të korrupsionit.
"Sot mediat njoftuan se klubi i miliarderëve të Partisë Socialiste shpalli se nuk janë ata që nuk lejojnë Ramën për të mos votuar heqjen apo kufizimin e imunitetit më datë 6 Gusht. Duke pranuar, si ç’deklarojnë sot se janë të gatshëm për heqjen e imunitetit, ata kanë rastin të faktojnë me votën e tyre më 6 Gusht se pavarësisht nga akuzat e përditshme të kolegëve të grupin të tyre socialist dhe Jo vetëm të tyre për pasurim të paligjshëm, ata nuk kanë frikë nga pasuritë e tyre dhe nuk duan, nuk kanë nevojë për vellon e imunitetit për to", theksoi zëdhënësja.
Më tej, PD-ja thekson se votimi i heqjes së imunitetit më 6 gusht do të jetë dëshmi e vullnetit të qartë për të shembur murin e korrupsionit dhe për të mos bllokuar rrugën e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.