E Shtunë, 31 Tetor 2026

Imuniteti, PD thirrje për votim më 6 gusht

“Dje drejtues të institucioneve kryesore kushtetuese të vendit  dhe atyre ndërkombëtare, përfaqësues të shumtë të shoqërisë civile dhe botës akademike të fushës së drejtësisë, të ftuar në një seancë të hapur dëgjimi në Këshillin Legjislativ të Parlamentit për heqjen e imunitetit, konfirmuan para shqiptarëve mbështetjen e tyre të plotë për heqjen, dhe sipas rastit kufizimin e imunitetit. Ata shprehën mendime shumë të vyera që pasurojnë mundësitë e një pune të përbashkët për votimin historik më Dt. 6 Gusht të heqjes, dhe sipas rastit të kufizimit të imunitetit për të gjithë mbartësit e tjerë”, tha zëdhënësja e PD-së, Silvi Bardhi.

Përfaqësuesit e institucioneve ndërkombëtare pohuan në mënyrë të përsëritur se amandamentet e paraqitura në Kuvend nga Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike, pasqyronin plotësisht dhe besnikërisht, projektet e hartuara nga ata në bashkëpunim të ngushtë me përfaqësues të institucioneve kryesore dhe shoqërisë civile të vendit në një proces të hapur që debatohet tani së fundi prej 1 viti, por në të vërtetë prej vitit 2003.

Bardhi tha se po dje në një akt dëshpërimi diktuar nga Këshilli i miliarderëve, pikërisht kur të ftuarit në seancën  e dëgjimit të Parlamentit po mbështesnin në Unison rrëzimin e murit të imunitetit, Zoti Rama deklaroi se ai nuk pranon këto qëndrime dhe kërkon si pazar për votimin e tyre, vendosjen në Shqipëri të Kushtetutës së pakicës bllokuese apo Kushtetutës së sundimit të pakicës.

“Ai e ilustroi këtë me procesin e zhvilluar në zyrat e tij për postin e Avokatit të Popullit, të cilin për pazare e la bosh për dy vite me radhë. Pra, për rrëzimin e murit të imunitetit, Këshilli i miliarderëve kërkon të vendosë në zyrat e Fidelit, Presidentin e Republikës dhe Kryetarin e Gjykatës së Lartë dhe atë të Gjykatës Kushtetuese dhe të gjithë gjykatësit e tyre, Prokurorin e Përgjithshëm dhe Kryetarin e Kontrollit të Lartë të Shtetit, në mënyrë që kjo Kupolë të ketë të garantuar pasurimin e tyre të paligjshëm, dhe pavarësisht se për cilën forcë politike votojnë qytetarët, ata të bëjnë ligjin me Kushtetutën e sundimit të pakicës”.

Partia Demokratike thekson dhe një herë, se muri i imunitetit është muri i korrupsionit, është mburoja e pasurimit të paligjshëm dhe kriminal të imunitarëve të vendit në kurriz të qytetarëve të thjeshtë, është muri që shkatërron çdo ditë qindra vende pune, lëndon çdo ditë mbi gjysëm milioni pensionistë shqiptarë.
“Partia Demokratike i bën thirrje dhe një herë z. Rama: Dëgjoje zërin e qytetarëve shqiptarë që duan barazi para ligjit me zyrtarët e tyre, të dëgjojë zërin e të papunëve, pensionistëve të vendit mbi të cilët muri i imunitetit vjen i rëndë sa toka dhe të votojmë së bashku me 6 Gusht heqjen, apo sipas rastit, kufizimin e imunitetit si një histori suksesi për çdo qytetar të këtij vendi”.

                                                                                             2012-07-22 13:42
   

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›