E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vlorë, Gjika: Qeveria të heqë ligjin Antiskaf

"Qeveria nuk ka akorduar asnjë lek për të investuar këtë verë në zonat turistike të Vlorës".

VLORE/ QEMAL BIRAKU

 Me akuzë për lënien jashtë vëmendjes së një prej qyteteve më të rëndësishme në vend, e ka çelur dje zyrtarisht sezonin turistik, kryebashkiaku Shpëtim Gjika. Ai ka kërkuar nga dy deputetët e PD-së në Vlorë që të shtrojnë në Parlament çështjen e moratoriumit antiskaf, pasi pengon pushuesit të vizitojnë vende të ndryshme përgjatë bregdetit. Për këtë arsye, në anët e podiumit ishin vendosur dy motorë deti, që sinjifikonin kërkesën për ndryshimin e ligjit.
Megjithë mungesën e impenjimit të qeverisë, Gjika ka shtuar se me fondet e vetë pushtetit vendor do të mundësohen të gjitha kushtet për pushuesit që do të zgjedhin bregdetin e Vlorës këtë sezon. Në një ceremoni të thjeshtë, ku nuk ishte i pranishëm asnjë përfaqësues i qeverisë, kryebashkiaku u ka uruar vlonjatëve një sezon të suksesshëm dhe të mbarë. Bashkë me Gjikën kanë marrë pjesë në hapjen e sezonit "Verë 2008" dhe prefekti i Vlorës, kryetari i qarkut, deputetët e Vlorës, Leskaj dhe Kollozi si dhe pushtetarë të tjerë vendorë e përfaqësues të Dhomës së Tregtisë. "Ndonëse qeveria nuk ka asnjë fond të veçantë nga ana e Këshillit të Ministrave dhe këtë vit Vlora do të jetë një nga qytetet që do të presë më shumë turistë vendas dhe të huaj. Me siguri dhe për këtë vit Vlora do të jetë mbretëresha e turizmit shqiptar", deklaroi kreu i bashkisë. Ai ka pohuar se për këtë sezon, me fondet e bashkisë janë sistemuar të gjitha zonat e plazheve, janë pastruar nga mbeturina të ndryshme, rimbushur me rërë, sistemuar dhe janë pluguar. Këtë sezon është rikthyer në identitet dhe zona e Plazhit të Vjetër, rehabilitimi i të cilit përfundoi dy ditë më parë. Gjithashtu, sipas Gjikës është investuar në infrastrukturë, ndriçim të rregullt, ujë të pijshëm, dushe si dhe banja për pushuesit. Ndonëse sezoni është hapur, më 18 maj pritet që me fondin prej 150 milionë lekësh të fillojë asfaltimi i rrugës kryesore nga sheshi i Skelës deri në Ujin e Ftohtë, me të gjithë infrastrukturën e nevojshme. Këtë vit parashikohet që të priten në Vlorë mbi 250 mijë pushues, të cilët do të akomodohen jo vetëm në hotele, por dhe në shtëpitë që vetë banorë ofrojnë gjatë muajve të verës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›