E Shtunë, 31 Tetor 2026

Konferenca, kryeministri e kthen në Parlament

Rikthimi në publik së bashku mes dy liderëve kryesorë të politikës shqiptare, Rama dhe Berisha, është shoqëruar dhe me përplasje deklaratash mes tyre.

BLEDAR HOTI

Organizuesja e këtij takimi, kryeparlamentarja Topalli, duket se ishte kujdesur për detajet e panelit ku do uleshin Berisha dhe Rama, duke shmangur një pakënaqësi që në nisje të konferencës. Kryeministri është ulur në anën e majtë të tavolinës kryesore, ndërsa lideri i PS-së, Edi Rama në ekstremin tjetër, në të djathtën. Radha e qëndrimit të përfaqësuesve të panelit ka qenë i pari ambasadori i KE-së, Lohan, më pas ambasadorja e Francës, Daviet, kryeministri Berisha, kryeparlamentarja Topalli, ambasadori i OSBE-së, Bosch dhe kryesocialisti Rama. I pari që ka mbërritur në konferencë ka qenë Berisha, ndërsa më pas ka mbërritur Rama. Që në fillim ata kanë shmangur shtrëngimin e duarve mes tyre, duke mos u bërë pjesë e fokusimit të kamerave dhe aparateve të këtij momenti të rëndësishëm. E para ka folur kryeparlamentarja Topalli, më pas Kryeministri Berisha. Topalli më pas ka ftuar Ramën të flasë për çështjen e integrimit dhe opsionet e opozitës për këtë proces.
Rama "hyn" në Parlament
Parlamenti është zhvendosur më pas në hotel "Tirana", pasi Berisha pas akuzave të Ramës për tenderin e kartave të identitetit ka ndërhyrë duke rikthyer skenën e seancave, ku flitet për replikë me deputetët, edhe pse lideri i PS-së, Rama, nuk është i tillë. Berisha ka shpjeguar procedurën e tenderit, duke i dhënë të drejtë Ramës, ndërsa ky i fundit ecte drejt panelit për t'u ulur. Berisha e ka pranuar qortimin e Ramës për ndërhyrje në tenderin e pasaportave, por e ka bërë të ditur se do t'i japë atij dosjen e procedurave të ndjekura për këtë çështje. Pas këtij qëndrimi ka replikuar menjëherë Rama, duke u shprehur se "s'ka nevojë të më jepni mua dosje nëse ka ndonjë shkelje, me dosjet merret Prokuroria". "As unë dhe as deputetët e mi nuk merren me dosje. Me dosjen le ta lemë të merret në paqe Prokuroria. Por procesi i ndjekur nuk është transparent", theksoi Rama. Kryesocialisti më pas ka bërë të qartë se nëse s'ka karta identiteti, opozita nuk do të hyjë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.
Berisha përplasje me Metën
Kryeministri Berisha ka ngacmuar dhe kreun e LSI-së, Ilir Meta, i pranishëm në këtë konferencë. I ulur në rreshtin e parë, Meta ka ironizuar me nënqeshje Berishën, në momentin kur Kryeministri ka deklaruar se "nuk ka asnjë marrëveshje me opozitën për reformën". "Nuk është për të qeshur, sepse është fatkeqësi kur krijon komitetet e mbrojtjes së Dushkut. Ç'ishte ajo Ilir që bërë dje me atë të komitetit kushtetues", i është drejtuar Berisha. Në sallë ka pasur qeshje nga përfaqësuesit e maxhorancës dhe të pranishmit e tjerë për këtë batutë. Më pas, Berisha ka nisur të mbrojë edhe ndryshimet në Kushtetutë. Ndërsa dy liderët kryesorë, Berisha dhe Rama, kanë braktisur sallën në momentin kur do të diskutonte kreu i LSI-së, Ilir Meta. Kjo është pasuar dhe me një pjesë të socialistëve të pranishëm në konferencë. Meta nuk ka ngurruar të ironizojë dhe këtë bojkot të krerëve të PS-së dhe PD-së. "Unë jam i detyruar të jem shumë racional, sepse e ndiej të them disa fjalë si kryetar i Komisionit të Integrimit, por edhe disa fjalë si përfaqësues i opozitës, e cila nuk është përfaqësuar deri tani shumë në qëndrimet e saj, sepse deri tani nuk u bë opozitë", deklaroi Meta. Lideri i LSI-së ka ironizuar më pas deklaratën e Berishës për heqjen e imunitetit, duke e cilësuar si një qëndrim jo real të kryeministrit. "A është aq i sinqertë Kryeministri kur thotë që do t'u hiqet imuniteti të gjithë zyrtarëve dhe politikanëve që e kanë këtë imunitet dhe për shkak të Kushtetutës, ndërkohë që i jepet imunitet një drejtori të administratës shtetërore, sikurse është zoti Sefgjini, drejtori i Tatimeve, ndërkohë që ai është i pandehur nga Prokuroria", theksoi Meta.

