Imuniteti, PD fton opozitën për konsensus PS: Të jetë proces transparent e gjithëpërfshirës
Këshilli i Legjislacionit dhe Komisioni i Ligjeve eshte mbledhur sot në seancën e parë për të diskutuar ndryshimet në Kushtetutë lidhur me heqjen e imunitetit të zyrtarëve të lartë.
Machoranca ka ftuar opozitën që të gjejnë që sot një konsensus lidhur me ndryshimet kushtetuese për imunitetin, duke u bazuar në projektin e paraqitur nga organizmat europianë, PACA, nga Këshilli i Europës, dhe EURALIUS, nga Bashkimi Evropian. Opozita tha se mbështet në parim procesin ligjvënës për ndryshimin e dispozitave kushtetuese për kufizimin dhe heqjen e imunitetit.
Ne emër të maxhorancës, deputeti Edi Paloka tha se, ne si maxhorancë, për të mos i lënë kohë dhe rrugë përplasjeve, vendosëm të paraqesim para parlamentit projektin tonë, që është një projekt i bazuar në ekspertizën e Këshillit të Europës, PAKA-s, dhe i BE-së, EURALIUS. Paloka tha se maxhoranca ka marrë këtë vendim, me qëllimin e vetëm për të arritur atë që është e domosdoshme, konsensusin.
Përfaqësuesi i PS-së, Fatmir Xhafaj vlerësoi se procesi meriton një vëmendje shumë të veçantë, për të garantuar një proces gjithëpërfshirës dhe transparent.
Deputeti socialist, Fatmir Xhafaj tha se ndryshimet duhet të vijnë duke mbajtur në konsideratë realitetin tonë, shkallën e demokracisë, kulturën politike etj, duke shtuar se, ndryshimet duhet të japin efektet e kërkuara, të zgjidhë një problem, dhe jo të hapë një tjetër.
Xhafaj tha se ndryshimet duhet të shërbejnë edhe për ruajtjen e garancive për rolin e çdo opozite, për të mos goditur kundërshtarët politikë apo gjyqtarët për qëllime të caktuara.
Vetë kryetarja e Parlamentit, Jozefina Topalli tha se imuniteti është çështje e BE-së, është një çështje e standardeve, na bën të jemi transparent, që të shihemi para qytetarë shqiptarë si të barabartë dhe është një çështje e shtetit ligjor.
Ajo tha se sot ka ardhur momenti që të ecim përpara.
Seanca e sotme është e para ndër dy që janë planifikuar që të zhvillohen përpara se Parlamenti të marrë vendim.
Në mbledhjen e djeshme të Kuvendit, kryeparlamentarja Topalli u shpreh: Në fakt, Komisioni i Ligjeve është i mbingarkuar. Nesër në Këshillin e Legjislacionit, bashkë me Komisionin e Ligjeve, do të punojmë për ndryshimin e Kushtetutës për heqjen e imunitetit. Të shtunën do të kemi dëgjesën me grupet e interesit dhe akademikë, profesorë e konstitucionalistë për propozimet e ardhura.
Të shtunën është planifikuar që të zhvillohet një seancë dëgjimore me konstitucionalistët lidhur me propozimet e maxhorancës.
PROPOZIMI
Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste ka depozituar sot në Kuvend propozimet për kufizimin e imuniteteve. Në Komisionin e Ligjeve që do të mblidhet sot, deputetët e PS do të argumentojnë domosdoshmërinë e bashkimit të dy propozimeve, ndonëse debati dhe votimi për to mund të bëhet në kohë të ndryshme.
Në draftin e PS-së propozohet marrja në mbrojtje e deputetëve vetëm në ato raste kur janë duke ushtruar detyrën si përfaqësues të popullit, kur shprehin opinionet dhe votën e tyre. Në rast se kërkohet arrestimi, ai duhet të kryhet me lejen e Kuvendit me përjashtim të rasteve kur deputeti kapet në krim e sipër apo menjëherë sapo ka konsumuar kryerjen e krimit. Propozimet e PS-së që lidhen me imunitetin e gjyqtarëve, parashikojnë të drejtën e imunitetit nga cilido gjyqtar për vendimet dhe opinionet që ata shprehin gjatë kryerjes së detyrës, duke i zhveshur nga çdo lloj imuniteti tjetër.