E Shtunë, 31 Tetor 2026

Imuniteti, Subashi: Akti normativ i pavlefshëm, konsensus në Kuvend

TIRANE - Ndryshe nga deputeti demokrat, Enkeled Alibeaj, nënkryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve e sheh të pamundur mbajtjen e referendumit për çështjen e imunitetit.

Ajo vëren se “një akt normativ është i pavlefshëm për të organizuar një referendum popullor, kur bëhet fjalë për një ndryshim kushtetues siç është ai për kufizimin e imunitetit”. Sipas saj, në Kushtetutë janë të përcaktuara 2 dispozita për referendumet ne nenet 150 dhe 177. Por ndërthurja e tyre siç kërkon mazhoranca, mund ta kthejë nismën në antiligjore. “Neni 150 i Kushetutës, që bën rregullimet e referendumeve për ligjet dhe për projektligjet e veçanta ka rregulla të tjera që nuk mund të përputhen dhe që as që mund të bashkohen juridikisht sepse në mënyrën se si shprehet ligji krijon kontradita dhe alogjizma ligjorë që e bëjnë në vetvete nul aktin, vendimin që prodhon”, - tha Subashi në një prononcim për “Albanian Screen”.

Në vitin 2008, në kundërshtim të ndryshimeve kushtetuese të 21 prillit, LSI iu drejtua KQZ-së për formularët me të cilat do të mblidheshin 25 mijë firmat për referendum. KQZ refuzoi asokohe kërkesën me argumentin se Kushtetuta ndryshohet vetëm pas miratimit me 94 vota në Kuvend. Çështja, kujton Subashi, kaloi për interpretim në Gjykatën Kushtetuese.

“Gjithë debatin e ditës sot që mund të bëhet, një referendum kushtetues, nëpërmjet nenit 150, apo nëpërmjet nenit 177 të Kushtetutës e ka zgjidhur ky vendim i Gjykatës Kushtetuese. I është drejtuar për mendim edhe Komisionit të Venecias, është shprehur kategorik që e vetmja dispozitë që mund të procedohet për një referendum kushtetues është neni 177 i Kushtetutës”,- argumenton Subashi. 

(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›