E Shtunë, 31 Tetor 2026

Imuniteti, Rama dhe Berisha japin OK

Maxhoranca dhe opozita bien dakord për kufizimin e imunitetit të zyrtarëve të lartë. Konferenca e djeshme e zhvilluar nga Kuvendi, ka përafruar qëndrimet mes dy kampeve kryesore të politikës shqiptare në lidhje me heqjen e imunitetit.

BLEDAR HOTI

E para që ka dhënë sinjalin për heqjen e imunitetit ishte kryeparlamentarja Jozefina Topalli. Ajo e cilësoi si të domosdoshme ndërmarrjen e një nisme të tillë. "Kufizimi i imunitetit është një tjetër reformë, të cilës i ka ardhur koha. Unë jam optimiste se, edhe për këtë reformë do të gjejmë konsensusin e duhur në Parlament. Ne, deputetët, gjyqtarët dhe prokurorët nuk kemi pse të jemi të ndryshëm nga qytetarët. Ka ardhur koha që në Shqipëri të mos ketë më imunitarë!!! Në të njëjtën kohë kemi punë për të bërë edhe me Kodin Zgjedhor dhe me vazhdimin e reformës në drejtësi, të cilat janë axhenda e punës së Kuvendit dhe që pret kontributin e çdo deputeti!", deklaroi Topalli. Kryeparlamentarja deklaroi se nisma e maxhorancës u paraqit që në vitin 2005, por që nuk u dha konsensusi me opozitën për një çështje të tillë, duke bërë që të djathtët të mos e votojnë me forcën e kartonit.
Berisha
Kryeministri Sali Berisha ka cilësuar të domosdoshme çështjen e miratimit të ligjit për kufizimin e imunitetit. "Çështja e imunitetit nuk mund të jetë problem i 84 votave, por duhet të jetë çështje e një konsensusi të vërtetë", deklaroi Berisha. Sipas tij, "heqja e imunitetit të zyrtarëve, një Shqipëri pa imunitarë, do të përbënte një kusht për një luftë të suksesshme kundër korrupsionit. Ky proces duhet të jetë çështje e një konsensusi dhe vullneti të vërtetë të palëve". "Ky është një standard ndaj të cilit duhet të përkulemi që të gjithë. Për çështje politike do të ketë gjithnjë imunitet, heqja dorë nga imuniteti për çështje jo politike përbën një zhvillim shumë të madh edhe për drejtësinë shqiptare, e cila nuk do të përballet me dhunën e imunitetit në ushtrimin e detyrës e funksionit dhe do të bëhet më e pavarur në funksionimin e saj", deklaroi Kryeministri. Sipas tij, heqja dorë nga imuniteti do të përbënte një ndihmë të madhe për drejtësinë, duke e bërë atë më të pavarur në funksionimin e drejtësisë. Kryeministri theksoi se reforma shumë të rëndësishme dhe vendimtare për integrimin e vendit mbeten reforma elektorale dhe reforma në sistemin e drejtësisë. Ai vuri në dukje se, "qeveria dhe opozita kanë marrë përgjegjësi të mëdha për një reformë të thellë elektorale, në një klimë ku të dy forcat kryesore politike dhe të tjerë aleatë të tyre, dëshmuan një vullnet të hekurt për të vendosur një sistem zgjedhor të lirë dhe të ndershëm".
Edi Rama
Nëse dy vjet më parë opozita kontestoi nismën e maxhorancës për kufizimin e imunitetit, tashmë PS-ja është e gatshme ta votojë atë. Lideri i PS-së, Edi Rama, pranoi se opozita është e gatshme të miratojë këtë nismë. "Dua të them se ne jemi të hapur ta diskutojmë çështjen e kufizimit të imunitetit, pasi ne gjykojmë se sot nuk kemi kushtet e gjuetisë së shtrigave të deri një viti më parë", deklaroi Rama. Kryesocialisti në të njëjtën kohë theksoi se, "ne nuk mund të jemi të kënaqur me gjendjen e korrupsionit në Shqipëri, e cila është përkeqësuar. Nuk mund të mjaftohemi me denoncimin e korrupsionit, por duhet të ecim dhe të mbështesim reformat, të cilat ndikojnë në luftën kundër korrupsionit". "Përgjegjësitë e opozitës në plotësimin e detyrimeve për integrimin e plotë në BE dhe NATO, janë përgjegjësi për të ardhmen, në mbështetje të aspiratave evropiane të shqiptarëve, pa dallim bindjesh politike dhe bashkëpunimi ynë me maxhorancën nuk tregon asgjë tjetër, përveçse vullnetin e përbashkët për këtë qëllim", theksoi Rama.

Topi: Çdo politikan duhet të jetë pa imunitet

Presidenti Bamir Topi ka përkrahur dje nismën për heqjen e imunitetit të deputetit. Duke folur gjatë ceremonisë së "Ditës së Evropës", kreu i shtetit u shpreh se çdo politikan duhet ta ndjejë veten pa imunitet, në të kundërt, sipas tij, çdo ligjëratë për luftën ndaj korrupsionit mbetet demagogji. "Çështja e imunitetit të deputetit, në këndvështrimin tim, sepse është Parlamenti ai që do të vendosë dhe partitë politike, është e tillë që çdo njeri duhet ta ndjejë veten pa imunitet, sepse në rast se do të kemi mbrojtje pas imunitetit, atëherë të gjitha ligjëratat për korrupsionin mbeten në retorikë, mbeten demagogji. Kështu që unë besoj që një nismë e tillë për të hequr imunitetin në mënyrë të vullnetshme, do të ishte një nismë e mrekullueshme", u shpreh Presidenti Topi. I pyetur rreth sondazhit të dy ditëve më parë të USAID-it, lidhur me nivelin e korrupsionit në Shqipëri, kreu i shtetit tha se të gjitha institucionet duhet të bëjnë analizën e tyre, pasi, sipas tij, sondazhet janë perceptim i qytetarëve. "Ajo që duhet të bëjnë institucionet, të gjithë ne pa përjashtim, duhet që me nota shumë realiste, në mënyrë analitike, të vlerësojmë në radhë të parë vetveten, pastaj të kalojnë në diskutime për të tjerët, sepse çështja e korrupsionit është si çështja e enëve komunikuese", vijoi më tej kreu i shtetit. Ndërsa për firmosjen e dekretit të ndryshimeve kushtuese, Topi tha se, "mund të ketë qenë dekreti që e kam firmosur në një kohë jashtëzakonisht të shpejtë, pra në një kohë rekord, sepse nuk kisha asnjë lloj mëdyshjeje për të firmosur ndryshimet që ishin me një maxhorancë prej 115 votash".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›