Berisha, Topalli bashkohen me Topin

Pas konferencës, dy orë më pas, treshja drejtuese e shtetit është zhvendosur në skajin tjetër të qendrës së kryeqytetit në hotel "Sheraton", për të marrë pjesë në aktivitetin e organizuar nga BE-ja. Topi, Topalli dhe Berisha kanë qëndruar së bashku për 10 minuta, kjo ishte dalja e parë në publik pas rrëzimit të ligjit të legalizimeve nga Presidenti.

Shtrëngimi i duarve

Ka qenë Kryeministri Sali Berisha që ka shkuar drejt karriges ku ishte ulur kryesocialisti Rama për t'i shtrënguar atij dorën. Ndoshta ky shtrëngim duarsh ka qenë i pashmangshëm për kryeministrin, për shkak se ai ka takuar të gjithë të pranishmit në panelin kryesor. Ky ka qenë i vetmi takim mes dy liderëve kryesorë të politikës.

Ilir Meta
Më duhet të them se roli i Parlamentit, për sa i takon integrimit dhe reformave në vend, të cilat kanë të bëjnë me integrimin, për mendimin tim po vjen duke u dobësuar, sepse mendoj dhe më erdhi keq që nuk dëgjova në fjalimin shumë të gjatë të Kryeministrit, asnjë fjalë lidhur me strategjinë kombëtare për zhvillim dhe integrim. E them këtë, sepse sot ndikojnë interesat e ngushta partiake dhe të maxhorancës në aprovimin e ligjeve të rëndësishme, të cilat cenojnë standardet e integrimit. Dua të përshëndes vendimin e Gjykatës Kushtetuese, për sa i takon qëndrimit që mbajti për parapagimin 15 për qind të gjobave për biznesin.

Helmut Lohan
Duke vlerësuar reformën kushtetuese dhe konsensusin e gjetur midis përfaqësuesve të maxhorancës dhe opozitës, ambasadori i KE-së, Lohan, theksoi se kjo ka qenë edhe përvoja e vendeve të mëparshme kandidate dhe tashmë anëtare të BE-së. "Deputetët shqiptarë kanë përpara tyre një sfidë të dyfishtë: të ndërtojnë dhe të konsolidojnë konsensusin politik për kërkesat që rrjedhin nga MSA-ja dhe njëkohësisht të ruajnë të njëjtën linjë legjislative me BE-në. Në një ditë si kjo e sotmja, Dita e Evropës, dëshiroj t'u uroj deputetëve shqiptarë suksese në plotësimin e kësaj sfide", përfundoi Lohan.

Lulzim Basha
Ministri i Jashtëm, Lulzim Basha, ka akuzuar opozitën në diskutimet e tij, duke u shprehur se "qëndrimi për imunitetin është vetëm në kuadrin e oratorive". Sipas tij, opozita nuk po ndërmerr asnjë veprim konkret". Sipas tij, PS-ja po tregohet apatike gjatë kërkesës për heqjen e imunitetit. Duke vlerësuar progresin e dukshëm që Shqipëria ka bërë në drejtim të reformave të saj integruese, ministri Basha theksoi se avancimi i Shqipërisë në BE dhe anëtarësimi i ardhshëm nuk lidhet thjesht me data dhe afate, të cilat sigurisht janë të rëndësishme, por së pari me cilësinë, thellësinë dhe gjerësinë e reformave, të cilat janë prioritare për Shqipërinë.

Valentina Leskaj
Kryetarja e grupit parlamentar socialist, Valentina Leskaj, ka replikuar me ministrin e Jashtëm, Lulëzim Basha, pas deklaratës së tij se, "opozita bën retorikë boshe". "Nëse opozita do të kishte bërë retorikë boshe, sot nuk do të ishim këtu. Nëse opozita do të kishte bërë retorikë boshe, të jeni të sigurt dhe të gjithë shqiptarët të jenë të sigurt, se Shqipëria nuk do të kishte marrë ftesën në Samitin e Bukureshtit për në NATO. E mori këtë ftesë për shkak se opozita ofroi një kulturë të re politike, një përqasje të re në mënyrën e të bërit politikë, ofroi një kontribut në bërjen e reformave dhe në mënyrë të veçantë në dy reformat e rëndësishme, reforma elektorale dhe reforma në drejtësi", tha Leskaj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›